Lajme nga vendi
Shënohet sot Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot është Dita e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 116 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.
Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Lajme nga vendi
Takimi 3 orë i VLEN-it pa marrëveshje

Takimi i mbrëmshëm i krerëve të koalicionit VLEN ka përfunduar pa asnjë rezultat konkret. Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët nuk mori pjesë në bisedimet që u zhvilluan mes liderëve të koalicionit, përfshirë Izet Mexhitin, Bilall Kasamin dhe Zeqirja Ibrahimin. Në tryezën e bisedimeve ishin gjithashtu deputeti i pavarur Bekim Qoku, si dhe dy përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët: deputeti Halil Snopçe dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, raporton Klan Maqedoni.
Takimi, që zgjati më shumë se tre orë, nuk arriti të prodhojë asnjë dakordësi konkrete. Qëndrimet e palëve mbetën të paqarta, pasi njëra palë kërkonte informacione për ndarjen e komunave dhe listave zgjedhore, ndërsa pala tjetër kërkonte garanci të forta që Taravari nuk do të mbështeste BDI-në.
Pavarësisht bisedimeve të gjata, palët janë pajtuar vetëm për një gjë – të zhvillojnë një takim të radhës në ditët në vijim. Më herët gjatë ditës, Taravari pranoi atë që kishte mohuar deri tani: 40% të “kulaçit” të marrë, ndërkohë që kishte deklaruar se ishte informuar vetëm përmes mediave për shkrirjen e VLEN-it në një parti të vetme.
Lajme nga vendi
Ali Ahmeti takohet me ambasadoren e Republikës së Kroacisë

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres Ambasadoren e Republikës së Kroacisë, znj. Nives Tiganj, me të cilën zhvilluam një takim të frytshëm dhe miqësor.
Theksuam rëndësinë e respektimit të Marrëveshjes së Ohrit si një gurthemel për stabilitetin dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend. E vura në dukje zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si një nga rezultatet më të prekshme të kësaj marrëveshjeje historike, dhe nevojën për zbatim të plotë e të barabartë në të gjitha institucionet.
Po ashtu diskutuam mbi rrugëtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë mbi bashkëpunimin përmes projekteve Twinning, të cilat përbëjnë një urë të rëndësishme për afrimin me standardet evropiane. Realizimi i 18 projekte aktive të përbashkëta mes vendit tonë dhe Kroacisë, kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e institucioneve dhe përgatitjen për integrimin evropian.
Falënderoj Shkëlqesinë e Saj për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë në rrugëtimin tonë evropian dhe për partneritetin e sinqertë mes dy vendeve tona” ka shkruar Ahmeti
Lajme nga vendi
Çairi po ndryshon çdo ditë vijojnë punimet në rrugën “Nexhat Agolli”

Në rrugën “Nexhat Agolli” kanë vijuar punimet infrastrukturore me fillimin e gryrjes së asfaltit, pas përfundimit të instalimit të rrjetit të ri të kanalizimit fekal.
Ky proces është pjesë e përgatitjeve për vendosjen e rrjetit të ri të ujësjellësit, nga i cili do të përfitojnë mbi 50 amvisëri të zonës. Pas përfundimit të instalimeve nëntokësore, do të realizohet edhe asfaltimi përfundimtar i rrugës.
Ky projekt është pjesë e investimeve të vazhdueshme që Komuna e Çairit po realizon në funksion të modernizimit të infrastrukturës publike dhe përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët.
Çairi po ndryshon çdo ditë, me projekte konkrete dhe zbatim të përgjegjshëm institucional.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve