Për tre javë që kur ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partitë politike në Kosovë janë gjobitur me 400 mijë euro për shkelje në fushatë, transmeton Anadolu.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjobiti partitë politike 88 herë në vlerë prej 433.900 euro që nga fillimi i fushatës me 11 janar.
Shkeljet e evidentuara nga PZAP kanë të bëjnë kryesisht me shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.
Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është subjekti i cili ka shumën më të lartë të gjobave nga të gjitha partitë e certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Kjo parti, mori 21 gjoba nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa në vlerë totale prej 112.500 euro. Pothuajse, të gjitha këto gjoba ndaj LDK-së erdhën pas ankesave të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjobat më të larta të shqiptuara nga ky institucion deri më 31 janar, janë dy raste me nga 20 mijë euro. Një për LDK-në dhe një për koalicionin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA, Konservatorët, Intelektualët.
Partia në pushtet ka numrin më të madh të gjobave nga PZAP. Vetëvendosje ka gjithsej 22 raste, por, të cilat në shumë janë më të ulëta se të LDK-së. Vetëvendosje në total deri më 31 janar ka 101.500 euro dënime. Ankesat për partinë në pushtet u bënë nga partitë opozitare PDK, LDK dhe koalicioni AAK-NISMA.
Gjithashtu, Vetëvendosje është partia e vetme që është gjobitur deri më tani me 2.500 euro për shkak të pengimit të punës së gazetarëve.
Partia politike e tretë me më së shumti raste të gjobave të marra nga PZAP është Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Partia më e madhe opozitare aktualisht, mori 19 dënime nga PZAP me vlerë prej 97.000 euro. Të gjitha rastet e dënimeve ndaj PDK-së, u shqiptuan si rezultat i ankesave të Vetëvendosjes.
Koalicioni AAK-NISMA, u dënua në tetë raste. Nga ankesat që iu aprovuan Vetëvendosjes me vendime të PZAP-së për këtë koalicion, shuma e gjobave deri më 31 janar arrin vlerën e 60.700 euro.
Edhe subjekti i certifikuar për zgjedhjet e 9 shkurtit, “Koalicioni për Familje”, u dënua nga PZAP në pesë raste me shumën totale 25.500 euro. Ankesat që u aprovuan, u bënë nga organizata joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizim” dhe nga Vetëvendosje. Ky koalicion, në pesë raste u gjobit për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes.
Gjithashtu, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, u dënua në tri raste, nga dy ankesat që i bëri partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe një organizatë joqeveritare. Lista Serbe nga fillimi i fushatës deri më 31 janar është gjobitur me 13.500 euro, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes.