Lajme nga vendi
Vendi po shndërrohet në një depo të veturave të vjetra
Për të ndalur hovin e importit të veturave të vjetra, autoritetet maqedonase vitin e kaluar paralajmëruan rritjen e taksave për regjistrimin e këtyre automjeteve, si dhe taksë më të lartë për automjetet që ndotin më shumë mjedisin, megjithatë ndryshimet ligjore nuk e kanë dritën.
Të dhënat e Drejtorisë së Doganave bëjnë të ditur se gjatë pesë vjetëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë importuar 177 mijë automjete të përdorura dhe vetëm 28 mijë automjeteve të reja.
Vjetërsia e veturave që qarkullojnë në rrugët e Maqedonisë së Veriut është rreth 20 vjet.
Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një e treta e veturave që janë në qarkullim ose 140 mijë nga gjithsej 480 mijë sa janë në qarkullim, regjistrimin e parë e kanë pasur në vitin 2005, 2006 apo 2007.
Gjysma e automjeteve në qarkullim, ose 173 mijë sosh, i takojnë shekullit të kaluar, pra janë të regjistruara nga viti 1990 deri në vitin 2000.
Në bazë të të dhënave, në vitin 2022 janë regjistruar 388 mijë vetura që përdorin naftë kundrejt 211 mijë veturave që përdorin benzinën si karburant. Sipas këtyre statistikave del se qytetarët janë të interesuar për veturat dizel dhe jo për ato me benzinë.
Gjatë vitit të kaluar, nga gjithsej 31 mijë automjete që janë importuar në Maqedoninë e Veriut, 25 mijë janë me naftë ndërsa vetëm 6 mijë janë me benzinë.
Por, qytetarët thonë se pagat e vogla ua pamundësojnë blerjen e veturave të reja.
“Nuk e di çka të them… megjithëse për mua me interes është të kem një veturë të lirë, sa për të shkuar në punë dhe për t’i dërguar fëmijët në kopsht, një veturë të vogël dhe ekonomike, pasi për veturë të re as që mendoj me pagat që i marrim”, thotë Viktor Andonovski që punon si administrator.
Ndërsa, Radmilla, pensioniste, thotë se do ta shiste menjëherë veturën e saj të vjetër po të ishte transporti urban më cilësor.
“E mbaj veturën e vjetër sa për të shkuar te fëmijët dhe miqtë një herë në javë, pasi me autobus është bërë e tmerrshme lëvizja”, thotë ajo.
Nga Drejtoria e Doganave thonë se nuk është e kufizuar vjetërsia e automjeteve që importohen në vend nga jashtë, por kategorizohet niveli ndotës i tyre.
“Nuk ka kufizim për sa i përket vjetërsisë së automjeteve për import, megjithëse në bazë të një dispozite ligjore nuk lejohen të regjistrohen automjetet e importuara me normë më të ulët se norma EURO 4 për shkarkimet e gazrave. Praktikisht, kjo do të thotë se kufiri maksimal i automjeteve që mund të regjistrohen janë automjete të prodhuara nga viti 2004 e tutje, që do të thotë automjete të vjetra rreth 20 vjet”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Anastas Mazenkovski, ndihmësdrejtor në Drejtorinë Doganore.
Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, theksojnë se Maqedonia e Veriut po shndërrohet në një depo, apo varrezë të veturave të vjetra.
“Është për të ardhur keq se Qeveria aktuale, por edhe ato më herët, nuk janë vënë në shërbim të shëndetit të qytetarëve, por gjithmonë në plan të parë kanë vënë bizneset, interesat e grupeve të caktuara të afërta me pushtetin që i importojnë veturat e vjetra nga jashtë vendit, të cilët normalisht shfaqen edhe si donatorë të partive politike”, thotë ai duke shtuar se masat për mbrojtjen e ambientit në përputhje me direktivat e vendeve të Bashkimit Evropian nuk zbatohen në Maqedoninë e Veriut.
“Kjo ka bërë që tashmë të jemi një nga vendet që është shndërruar në depon apo varrezën më të madhe për sa i përket veturave të vjetra”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare ECOGUERILA.
Megjithëse, para dy vjetësh ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, u zotua se veturat e importuara të paktën duhet të posedojnë normën EURO 5 për sa i përket shkarkimit të gazrave, kjo nuk ndodhi.
Tani nga Ministria e Ekonomisë theksojnë se aktualisht nuk shqyrtohen mundësitë për kufizime plotësuese sa i përket importit të veturave.
