Lajme nga vendi
Durmishi: Kontrolli i kushteve minimale teknike për punë do të kryhet para dhënies së licencës për punë

Ministria e Ekonomisë dhe Punës, si institucion përgjegjës edhe për sektorin e hetelierisë, që nga dita e parë e kësaj ngjarjeje tragjike ka qenë e gatshme për bashkëpunim të plotë me organet kompetente. Si Ministri, kemi ofruar mbështetje të plotë në të gjitha procedurat ligjore, duke siguruar që çdo shkelje e ligjit dhe çdo keqpërdorim të sanksionohet siç duhet, njoftoi sot ministri Besar Durmishi.
Ai infirmoi për të gjitha kompetencat që ka Ministria e Ekonomisë dhe Punës në lëshimin e licencave, si dhe për masat dhe zgjidhjet ligjore që do të ndërmerren dhe që janë në kompetencën tonë.
Në pjesën e lëshimit të licencave, sipas Ligjit për Veprimtarinë Hotelierike, për të funksionuar si klub nate, kabare, disko-klub apo disko-klub në hapësirë të hapur, është e detyrueshme të posedohet licencë valide. Këtë licencë e lëshon Ministria e Ekonomisë dhe Punës pas paraqitjes së kërkesës për lëshimin e licencës, në formularin për pagesën e tarifës për shërbime.
Durmishi theksoi se bashkë me kërkesën, duhet të dorëzohet edhe dokumentacioni në vijim:
1.Vendimi për regjistrim në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut (origjinal, jo më i vjetër se 6 muaj);
2.Vendimi i këshillit komunal për përcaktimin e tarifës për kabare, klub nate, disko-klub dhe disko-klub në hapësirë të hapur;
3.Aplikacioni për përmbushjen e kushteve minimale teknike për zhvillimin e veprimtarisë hoteliere (kopje);
4.Pëlqimi nga organi i administratës shtetërore kompetent për punët nga sfera e punëve të brendshme, që konfirmon përmbushjen e kushteve për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurinë e trafikut (origjinal).
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, duke vepruar mbi kërkesën e dorëzuar, shqyrton dokumentacionin që përmban akte dhe dokumente të lëshuara nga institucione të tjera dhe, bazuar në to, nëse plotësohen kushtet, është e obliguar të lëshojë Licencën për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere për klub nate, kabare, disko-klub dhe disko-klub në hapësirë të hapur, me afat vlefshmërie prej 1 (një) viti.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës, shtoi ministri nuk është kompetente dhe nuk ka mekanizëm për të kryer inspektim, mbikëqyrje apo kontroll në objektin ku do të ushtrohet veprimtaria. Sa i përket shumës së tarifës që duhet të paguajë ushtruesi i veprimtarisë, atë e përcakton këshilli komunal.
Tarifa paguhet 50 për qind në llogarinë e komunës dhe 50 për qind në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Si shtojcë e kërkesës, formulari i quajtur “Aplikacion për përmbushjen e kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere” është një dokument që subjekti juridik e plotëson me të dhënat bazë të kërkuara, duke përfshirë informacionin për subjektin, veprimtarinë, hapësirat sanitare për mysafirët, dispozitat e veçanta për të punësuarit, kapacitetin e hapësirës së shërbimit, sistemin e ventilimit, numrin e daljeve të emergjencës dhe kritere të tjera të rëndësishme.
Me këtë, subjekti deklaron se të dhënat e dhëna në aplikacion janë të vërteta dhe formularin e dorëzon në njësinë rajonale të Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Sa i përket Pëlqimit nga organi kompetent i administratës shtetërore për punët e brendshme, që konfirmon përmbushjen e kushteve për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurinë e trafikut, aplikuesi mund të paraqesë kërkesë për këtë pëlqim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nëse nuk e dorëzon vetë, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, me detyrim zyrtar, do t’i drejtohet MPB-së me kërkesë për mendim.
Pas pranimit të mendimit nga MPB, Ministria e Ekonomisë dhe Punës përgatit Licencën për të cilën është paraqitur kërkesa.
Nëse nga MPB merret një mendim negativ në lidhje me përmbushjen e kushteve të lartpërmendura, Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të nxjerrë një Vendim për refuzimin e kërkesës dhe licenca e kërkuar nuk do të lëshohet.
Nëse gjatë periudhës së vlefshmërisë së Licencës (1 vit), MPB konstaton se një subjekt i caktuar ka ndryshuar ose nuk i përmbush kushtet për të cilat është kompetent të kryejë kontroll dhe mbikëqyrje, do të njoftojë Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, pas së cilës ministria do të nxjerrë Vendim për revokimin e Licencës së lëshuar.
“Çdo subjekt juridik, pavarësisht nga veprimtaria për të cilën është i regjistruar, përfshirë të gjitha objektet hoteliere, para fillimit të punës është i detyruar të dorëzojë Aplikacion ose Njoftim për fillimin e punës tek: Kryetari i komunës, Inspektorati i Punës, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (nëse përgatit dhe shërben ushqim), Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe institucione të tjera kompetente, të përcaktuara me ligjet pozitive në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, potencoi Durmishi.
Pas dorëzimit të këtij dokumentacioni të detyrueshëm, subjekti mund të paraqesë kërkesë për marrjen e Licencës për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere në një klub nate, kabare, disko-klub dhe disko-klub në hapësirë të hapur.
Ministri Dumishi theksoi se dëshiron të informoj se në mbledhjen e qeverisë të mbajtur më 18 mars, Ministria e Ekonomisë dhe Punës u ngarkua të fillojë përgatitjet për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Veprimtarinë Hoteliere.
“Këto ndryshime do të mundësojnë që verifikimi i kushteve minimale teknike për punë të kryhet përpara lëshimit të licencës për punë. Me këtë, Aplikacioni për përmbushjen e kushteve minimale teknike për ushtrimin e veprimtarisë hoteliere, para se të dorëzohet si dokument shoqërues në kërkesën për licencë, do të duhet të ketë konfirmim për vërtetësinë e tij nga Inspektorati Shtetëror i Tregut”, shtoi ai.
Në fund, theksoi se dëshiron të përcjell mesazhin se Ministria e Ekonomisë dhe Punës është e përkushtuar të sigurojë respektimin e ligjit dhe se çdo person që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
“Qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar në mënyrë të saktë dhe të kërkojnë llogaridhënie. Përgjegjësia ka emër dhe mbiemër, dhe pres që të gjithë personat përgjegjës të ndëshkohen. Drejtësia duhet të vihet në vend”, shtoi ai.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve