Lajme nga vendi
Ligji për ndalesë të praktikave jokorrekte tregtare para Komisionit juridiko-ligjvënës

Komisioni parlamentar juridiko-lighdhënës sot duhet të debatojë rreth Projektligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore, me procedurë të shkurtuar, pasi që dje ky vendim ligjor kaloi në Komisionin për çështjet evropiane.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pret që ligji të jetë në seancë plenare më 11 ose 13 të këtij muaji dhe të votohet, pas së cilës pas shpalljes në Gazetën Zyrtare do të hapet seanca publike.
Bekteshi siguron se nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve të produkteve në periudhën derisa të fillojë zbatimi i plotë i ligjit, e veçanërisht për produktet për të cilat deri në fund të muajit të kaluar kishte çmime të garantuara.
“Kam folur me të gjithë prodhuesit dhe tregtarët vendas, me shumicë dhe pakicë. Nëse keqpërdoret kjo periudhë derisa konstatohet lista e plotë dhe derisa ndryshohen kontratat që furnizuesit kanë me tregtarët për t’u dhënë atyre një afat për të rinegociuar disa gjëra që kanë paraparë kontratat e tyre të furnizimit, ata e dinë se në Ministrinë e Ekonomisë jemi të gatshëm që gjatë ditës të marrim vendime që nuk do të jenë në favor të grupeve të caktuara që të mund të bëjnë keqpërdorime të tilla”, ka thënë Bekteshi.
Keqpërdorimet, sqaron ministri do të përcaktohen nga Inspektorati Shtetëror i Tregut i cili me profesionalizëm kryen punën dhe në baza ditore ndjek situatën.
Nga mbi 2500 produkte që do të përfshihen me ligj, 70 deri në 80 për qind janë produkte bujqësore dhe ushqimore që janë në treg në vend dhe lista, njoftoi Bekteshi, do të zgjerohet nëse ka kërkesa.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, dje sërish u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë ligjin sepse, siç tha ai, vetëm në atë mënyrë do ta zgjidhim institucionalisht problemin e rritjes së mundshme të çmimeve jashtë tregut.
Inspektorati shtetëror i tregut është çdo ditë në terren. Sapo të marrim raportin nëse dhe cilat produkte kanë rritje të çmimeve, do të bëhet e ditur për opinionin, veçanërisht nëse bëhet në mënyrë të organizuar, tha Bytyqi
Në Komisionin për mbrojtje të konkurrencë, tashmë ka një parashtresë dhe pret që përbërja e re e Komisionit ta përshpejtojë punën që nëse vëren mënyrë të organizuar të rritjes së çmimeve, këtë ta ndërpret.
Me miratimin e Projektligjit pritet të arrihen efekte pozitive në funksionimin e biznesit të të gjithë operatorëve (blerës dhe furnitorë), të cilët janë aktivë në zinxhirin e furnizimit bujqësor dhe ushqimor. Autoritetet presin t’i jepet fund konkurrencës së pandershme në tregti dhe se ky ligj do të sjellë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Në datën 29 të muajit të kaluar ka përfunduar masa për çmimin e garantuar të disa produkteve ushqimore si buka, qumështi, kosi, makaronat, disa produkte mishi, si dhe pijet joalkoolike dhe birra. Nuk është në fuqi as vendimi i qeverisë, me të cilën u ulën tarifat e importit për perimet.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve