Sipas të dhënave të Institutit Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar në Athinë, tërmetet kanë ndodhur mes tre dhe pesë të mëngjesit dhe të katër aktivitetet sizmike janë karakterizuar si “të dobëta”, raportojnë mediat greke.
Në tre ditët e fundit, 550 tërmete janë regjistruar në rajonin midis Santorinit, Amorgos dhe Ios, të gjithë më të fortë se tre të shkallës Rihter dhe më i forti ishte 4.9.
Frika për tërmete të reja ka shkaktuar panik tek banorët e Santorinit, Amorgos dhe ishujve përreth.
Shumë kanë vendosur të largohen nga ishujt, duke çuar në bllokime të mëdha në portet, dhe janë planifikuar tragete dhe rrugë ajrore shtesë për ata që dëshirojnë të largohen.
Për arsye sigurie, shkollat në Santorini, Anafi, Ios dhe Amorgos do të jenë të mbyllura deri të premten.
Një takim është planifikuar edhe për sot në Ministrinë e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile.
Në takim do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve vendore, të Zjarrfikësve, të Rojës Bregdetare, të Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të tjera kompetente.
Zyrtarët kanë vlerësuar se sizmiciteti intensiv në rajon mund të zgjasë edhe për disa ditë apo edhe javë, dhe Manolis Skordilis, profesor i sizmologjisë në Universitetin Aristotele të Selanikut, vlerësoi se situata në Santorini është jashtëzakonisht e rëndë dhe se tërmetet me magnitudë. mbi gjashtë gradë janë të mundshme.
Porti i ishullit ishte në një gjendje kaosi në agim, pasi shumë familje prisnin të hipnin në tragetin për në Pire. Tragetet Kissamos dhe Blue Star Paros operonin në linja të veçanta.