Lajme nga vendi
Qytetarët e RMV-së vetëm nesër prej orës 9 deri në 17 mund të marrin vauçerët për inverterë

Ministria e Energjisë do të shpërndajë vauçerë për inverter vetëm nesër gjatë orarit të punës. Qytetarët që kanë marrë vauçerë duhet ta marrin nesër nga ora 9 deri në 17, termin tjetër nuk ka. Vauçerët duhet të merren personalisht, domethënë personi që ka aplikuar. Kjo do të thotë që nëse ata nuk mund të pushojnë nga puna ose të marrin një ditë pushim nesër, vauçeri i tyre do të skadojë, transmeton Portalb.mk.
Banorët e Shkupit dhe nga komunat e rajonit planor të Shkupit, vauçerët duhet t’i marrin në qendrën sportive “Boris Trajkovski”. Në qytetet e tjera do të shpërndahen në Qendrat e Punësimit.
Kur thirrja u shpall 10 muaj më parë, Ministria e Ekonomisë tha se vauçerët do të dërgoheshin me postë për të mos krijuar turma. Mirëpo, me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, këtë projekt e mori Ministria e re e Energjisë dhe vendosi t’i ndajë vetëm brenda një dite.
Ministria e Energjisë njoftoi pasditen e djeshme në ueb-faqen e saj se kuponët do të merren më datë 7 nëntor, e enjte. Nuk ka pasur asnjë njoftim për media apo konferencë për media që qytetarët të informohen.
Vauçerët duhet të përdoren deri më 30 Nëntor, pas këtij afati nuk janë të vlefshëm.
Qytetarët aplikuan për vauçerë në muajin shkurt dhe i marrin vetëm në nëntor. Për këtë projekt janë siguruar 4.1 milionë euro ose ka para për rreth 6000 vauçerë. Thirrja ka pranuar gjithsej 18.805 kërkesa pas dy thirrjeve publike. Kërkesa për shpalljen që nuk është për konsumatorët në nevojë kanë paraqitur 14.500 aplikantë dhe në shpalljen për konsumatorët të cenueshëm 4.305 aplikantë.
Sipas shpalljes publike për përkrahje financiare përmes ndarjes së vauçerëve-kupon për blerje dhe instalim të kondicionerëve inverter me efikasitet të lartë për konsumatorët në nevojë për vitin 2024, ofrohen vauçerë prej 27.000 denarë për personat me të ardhura të ulëta (të ardhura deri në 21.000 denarë për person beqar, 30.000 denarë për amvisëri) me dy anëtarë dhe 35.000 denarë për amvisëri me tre anëtarë). Për amvisëritë me katër anëtarë parashihet kupon prej 30.000 denarë, ndërsa për amvisëritë me pesë e më shumë anëtarë – 45.000 denarë. Gjithashtu, për konsumatorët jo të cenueshëm nga rajoni i Pellagonisë dhe Jugperëndimit janë siguruar vauçerë prej 25.000 denarë, ndërsa për rajonet e tjera nga 23.000 denarë.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve