Lajme nga vendi
Përsëri është bllokuar puna e Komisionit kuvendor për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini
Kryetarja e Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini, Ilire Dauti sot përsëri e ndërpreu mbledhjen pasi deputetja Jovana Trençevska nga LSDM kërkoi si pikë e parë e rendit të ditës të jetë Propozimi i ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe familjet e tyre – Ligjit për branitellat. Në komision duhej të debatohej për Propozimin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin e detyrueshëm pensional të financuar nga kapitali në lexim të dytë.
Në kërkesën e Trençevskës, kryetarja e Komisionit, Dauti theksoi se nuk mundet të vihet në votim propozimi i saj sepse ky propozim-ligj i ka kaluar të gjitha afatet ligjore. Dhe në fund, Dauti e ndërpreu seancën e sotme të Komisionit.
“Debati për këtë ligj është debat për të cilin janë shpjeguar të gjitha palët. Nuk dua të shkoj më tej dhe të hyj në detaje. Ju e dini që propozimi juaj nuk i plotëson kërkesat e Rregullores së Kuvendit dhe ne nuk mund ta pranojmë propozimin tuaj. Ju e dini shumë mirë që ligjet që duhej të kalonin në Komisionin tonë kaluan nëpër komisione të tjera. Nuk e kam vënë re që ju shkoni atje për të bllokuar punën e komisioneve apo seancave plenare kur ato kalojnë. Ju vazhdoni të insistoni në pengimin e punës së këtij Komisioni, edhe pse edhe ju edhe unë, edhe të gjithë e dimë se ai ligj i ka kaluar të gjitha afatet e parapara me Rregulloren e punës. Dhe ligji që propozova për rendin e ditës të seancës së sotme kaloi në seancë plenare”, tha Dauti.
Ajo kërkoi që të mundësohet puna e Komisionit pa pengim. Për këtë foli Trençevska, e cila tha se si deputete sipas Rregullores të Kuvendit ka të drejtë të propozojë që të vihet në rende dite ky Propozim-ligj.
“E kam theksuar disa herë se ligji është ende në sistem dhe nuk është tërhequr. Dhe në përputhje me nenin 131 të Rregullores së Kuvendit, rendi i ditës së seancave dhe pjesa e punës përcaktohet në fillim të seancës, ashtu siç e keni filluar dhe në rend dite mund të përfshihen edhe pyetjet e propozuara nga deputetët, kryetari të Kuvendit ose të Qeverisë . Sipas Rregullores, unë kam të drejtë ta fus në rend dite këtë Propozim ligj, ndërsa ju keni obligim që këtë propozim timin ta vendosni në votim, kështu që nëse kalon do të jetë në rend dite dhe nëse nuk kalon, pastaj vazhdoni me rendin e ditës që e sugjeruat”, tha Trençevska.
Dauti përsëriti se kërkesa e Trençevskës është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
“Ju vazhdoni me të njëjtin këmbëngulje si më parë, dhe unë duhet të vazhdoj me të njëjtën këmbëngulje si më parë, jo sepse them kështu, por sepse Rregullorja na detyron ta bëjmë këtë. Kërkesa juaj është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, nuk kam mundësi ta bëj as si propozim, sepse po flisni për një ligj që nuk i plotëson kriteret kohore dhe të tjera. Unë po e ndërpres këtë seancë”, tha Dauti.
Lajme nga vendi
Bexheti: Ligji për shkollim të mesëm u tërhoq falë reagimit të popullit
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, ka deklaruar se propozim ligji për shkollim të mesëm është tërhequr falë reagimit të popullit dhe jo nga dëshira e qeveritarëve.
“Propozimi për ligjin për shkollim të mesëm nuk u tërhoq nga dëshira e qeveritarëve pa legjitimitet etnik por u tërhoq falë reagimit të fuqishëm të popullit!
Ky është një shembull i qartë i asaj se çfarë mund të arrihet kur zëri i qytetarëve dëgjohet në Kuvend dhe kur ne qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona.
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, respekti i ndërsjellë dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve janë gurëthemeli për stabilitet, siguri dhe një të ardhme të qëndrueshme.
Cënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria është i papranueshëm!”, ka shkruar Bexheti.
Lajme nga vendi
VLEN: Stopuam ligjin për arsim të mesëm
Pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e koalicionit VLEN, qeveria e tërhoqi ligjin për arsim të mesëm.
“U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN.
Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amandamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë.
Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë.
VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thuhet ne reagimin e koalicionit VLEN.
Lajme nga vendi
Kryetari i Kuvendit të Turqisë të hënën vizitë në Tetovë, do të ketë regjim të veçantë në komunikacion
Me datë 23 dhjetor (e hënë) në Tetovë, me rastin e qëndrimit të delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Madh të Republikës së Turqisë, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovës do të vendosë regjim të veçantë të qarkullimit në zonën qendrore të qytetit në periudhën prej orës 05:00 të mëngjesit deri në përfundim të vizitës zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi i automjeteve nga kryqëzimi i Bërvenicës deri te Universiteti i Tetovës, pastaj në bulevardin e “Ilindenit” nga kryqëzimi me rrugën “Kthesa e Bërvenicës” deri tek Xhamija e Larme, përgjatë rrugës “Kiro Ristoski – Drnc”, rrugën e “Lubotenit” deri tek Arabati Baba Teqe, pastaj rruga “Gjorçe Petrov” dhe “Vëllezërit Miladinovi”.
“SPB Tetovë apelon që qytetarët të hënën (23 dhjetor) të mos drejtojnë automjete në zonën qendrore pa nevojë më të madhe dhe imediate dhe të respektojnë dhe veprojnë sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarëve policorë”, thonë nga SPB Tetovë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve