Lajme nga vendi
SILJANOVSKA FLET PËR REAGIMET E PALËS GREKE PAS PËRDORIMIT TË EMRIT TË VJETËR TË SHTETIT

Presidentja e re, Gordana Siljanovska Davkova, përmes bisedimeve do t’i bindë grekët se ka të drejtë kur përdor emrin Maqedoni, në vend të emrit të ri kushtetues të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo nga Ohri tha se ka plan si do të veprojë me Greqinë dhe Marrëveshjen e Prespës.
“Sigurisht që kam plan, plani është ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Plani ofron respekt dhe kërkon respekt. Dhe mendoj se si në politikë duhet kërkuar arti i së mundshmes, do ta bëjmë së shpejti. Deklarata ime e parë ishte se nuk do të shkoj nëpër botë, se dua të takoj fqinjët e mi dhe mendoj se do ta arrij këtë. Natyrisht se për bisedë nevojiten të gjithë të jenë rreth jush dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të flasim. Dialogu është një gjë e shëndetshme dhe nëse nuk ka respekt të ndërsjellë, nuk do të ketë rezultat. Politika kërkon dialog dhe unë jam gati ta kërkoj dhe bashkë t’i tejkalojmë problemet”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova- presidente.
Athina nuk e përjashton as mundësinë e procedurës pranë Gjykatës ndërkombëtare në Hagë për shkak të Marrëveshjes së Prespës.
“E njëjta Gjykatë ndërkombëtare ku kemi qenë me Greqinë, vendosi për nenin 11 të Marrëveshjes së përkohshme. Ajo është gjithashtu marrëveshje ndërkombëtare. Nuk besoj se do të shkojë menjëherë në gjykatë. Në Marrëveshjen e Prespës ka shkallëzim, së pari i drejtohet OKB-së dhe i drejtohet gjykatës. Aktgjykimi i gjykatës duhet të jenë “erga omnes”, por kjo ndodhi në rastin tonë”, shtoi Gordana Siljanovska Davkova.
A do të vazhdoni ta përdorni emrin Maqedoni pavarësisht presionit ndërkombëtar?
Unë thashë që e respektoj Marrëveshjen e Prespës, respektoj të drejtën ndërkombëtare për dallim nga të tjerët, po flas për vendosmëri personale, është një e drejtë që garantohet me akte më të larta te marrëveshjet dypalëshe”.
Betimi solemn, ku ajo përdori emrin Maqedoni, shkaktoi reagime të ashpra në opinionin ndërkombëtar dhe veçanërisht në Greqinë fqinje.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve