Lajme nga vendi
FIZHT: Fillon vendosja e laboratorëve për hulumtim, krijim dhe novacion „MakerSpace“

Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik nënshkroi marrëveshjet për realizimin e katër projekteve të: Universitetit të Evropës Juglindore, Universitetit “Goce Dellçev” Shtip, Universitetit të Tetovës dhe Shoqatës së qytetarëve “Shoqëria Biologjike e Maqedonisë” Shkup, të cilat janë përzgjedhur për bashkëfinancim në kuadër të “Sfidës për vendosje të laboratorëve për hulumtim, krijim dhe inovacion MakerSpace”, informojnë sot nga FIZHT.
“Me vendosjen e katër laboratorëve të rinj, hulumtuesit dhe krijuesit e rinj nga sot kanë në dispozicion laboratorë të rinj bashkëkohorë të pajisur me teknologjinë dhe pajisjet më të fundit, ku do të mund të punojnë lirshëm në inovacionet dhe zgjidhjet e tyre kreative. Këta laboratorë përfaqësojnë një hapësirë të hapur ku të rinjtë do të kenë mundësi të bashkëpunojnë me sektorin privat, institucionet e arsimit të lartë dhe shkencor, biznesin dhe sektorin joqeveritar”, bëhet e ditur në kumtesë.
“Jam shumë i lumtur që investimi i fundit i FIZHT paraqet një hap të madh për arsimin dhe shkencën maqedonase, sepse nga sot inovatorët e rinj nga i gjithë vendi do të kenë mundësinë të zhvillojnë inovacionet dhe aftësitë e tyre në kushte të reja dhe më të mira. FIZHT si institucion fokusohet në mbështetjen e inovatorëve dhe sipërmarrësve dhe ne vazhdimisht punojmë drejt krijimit të kushteve më të mira për të rinjtë që të kenë mundësinë të fitojnë aftësitë dhe përvojat e nevojshme pikërisht këtu, në vendin tonë. Me këtë lloj aktiviteti, FIZHT kontribuon ndjeshëm në ngritjen e një sistemi heliks të katërfishtë që nënkupton bashkëpunim të ngushtë midis komunitetit akademik, industrisë, sektorit civil dhe sektorit publik. Ky bashkëpunim do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të potencialeve inovative në të gjitha segmentet shoqërore dhe kushte më të mira për të rinjtë për të përmirësuar aftësitë dhe potencialin e tyre”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik.
Siç bëhet e ditur në kumtesë, sfida “MAKERSPACE” është vazhdimësi e projektit pilot FAB LABS përmes të cilit krijuam një mekanizëm për ngritjen dhe mbështetjen e këtij lloji të laboratorëve. Përmes kësaj sfide, FIZHT me mbështetje financiare prej 12 milionë denarë mbështeti tre projektet: CIRKO, FEIT dhe INO TECH CLUB SHTIP, të cilët tashmë kanë hapur dyert për hulumtuesit e rinj që të punojnë në zgjidhjet e tyre inovative.
Laboratori “Architecture craft lab (Fumihiko Maki)” është një projekt i Universitetit të Evropës Juglindore, me synimin për të inkurajuar hulumtime të avancuara në lidhje me dizajnin arkitekturor, dizajnin urban, vizualizimin e të dhënave, materializimin dhe përpunimin digjital. Laboratori do të jetë një platformë për bashkëpunim mes disiplinave të ndryshme të universitetit, duke lidhur shkencën dhe artin përmes eksperimentimit. Laboratori do të jetë i hapur për studentët e Universitetit të Evropës Juglindore, pra studentët e Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive Moderne, si dhe të interesuar të tjerë, përfshirë nxënës të shkollave të mesme, të frymëzuar për të zbuluar përfitimet e zonës.
Universiteti “Goce Dellçev” nga Shtipi do të vendosë laboratorin për hulumtim, krijim dhe inovacion “UGD Makerspace”, në të cilin të rinjtë nga mosha 15 deri në 29 vjeç, pavarësisht nga statusi i tyre, do të kenë qasje falas në teknologjinë më moderne dhe asistencë mentoruese, në mënyrë që ata të mund të dizajnojnë, zhvillojnë dhe testojnë idetë e tyre deri në marrjen e një prototipi. Laboratori “UGD Makerspace” do të zbatojë disa programe: organizimin e një programi para inkubator cilësor dhe të përshtatur, programin MakeIt Talent, programin MakeIT BakeIT, si dhe programin MakeIT Equal. Laboratori do të fokusohet në disa sektorë prioritarë me interes, konkretisht: inkurajimi i inovacionit dhe ekonomisë rrethore brenda industrisë prodhuese, inkurajimi i inovacionit dhe forcimi i ekonomisë rrethore në sektorin AgriTech, inkurajimi i inovacionit në monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit të sektorit jetësor dhe mjedisit të punës.
Nga FIZHT shtojnë se “laboratori për siguri kibernetike dhe forenzikë digjitale do të themelohet nga Universiteti i Tetovës, i cili do të simulojë një mjedis profesional për forenzikën digjitale dhe sigurinë kibernetike dhe do të pajiset me pajisjet e nevojshme për sigurimin dhe analizimin e provave digjitale, pa lënë gjurmë nga analiza e kryer. Me këtë projekt të rinjtë do të edukohen për kryerjen e hetimeve feronzike të pajisjeve digjitale me qëllim përmirësimin e sigurisë, parandalimin e abuzimeve brenda një ndërmarrje, kryerjen e hetimeve ndaj ish-punonjësve, vjedhjet e pronësisë intelektuale, mesazhet kërcënuese me e-mail etj”.
“Shoqata e qytetarëve Shoqëria Biologjike e Maqedonisë nga Shkupi do të themelojë laboratorin “Bio Maker Space”, i cili do të konceptohet si një kompleks multidisiplinar, i dizajnuar për të siguruar komunikim ndërmjet individëve dhe ekipeve dhe do të mundësojë ndarje strategjike të pajisjeve me qëllim të përshpejtimit të procesit të hulumtimit, marrjen e njohurive të reja dhe prezantimin e tyre. Laboratori do të fokusohet në fushat e mëposhtme: bioinxhinieria, printimi 3D (bio), prodhimi i ushqimit duke përdorur teknologjinë in vitro, hulumtimi mbi metabolizmin e organizmave të ndryshëm, ekotoksikologjia, elektrofiziologjia, biologjia molekulare, teknikat dhe procedurat për kulturën dhe indet e qelizave in vitro”, shkruan në kumtesën e FIZHT-së.
Lajme nga vendi
Motiçikleta del nga rruga në mes fshatrave Kopanica dhe Bojanë, shoferi vdes në vend, pasagjeri lëndohet rëndë

Më 16.04.2025, rreth orës 18:25, në SPB Shkup është raportuar se në rrugën lokale fshat Kopanica – fshat Bojanë, Shkup, një motoçikletë “Suzuki” me targa të Shkupit, e drejtuar nga S.S. (38) nga fshati Bukoviq, Shkup, ka dalë nga rruga.
Për shkak të lëndimeve të marra, drejtuesi i motoçikletës ka ndërruar jetë në vendngjarje. Një mjek i Shërbimit të Ndihmës Urgjente ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Pasagjeri S.J. (41) nga fshati Kopanica, Shkup, ka pësuar lëndime të rënda, të cilat janë konstatuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Tereza”.
Një hetim ka pasuar nga prokurori publik dhe ekipi i hetuesve të SPB Shkup.
Lajme nga vendi
LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski se po kryen terror politik

LSDM akuzon VMRO-DPMNE-në dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski se po kryen terror politik me qëllim që të mbrohen zyrtarët e pushtetit nga përgjegjësia për tragjedinë e Koçanit, në të cilën humbën jetën 61 persona. Opozita, thekson se zyrtarët policorë nga Koçani e Shtipit të cilët janë përfshirë në hetimin e Prokurorisë janë të periudhës së kaluar, ndërsa ata që kanë qenë në detyrë natën e kobshme, sipas tyre as nuk përmenden.“Si nuk u gjend asnjë i dyshuar nga kryeshefët aktual dhe zyrtarët aktual të MPB-së në Koçan dhe Shtip të cilët kanë qenë përgjegjës të drejtpërdrejtë për sigurinë natën e kobshme. Pse për shembull kryeshefja e Sektorit për Punë të Brendshme në Koçan Marija Cvetkovska Manevska nuk është në mesin e të përfshirëve me hetimin? Pse kryeshefi i Krim Policisë në Koçan Tomo Donev, nuk është në mesin e të arrestuarve? Si është e mundshme as kryeshefi i SPB Shtip e as kryeshefi i Krim Policisë në Shtip, gjithashtu të mos jenë të përfshirë në hetim. Ministër Toshkovski, a keni pak ndërgjegje? Ju po kryeni terror dhe ndjekje politike vetëm për t’i mbrojtur ata që ju i keni emëruar dhe vendosur”, deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.Për drejtësi selektive akuzon edhe BDI-ja opozitare, e cila thekson se hetimi është hakmarrje politike, por që kamuflohet si drejtësi. Sipas integristëve, përgjegjësia po kërkohet në mënyrë selektive dhe ka për qëllim eliminimin politik.“U mor një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim – një person që prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike…Kjo tashmë nuk është çështje individuale – por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, që po shndërrohet në instrument për presion dhe eliminim politik…Kjo nuk është drejtësi – kjo është politikë e kamufluar si gjyqësor…BDI nuk mbron individë – por mbron drejtësinë si parim – të barabartë për të gjithë”, thonë nga BDI.Ndryshe, ka shkuar në 62 numri i viktimave nga tragjedia në Koçan. Një pacient që po trajtohej në Beograd ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme. Informacionin e kanë kon!rmuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Kujtojmë se disa të lënduar nga zjarri që shpërtheu në diskotekën “Puls” më 16 mars të këtij viti, vazhdojnë të kurohen jashtë shtetit.Tragjedia në Koçan,Opozita me akuza ndaj pushtetit.
Lajme nga vendi
Ahmeti kërkon nga VLEN të braktisë qeverinë anti-shqiptare

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nga Likova ku ka përuruar ujësjellësin, ka deklaruar se shqiptarët nuk janë hyzmeqar dhe argat në Maqedoni, ngase shteti u takon edhe shqiptarëve. Ai tha se me vasalë dhe hyzmeqarë nuk mund të bëhet shteti.“Nuk kemi kërkuar ma shumë nga përfaqësues që hiqen si legjitim që i përfaqësojnë shqiptarët por ta mbajnë situatën aty ku e lamë ne. E di që për kryeministër edhe 10 jetë me i pas këta smunden me e realizu. Ne e morëm nga zero dhe e lamë këtë shtet me kryeministër shqiptarë…Le ta braktisin qeverin anti-shqiptare Nuk është më Maqedonia e viteve para 2000…Maqedonia është e pas viteve 2000 e kemi larë me gjak çdo pëllëmbë të këtij vend, historinë më të re të Maqedonisë… nuk do të ju dëshpërojmë por do të jemi dalë Zotë, të vërtetë të atyre mal sakrificave që kanë bërë shqiptarët për t jetuar të lirë”, ka deklaruar Ahmeti.Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk ka komentuar zhvillimet e fundit brena koalicionit VLEN me arysetimin se është kryetar partie dhe jo komentator i zhvillimeve politike.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve