Lajme nga vendi
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, CIVIL-i kërkon drejtësi dhe veprim të vendosur
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, CIVIL – Qendra për Liri alarmon për realitetin e zi në të cilin të drejtat e njeriut janë nën sulm të ashpër në të gjithë botën. Nga efektet shkatërruese të luftës deri te shtypja e lirive nga regjimet autoritare – parimet e dinjitetit, drejtësisë dhe barazisë shkelen çdo ditë.
Në Ukrainë, agresioni rus zbulon pasojat e tmerrshme të tiranisë së pakontrolluar, ndërsa në Lindjen e Mesme, dhuna dhe shkatërrimi vazhdojnë të bëjnë kërdi dhe të marrin jetë të pafajshme. Krimet e luftës, duke përfshirë shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve, torturën sistematike dhe përdorimin e urisë si armë, po normalizohen në mënyrë alarmante. Këto tragjedi janë pjesë e një sulmi më të gjerë dhe të koordinuar ndaj të drejtave të njeriut, që ushqehet me frikën dhe ndarjen dhe mbyt rezistencën.
Shkatërrimi i shkollave, spitaleve dhe korridoreve humanitare tregon një mospërfillje tronditëse ndaj ligjit ndërkombëtar dhe shenjtërisë së jetës. Këto krime kërkojnë jo vetëm dënim global, por edhe veprim vendimtar dhe të bashkuar për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve kundër njerëzimit, dhe për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë botën.
Pavarësisht këtyre sfidave të vështira, ka arsye për shpresë. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut, gazetarët e pavarur dhe njerëzit e panumërt të zakonshëm vazhdojnë të luftojnë për të vërtetën dhe drejtësinë, duke refuzuar të heshtin. CIVIL-i u bën thirrje qeverive, organizatave dhe individëve demokratikë që të ripërtërijnë angazhimin e tyre ndaj vlerave universale të lirisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Ne duhet të ripërtërijmë përpjekjet për të përmirësuar arsimin, edukimin mediatik dhe angazhimin qytetar si mjete të fuqishme për të luftuar propagandën, urrejtjen dhe ekstremizmin.
Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut, CIVIL-i i fton të gjithë që t’i bashkohen luftës për përgjegjësi, solidaritet dhe ardhmëri në të cilën të drejtat e njeriut mbrohen dhe respektohen nga të gjithë, dhe për të gjithë. Rruga përpara nesh është e vështirë, por është një rrugë që duhet ta ecim së bashku – për të mirën e njerëzimit dhe brezave të ardhshëm. CIVIL- Qendra për Liri
Lajme nga vendi
Bexheti: Ligji për shkollim të mesëm u tërhoq falë reagimit të popullit
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, ka deklaruar se propozim ligji për shkollim të mesëm është tërhequr falë reagimit të popullit dhe jo nga dëshira e qeveritarëve.
“Propozimi për ligjin për shkollim të mesëm nuk u tërhoq nga dëshira e qeveritarëve pa legjitimitet etnik por u tërhoq falë reagimit të fuqishëm të popullit!
Ky është një shembull i qartë i asaj se çfarë mund të arrihet kur zëri i qytetarëve dëgjohet në Kuvend dhe kur ne qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona.
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, respekti i ndërsjellë dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve janë gurëthemeli për stabilitet, siguri dhe një të ardhme të qëndrueshme.
Cënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria është i papranueshëm!”, ka shkruar Bexheti.
Lajme nga vendi
VLEN: Stopuam ligjin për arsim të mesëm
Pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e koalicionit VLEN, qeveria e tërhoqi ligjin për arsim të mesëm.
“U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN.
Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amandamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë.
Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë.
VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thuhet ne reagimin e koalicionit VLEN.
Lajme nga vendi
Kryetari i Kuvendit të Turqisë të hënën vizitë në Tetovë, do të ketë regjim të veçantë në komunikacion
Me datë 23 dhjetor (e hënë) në Tetovë, me rastin e qëndrimit të delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Madh të Republikës së Turqisë, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovës do të vendosë regjim të veçantë të qarkullimit në zonën qendrore të qytetit në periudhën prej orës 05:00 të mëngjesit deri në përfundim të vizitës zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi i automjeteve nga kryqëzimi i Bërvenicës deri te Universiteti i Tetovës, pastaj në bulevardin e “Ilindenit” nga kryqëzimi me rrugën “Kthesa e Bërvenicës” deri tek Xhamija e Larme, përgjatë rrugës “Kiro Ristoski – Drnc”, rrugën e “Lubotenit” deri tek Arabati Baba Teqe, pastaj rruga “Gjorçe Petrov” dhe “Vëllezërit Miladinovi”.
“SPB Tetovë apelon që qytetarët të hënën (23 dhjetor) të mos drejtojnë automjete në zonën qendrore pa nevojë më të madhe dhe imediate dhe të respektojnë dhe veprojnë sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarëve policorë”, thonë nga SPB Tetovë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve