Porti i Durrësit është kthyer këto ditë në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare, jo vetëm për arsye ushtarake, por edhe për një vizitë të veçantë simbolike dhe kulturore.
Veliera italiane “Amerigo Vespucci”, një ndër anijet më ikonike në historinë e Marinës Italiane, është ankoruar në kalatat 4 dhe 5 të portit, ku do të qëndrojë më 9 dhe 10 prill, duke u bërë e hapur për publikun shqiptar dhe vizitorët ndërkombëtarë.
E ndërtuar në vitin 1931 në kantierin e Castellammare di Stabia në Napoli, “Amerigo Vespucci” është një anije shkollë që stërvit kadetët e Marinës Italiane, por njëkohësisht funksionon si një ambasadore lëvizëse e kulturës dhe traditës italiane. Ajo është konsideruar gjerësisht si “anija më e bukur në botë”, për shkak të dizajnit të saj tradicional me tre direkë dhe bukurisë klasike që përfaqëson.
Vizita e “Amerigo Vespucci” në Shqipëri vjen si pjesë e një agjende të ngjeshur kulturore dhe diplomatike, të lidhur edhe me nisjen e edicionit 2025 të garës ndërkombëtare Giro d’Italia, e cila këtë vit do të startojë për herë të parë nga territori shqiptar.
Më 9 prill, në bord të velierës do të zhvillohet një pritje zyrtare me 50 të ftuar specialë, ku do të marrin pjesë: Komandanti i velierës “Amerigo Vespucci, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Përfaqësues të Marinës Italiane, Përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.
Gjatë këtij eventi do të ekspozohet Trofeu “Senza Fine”, simboli i garës Giro d’Italia.
Kjo është hera e dytë që “Amerigo Vespucci” viziton Shqipërinë, pas ndalesës së saj të parë në tetor të vitit 2022.
Por këtë herë, ndalesa ka një simbolikë më të madhe, ajo vjen si anije shoqëruese në dorëzim të një anijeje ushtarake nga Italia për Forcat e Armatosura Shqiptare, duke forcuar akoma më shumë lidhjet mes dy vendeve në fusha të ndryshme: ushtarake, kulturore dhe turistike.