“Në këtë moment, Ministria e Ekonomisë nuk po mendon për ndryshimin e rregullores që do të ndalonte importin e automjeteve me nivel emetimi të gazrave të shkarkimit nën standardin EURO 5. Vendimi për ndryshimin, rritjen e nivelit të emetimit të gazrave të shkarkimit për automjetet që importohen, zakonisht vjen nga Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë e zbaton duke e ndryshuar rregulloren”, thonë për REL-in nga Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Lajme nga vendi
Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa probleme, kryesisht në rrugë të thata.
Nga data 15.11.2024 fillon detyrimi ligjor për posedimin e detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete, pavarësisht nga kushtet aktuale të motit. Ky detyrim do të zgjasë deri më 15 mars 2025. Mund të lexoni më shumë informacion në këtë lidhje.
Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa probleme, kryesisht në rrugë të thata.
Intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë qendrave të qyteteve është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka më vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi.
AMSM rekomandon shpejtësi të rregulluar të lëvizjes, respektim të sinjalistikës në komunikacion dhe menaxhim të kujdesshëm të mjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumore dhe gryka, ku ka mundësi për rrëshqitje të dheut. Kjo veçanërisht vlen për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
REGJIMI I KOMUNIKACIONIT SEZONAL: Rruga Ohër – Resnjë, përmes Parkut Kombëtar Galiçicë, është e mbyllur për qarkullim për të gjitha llojet e automjeteve nga data 15.11.2024.
Lajme nga vendi
VLEN uron popullin e shtetin shqiptarë, bashkë festofshim gjithmonë!
Koalicioni VLEN uron shqiptarët anekënd botës ku jetojnë 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Urojmë, presidentin Bajram Begaj, kryeministrin, Edi Rama, dhe të gjithë zyrtarët e qytetarët e shtetit shqiptarët 112 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo përpos që është ditë historike shënon edhe finalizimin e përpjekjeve të vazhdueshme dhe ëndrrën tonë shekullore për një shtet etnik në këto troje.
Kjo datë e rëndësishëm për të gjithë shqiptarët na kujton thirrjen senzibilizuese për të qëndruar e festuar bashkë. 28 Nëntori është simbol i qëndresës, rezistencës dhe vendosmërisë së popullit shqiptarë ndër shekuj, por gjithashtu është edhe një amanet për të vazhduar këtë rrugëtim të shenjtë. Duke shënuar këtë ditë historike asnjëherë nuk do t’i harrojmë gjurmët e historisë tonë.
Kjo datë në kujton sakrificën e gjeneratave brez pas brezi për ta realizuar idenë e rilindësve tanë. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë fituar asgjë rastësisht e as nuk kanë marrë dhuratë, por gjithçka ka qenë si rezultat i mundit, punës dhe sakrificës të pashoqë nga ideolog e kontribues si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Qemali e Hasan Tahsini, rilindasë që vazhdojnë të na frymëzojë edhe sot e kësaj dite që të vazhdojmë me punë dhe përpjekje për t’u angazhuar për popullin shqiptarë kudo që jetojnë. Vështirësitë që kaluan gjeneratat tona gjithashtu janë frymëzim për të vazhduar rrugëtimin tonë të pastër kombëtar.
Ky kalim ndër vite është mësimi më i mirë për gjeneratat e sotshme, që shteti i pavarur kërkon bashkëpunim për integrim, punë të pandalshme për sigurimin e një jete sa më cilësore për të gjithë popujt, megjithatë, kërkon përgjegjësi në menaxhim dhe udhëheqje dinjitoze. Koalicioni VLEN gjatë kësaj periudhe sa është në Qeveri është angazhuar fuqishëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Koalicioni VLEN uron shqiptarët dhe bënë thirrje për bashkëpunim e mirëkuptim pasi vetëm kështu do ecim përpara!
Lajme nga vendi
Refet Abazi fiton çmimin shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit”
Edhe një vlerësim i lartë shtetëror për aktorin dhe profesorin universitar, Refet Abazi, transmeton TV21.
Ai ka fituar çmimin shtetëror “Shën Klimenti i Ohrit”, për kontributin e dhënë në artin dramatik, si aktor por edhe profesor në Fakultetin e Artit Dramatik në Shkup.
Informacionin e kanë bërë të ditur nga Fakulteti i Artit Dramatik dhe Teatri Shqiptar i Shkupit.
Kujtojmë që gjatë këtij viti profesori Abazi është dekoruar edhe me“Urdhrin për Merita Shtetërore” nga ish presidenti Stevo Pendarovski./TV21
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve