Lajme nga vendi
“20%” nuk paraqet pengesë për Bullgarët, duhet vetëm vullnet i politikanëve
Edhe pse në fillim dukej se shqiptarët do të ishin të gjithë për ndryshimet Kushtetuese që kërkohen nga Bashkimi Evropian, së fundmi partitë opozitare shqiptare kanë thënë se nuk do të votojnë “blanko” për këto ndryshime nëse nuk plotësohet edhe kërkesa që gjuha shqipe në Kushtetutë të mos quhet “gjuhë e popullatës që e flasin më shumë se 20 për qind e popullatës”. Kjo kërkesë që duket shumë e logjikshme dhe që nuk duhej të bëhet fjalë është bërë top temë dhe kërkesa kryesore për veprimet e ardhshme të opozitës. A është ky një kërcënim serioz dhe sa ka forcë opozita t’iu thotë jo këtyre ndryshimeve!, shkruan Zhurnal.mk
Opozita nuk garanton votën “për” ndryshimet kushtetuese
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka thënë se nuk garanton që do të votojë ndryshimet kushtetuese nëse nuk ka propozim që të zëvendësohet 20 përqindëshi me gjuhën shqipe. Kasami kur flet për këtë çështje, mundohet ta artikulojë atë si kërkesë të opozitës. Ai thotë se edhe brenda “Grupit të zjarrit” dhe partive tjera opozitare ka një frymë të mirëfilltë bashkëpunimi dhe kjo mund të reflektohet në kushtëzimin e votimit të Kushtetutës.
Nga ana tjetër, tre deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi që janë pjesë e “grupit të zjarrit” brenda BDI-së, kanë inicuar ndryshime kushtetuese sa i përket çështjes bullgare por edhe për heqjen e përkufizmit 20 përqind sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe.
Me këtë nismë edhe njëherë ky grup riafirmon qëndrimin se janë pro ndryshimeve kushtetuese sa i përket çështjes bullgare dhe rrjedhimisht qëndrojnë fuqishëm në rrugën evropiane. Por njëkohësisht vlerësojnë se është momenti politik që përkufizimi 20 % për gjuhën shqipe të hiqet nga Kushtetuta sepse fundja Kushtetuta nuk hapet çdo ditë dhe tani është rasti që njëkohësisht zbatimin e gjuhës shqipe të vendoset në vendin e merituar.
Aktualisht, gjuha shqipe në kushtetutë përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Kërkesa e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut është që gjuha shqipe të definohet qartë si gjuhë zyrtare e shtetit, sepse “nuk është në rregull që të kemi gjuhë me përqindje”.
Aleanca dikur insistonte, tani nuk është më e heshtur!
Kur Aleanca për Shqiptarët ishte në opozitë thoshte se nuk do t’i mbështesin ndryshimet e tilla nëse nuk rregullohet, sipas tyre, padrejtësia që i bëhet gjuhës shqipe.
Ilmi Aziri, deputet i kësaj partie kishte thënë se ne kemi theksuar se në momentin që do të bëhet qeveria e zgjeruar, do të jetë edhe numri i mjaftueshëm prej 120 deputetësh që mundëson edhe intervenimin në kushtetutë dhe të largohet ky definim ofendues. Aq më tepër kur të gjitha partitë politike, të paktën në aspektin deklarativ, kanë thënë se nuk pajtohen me definime të tilla dhe se janë të gatshme për t`iu qasur ndryshimeve kushtetuese, për të eliminuar këtë përkufizim.
Por pas hyrjes në qeveri, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, që vjen nga kjo parti ka thënë se prioritet i grupit të punës do të jetë preambula, por temë debati do të ketë edhe për gjuhën shqipe për përkufizimin e së cilës pret të ketë zgjidhje.
“Në grupin e punës prioritet mbetet preambula, mirëpo aty do të hapen të gjitha temat, përfshirë edhe këtë që u përmend, definimi i gjuhës shqipe. Por, ne do të procesojmë vetëm ato tema, për të cilat do të arrihet numri i nevojshëm i votave dhe unë shpresoj se edhe kjo çështje, e cila na prek neve si shqiptarë, do të marrë vëmendjen e duhur dhe zgjidhjen e duhur ligjore. Besoj se kjo dhe çështje tjera që unë i kam kërkuar, do të mund futen në pakon e ndryshimeve kushtetuese dhe ato të votohen”, ka deklaruar Lloga.
Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari ka thënë se partitë maqedonase duhet t’i përmbahen një premtimi që kanë dhënë në vitin 2019 për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit) në vitin 2019 kishim premtime nga të gjitha partitë maqedonase se në hapjen e ardhshme të Kushtetutës gjuha shqipe do të jetë [gjuhë]zyrtare, apo se nuk do të jetë si gjuhë në numër prej ‘20 për qind’ por si fjalë, ‘gjuhë shqipe’. Besoj se ne do të shkojmë deri në fund me këtë kërkesë”, tha Taravari.
Kryeministri është kundër!
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se prioritet do të ketë vetëm pjesa e preambulës, për përfshirjen e pakicës bullgare në të, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Sofjen.
“Unë mendoj se ne kemi një prioritet. Në Kuvend kemi miratuar një kornizë negociuese që është pranuar edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët. Ne do të shohim se si do të rrjedhin bisedimet, por vlerësojmë se hapja e kapitujve dhe vazhdimi i rrugës së integrimit në BE deri në vitin 2030 është prioriteti ynë kryesor”, ka deklaruar Kovaçevski.
Në të njëjtën vijë të mendimit është edhe kryetarja e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, Margarita Caca-Nikollovska, e cila ka thënë se grupi i punës për ndryshime kushtetuese nuk ka mandat të diskutojë për ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, e cila në aktin më të lartë juridik në vend njihet si gjuhë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullsisë që jeton në këtë shtet.
Nikollovska ka deklaruar për mediat maqedonase se mandati i grupit të punës është i kufizuar dhe se nuk do të ketë lëvizje nga ajo që është ngarkuar nga Qeveria Maqedonisë së Veriut.
A mund të thotë “jo” opozita
Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat, apo me 80 nga 120 votat e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare aktualisht ka 74 vota, që do të thotë se pa votat e opozitës ndryshimet nuk mund të bëhen as për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.
Duke e pasur parasysh situatën politikë në rajon, sidomos tani kur kemi trazira dhe tensione në Veriun e Mitrovicës, mesazhet e ndërkombëtarëve janë të qarta se nuk duan trazira të reja në Ballkan. Mesazhet e ndërkombëtarëve, e sidomos amerikanëve janë se nuk duan kokë dhimbje shtesë në Ballkan, sepse prioritet kryesor është fitorja në luftën në Ukrainë kundër Rusisë. Maqedonia e Veriut është gjithashtu një plagë që mund të rihapet çdoherë, prandaj ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që të krijohet destabilitet politik. Është shumë e pranueshme dhe logjike që “gjuha shqipe” të mos konsiderohet më gjuhë e “20 përqindëshit”, por për këtë duhet të mos ketë kundërshtime nga asnjë parti politike, e që aktualisht VMRO DPMNE haptas është kundër. Andaj, duke pasur parasysh këtë situatë, do të luhet deri në fund në kartën “tërhiqe e mos e këput” me qëllim që të gjitha palët të jenë të kënaqura. Nëse sigurohen vota për ndryshime kushtetuese edhe nga opozita maqedonase, atëherë “gjuha shqipe” do të duhet të pres për një kohë më të mirë!, shkruan Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Fetai: Me mbështetjen e SHBA-së dhe vullnetin tonë të palëkundur do të ndërtojmë institucione të forta
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, sot bashkë me ambasadoren e SHBA-së në Shkup, Angela Aggeler ka marrë pjesë në një konferencë rajonale të organizuar nga Ambasada Amerikane në luftën kundër korrupsionit.
Zëvendëskryeministri Fetai ka shkruar se kjo ngjarje është një mesazh i fuqishëm se transparenca, llogaridhënia dhe shteti i së drejtës mbeten prioritete të përbashkëta për të gjithë ne.
“Korrupsioni është një pengesë madhore për drejtësinë, zhvillimin dhe barazinë në çdo shoqëri. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa konkret për të forcuar mekanizmat kundër epidemisë së korrupsionit, përfshirë auditimet sistematike, ndryshimet ligjore dhe rritjen e bashkëpunimit me institucionet relevante. Angazhimi ynë është i qartë: askush nuk është mbi ligjin”, ka shkruar Fetai.
Ai ka shtuar se kjo betejë kërkon përkushtim të gjithanshëm, nga qeveritë dhe qytetarët. Gjithashtu Fetai shtoi se me mbështetjen e partnerëve si SHBA dhe vullnetin tonë të palëkundur, do të ndërtojmë institucione të forta dhe një shoqëri të bazuar në integritet dhe drejtësi.
“Së bashku, mund të arrijmë ndryshimin që meritojnë qytetarët tanë”, ka nënvizuar Fetai.
Lajme nga vendi
Zeqirija Ibrahimi: Nuk e largojmë askënd nga puna pse është punësuar nga BDI-ja
Lideri i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, gjatë një takimi me strukturat dhe aktivistët e Alternativës në Kumanovë, theksoi rëndësinë e ruajtjes së njerëzores në raport me hallet dhe dertet e qytetarëve.
“Kemi plot raste. Në Shkup, kishim një rast me Bashkimin, ku vjen dikush me hall, i cili ishte punësuar nga BDI-ja. Ai ishte invalid dhe na pyeti: ‘A duhet të bëhem anëtar i Alternativës që të mos humbas vendin e punës?’ Ishte një njeri i verbër dhe në gjendje të rëndë. I thashë: ‘Nuk ka nevojë të bëhesh anëtar i Alternativës. Rri aty ku je, nuk do ta humbasësh vendin e punës,’” tha Ibrahimi ndër të tjera.
Ai nënvizoi se Alternativa mbetet e përkushtuar për t’i trajtuar qytetarët me ndershmëri dhe drejtësi, pa marrë parasysh përkatësinë politike të tyretheksohet në kumtesën e Alternativës.
Lajme nga vendi
Viti 1908/ Konstitucioni (leja për gjuhën shqipe) dhe kongresi i Manastirit, si u pasqyrua dhe si ndikoi në mediat e kohës
Petro Nini Luarasi: Gjethi fletë-njomë i diturisë u çel, pemët zemër shqipëtare lulëzuan dhe shqipëtari i tartarosur prej dimërit të shkuar u tunt, u shkunt, u shëndosh dhe njohu në ç’hon qe hedhur e dënuar për vdekje, i zgjuar po vrapon me çape trimi në rrugën qe e kren në shesh të pranverës
Unifikimi i abetares u konsiderua emergjencë nga atdhetarët e viteve të para të shekullit të XX. Çështja e ABC-së ishte problematikë me të cilën ndeshej edhe shtypi i kohës, sepse gazetat apo revistat e para në shqip përdorën shkronja të ndryshme patën vështirësi për të siguruar shkronjat. Në këto kushte, në vitin 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Në faqen 34 të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1909 gjejmë artikullin për rëndësinë e Kongresit të Manastirit:
“Është një nga ngjarjet e mëdha për kombin shqiptarë, kjo mbledhje që u mbajt që me 1 gjër me 10 të vjeshtës së tretë. Ky kongres u mblodh për t’i dhënë fund çështjes së “ABC”-së, për të vendosur që të shkruhet gjuha shqipe me një palë shkronja e jo si deri tani që çdo njeri e ngrehte abc-në siç i donte qefi.
Në kongresin e Manastirit morën pjesë 32 delegatë të nderuar, nga 22 qytete, klube dhe shoqëri të Shqipërisë dhe jashtë saj (Amerikë, Bukuresht, Kostancë, Sofie, Egjypt etj). 32 delegatët zgjodhën 11 prej tyre dhe ngritën një komision. Ky komision i dha fund diskutimit për abc-në duke zgjedhur abetaren e Stambollit me pak ndryshime (ë, e, p, x). Bashkë me këto shkronja, kongresi vendosi të përdorte edhe një abetare tjetër latine, dmth me 25 letra duke bashkuar dy letra bashkë për ata zëra që mungojnë në abc-të latine.”
Pas Kongresit të Manastirit, në mbarë trevat shqiptare dhe jashtë tyre, u përhapën me ritme të shpejta klubet kulturore. Paralelisht po avanconte edhe hapja e shkollave shqipe. Në “Kalendarin Kombiar” të vitit 1909 është botuar edhe një artikull që informon pikërisht për iniciativat që po merrnin atdhetarët e shquar në organizimin e shoqërive të ndryshme kulturore.
“Me tu shfaqur konstitucioni, (leja për gjuhën shqipe), shqiptarët me të dy duart zunë të punojnë për gjuhën e tyre duke çelur shkolla dhe klube. E para shkollë u çel në Elbasan një javë pas shpalljes së konstitucionit. Pas saj, erdhi hapja e shkollës së Tiranës, pastaj erdhën me rradhë ato të Korçës, Beratit, Kolonjës etj. U çelën pesë klube të mëdhenj në Stamboll, Selanik, Egjipt, Manastir dhe Janinë. U hapën edhe 10 të vegjël në Elbasan, Tiranë, Korçë, Berat, Vlorë, Delvinë, Gjirokastër, Filat etj.” Pas përcaktimit të alfabetit shqip dhe hapjes së shkollave të para, në vitin 1909 u hodhën hapa të rëndësishëm edhe në zhvillimin e medias. Në artikullin me titull “Gazeta Shqip”, pasqyrohen titujt e gazetave që u botuan menjëherë pas Kongresit të Manastirit si: “Liria”, “Bashkimi”, “Korça” e gazeta “Rrufeja”, të gjitha të përjavshme në gjuhën shqipe.
Pavarësisht lejimit të gjuhës shqipe, përndjekja ndaj atdhetarëve shqiptarë ishte shtuar, edhe pse Perandoria Osmane ishte në grahmat e fundit. Pikërisht në këtë kohë kishte nisur të botohej gazeta “Drita” në Sofje, e drejtuar nga Petro Nini Luarasi. Në artikullin e botuar në maj të vitit 1909, duket optimizmi që kishte kapluar faktorin shqiptar në të gjitha dimensionet.
Artikull i publikuar në gazetën “Drita” me autor Petro Nini Luarasi
“Hop’ i dimërit që hoqi shqipëtari në katërqind vjet e tehu qe i ftohtë, i hidhur, fatkeq e prishës… Dimëri është në të përcjellë dhe pranvera afroi për gjithë shqiptarët. Lum’ ata që nuk e flakërinë shpresën po muar në kurajë të këqijat e dimërit, se pranverën do ta shohën me shijen më t’ëmbëlë. Gjethi fletë-njomë i diturisë u çel, pemët zemër shqipëtare lulëzuan dhe shqipëtari i tartarosur prej dimërit të shkuar u tunt, u shkunt, u shëndosh dhe njohu në ç’hon qe hedhur e dënuar për vdekje, i zgjuar po vrapon me çape trimi në rrugën qe e kren në shesh të pranverës… Komiteti shqiptar për shpëtimin e mëmëdheut po na thërret. Le të sulemi për qëllim të shenjtëruar… Atë që na ndihmon në hallin tënë le ta kemi për nder për jetë, po atë që na ndalon ta shkelmojmë.”
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve