Lajme nga rajoni
Kosova kundër zgjidhjeve që prekin territoret

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023. BE-ja, në anën tjetër, ua ka bërë me dije se rruga e tyre drejt integrimit evropian, varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve. Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm” dhe se do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet
Për Qeverinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim. Ajo thotë se ka qenë dhe është kundër idesë së tillë. “Qeveria e Kosovës refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial”, thotë zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë. Ideja u riaktualizua javën e kaluar, kur kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, u deklarua kundër saj. “Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, tha Kos në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian. Po atë javë, zgjedhjet presidenciale në SHBA i fitoi ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili do ta marrë mandatin nga janari i vitit të ardhshëm.
Në administratën e parë të Trumpit, nga viti 2017 deri më 2021, ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse dy palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, ka thënë Bolton në gusht të vitit 2018. Po atë muaj, edhe vetë presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpalosur në një forum në Austri idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Ngjashëm, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Ndonëse asnjëri nuk ka ofruar propozime konkrete, është përfolur që veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, të shkëmbehej me jugun e Serbisë, ku jeton popullatë shqiptare. Këto ide, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi kanë hasur në reagime për dhe kundër.
Edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, Britania dhe Gjermania, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim. Këtë qëndrim ka sot Qeveria e Kosovës, e cila thotë se përpjekja eventuale për ndarje të Kosovës, nën petkun e shkëmbimit territorial, “nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan”.
Për James Ker-Lindsayn, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, përmendja e idesë për shkëmbimin e territoreve tani, bazohet vetëm në spekulime dhe asgjë konkrete. “Kjo ishte në agjendë më herët [në administratën e parë të Trumpit]. Mendoj se nuk ka asnjë justifikim se po flitet diçka [rreth kësaj teme]”, thotë Ker-Lindsay për Radion Evropa e Lirë. “Mendoj se shumëçka do të varet se kush do të jetë në krye të ekipit të tij për politikë të jashtme dhe nëse ata do të jenë të interesuar për Ballkanin”, shton ai. Trump, sipas tij, është i interesuar “vetëm aty ku mendon se mund të arrijë marrëveshje që mund ta bëjnë të duket mirë”. “Dhe, nëse mendon se Ballkani nuk i ofron diçka të tillë dhe nuk e ka askënd përreth që i thotë se mund të bëjmë diçka në Ballkan, ai nuk do të brengoset”, thotë Ker-Lindsay.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad të Serbisë, thotë se nuk e di se kush është duke e iniciuar tashti idenë e shkëmbimit të territoreve. Ai thotë se Vuçiqit do t’i konvenonte rikthimi i kësaj ideje në diskutim, por, sipas tij, ajo nuk përkon më me realitetin në terren.
“Shumëçka ka ndryshuar. Pushteti i Kosovës ka arritur që institucionet serbe që funksiononin atje – përveç shëndetësisë dhe arsimit – t’i shuajë tërësisht. Kështu që mendoj se kjo ide është e vdekur. Kushdo qoftë nga SHBA-ja, nga administrata e saj, që e analizon këtë situatë, do ta kuptojë që, para së gjithash, Prishtina nuk do ta pranojë”, thotë Popov. Radio Evropa e Lirë kontaktoi Presidencën dhe Qeverinë e Serbisë për të kërkuar komente rreth këtyre ideve, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje. David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se gjasat e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve në diçka konkrete, tash për tash, janë të vogla.
“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes Thaçit dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit”, thotë Kanin, duke aluduar në deklaratat e Thaçit dhe Vuçiqit më 2018.
Sipas Kaninit, mes kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe Vuçiqit, nuk ka bashkëpunim të tillë. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë angazhimi. Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023. BE-ja, në anën tjetër, ua ka bërë me dije se rruga e tyre drejt integrimit evropian, varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve. Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm” dhe se do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet. (REL)
Lajme nga rajoni
Konfirmohet aktakuza ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
“REFUZOHEN kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën shenjën PP.1.nr.256/2023, e datës 15.01.2025, të parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, Av. Teuta Zhinipotoku, më atë 26.02.2025 nga mbrojtësi i të akuzuarit Granit Plava, Av.Skender Gojani, më datë 04.03. 2025 dhe nga mbrojtëvsi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Av. Ndrecë Dodaj më datë 11.03.2024″, si të pabazuara”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Lajme nga rajoni
Protestuesit serbë me biçikleta e çojnë fushatën kundër korrupsionit në Parlamentin Evropian

Dhjetëra çiklistë serbë janë duke i bërë 1.300 kilometra rrugë drejt Parlamentit Evropian në Strasburg, për ta tërhequr vëmendjen në lidhje me fushatën e vendit të tyre kundër korrupsionit. Protestuesit e fajësojnë Qeverinë për korrupsion dhe dështim. Protestuesit tani po përpiqen të fitojnë mbështetje edhe jashtë Serbisë dhe nga ligjvënësit e BE-së. Studentët në Serbi kanë qenë forcë shtytëse pas protestave kundër Qeverisë në vendin e tyre dhe kanë kërkuar nga ajo t’i bëjë publike të gjitha dokumentet që lidhen me punimet e ndërtimit në stacionin të trenit të Novi Sadit.
Studentët udhëtojnë me biçikleta përmes katër vendeve – Hungarisë, Sllovakisë, Austrisë dhe Gjermanisë – përpara se të arrijnë në Francë brenda rreth dy javësh dhe në Parlamentin Evropian në Strasburg. Ndërkohë, në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq emëroi Gjuro Macutin, profesorin e mjekësisë pak të njohur, si mandatar për kryeministër në mes të krizës politike.
“Do të jetë e vështirë. Të kalosh mes 100 dhe 150 kilometra për disa ditë nuk është një arritje e vogël. Unë mendoj se do të ishte sfiduese edhe për atletët”, deklaroi Katarina, studente e mjekësisë.
“Pritjet tona janë që dikush më në fund të reagojë ndaj situatës në Serbi dhe që kërkesat tona të përmbushen. Sigurisht që pres që udhëtimi të jetë i mundimshëm, pres që do të kalojmë vështirësi, por mendoj se ia vlen”, deklalroi Ivan Poturica, student i matematikës. /Alsat.mk
Lajme nga rajoni
Formimi i qeverisë së re, ShBA: Mezi presim të punojmë për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) prej kohësh kanë mbështetur rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë.
Kështu kanë thënë në një përgjigje për Telegrafin nga zyra për media e Ambasadës Amerikanë në Prishtinë.
Sipas përgjigjes ata thonë se mezi po presin që të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur edhe sigurinë rajonale.
“Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë. Mezi presim të punojmë me qeverinë e re të Kosovës për të mbështetur stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Ndryshe kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, të mërkurën ka nisur takimet me parti politike të pakicave, për t’u konsultuar rreth formimit të qeverisë së re të vendit.
Ai është takuar me kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, njëherësh zëvendëskryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi, me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi.
Gjatë së enjtes, Kurti ka vazhduar takimet me përfaqësues të tjerë të partive joserbe.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025.
Seanca konstituive përgatitet nga kryetari i legjislaturës së mëparshme, i cili pesë ditë para mbajtjes së seancës duhet të thërrasë në mbledhje kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për të përgatitur një rend dite.
Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin, ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese. Partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Ndërkaq nënkryetarët propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.
Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve