Lajme nga vendi
Rreziqet klimatike, aktivistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë masa urgjente

Qeveria dhe institucionet lokale në Maqedoninë e Veriut nuk u kushtojnë vëmendje të duhur çështjeve të ndryshimeve klimatike, mbrojtjes së mjedisit, si dhe ekosistemeve natyrore, thonë aktivistët që merren me mbrojtjen e mjedisit në këtë vend.
Këto reagime pasojnë Raportin e ri të Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut, të titulluar “Raporti i klimës dhe zhvillimit të vendit”, i cili paralajmëron për rreziqet që vendi mund të përballet si pasojë e këtyre fenomeneve.
“Gëzohem shumë që së fundmi po dëshmohet ajo që për vite me radhë paralajmërohej nga organizatat joqeveritare dhe vullnetarët për rrezikun që na kërcënon dhe, fatkeqësisht, është populli ai që i vuan të gjitha pasojat nga puna joserioze për vite me radhë”, thotë për Radion Evropa e Lirë ambientalistja Elmedina Abdulahi.
Ajo nënvizon se masat urgjente janë të domosdoshme, pasi “rreziku është shumë i madh dhe vendi e ka përjetuar këtë disa herë”.
“Nuk ka nevojë të shkruhen në raporte. Ne kemi pasur vërshime në Maqedoninë e Veriut që kanë marrë edhe jetë, dhe kjo tregon seriozitetin e problemit që ne e kemi, edhe pse është fillimi tani. Pritet të jetë shumë më i madh”, thotë Abdulahi.
Në Raportin e Bankës Botërore thuhet se Maqedonia e Veriut është një nga vendet më të ndjeshme ndaj katastrofave natyrore në Ballkanin Perëndimor, duke i veçuar përmbytjet dhe zjarret.
“Vendi ka një histori të gjatë përmbytjesh shkatërruese dhe e ardhmja do të sjellë më shumë ngjarje ekstreme të motit të paparashikueshëm, me intensitet të lartë, (për shembull në formën e shirave të rrëmbyeshëm dhe valëve të të nxehtit)”, thuhet në Raport.
Në këtë drejtim, Abdulahi thotë se duhet të respektohen ligjet në fuqi dhe të zbatohen masat për mbrojtjen e mjedisit:
“Ligjet i kemi shumë të mira, mirëpo ato ligje nuk zbatohen në terren”.
“Në vija të trasha, po theksoj se është shumë me rëndësi të bëhet mbrojtja e biodiversitetit, habitatit dhe e të gjitha specieve të cilat janë në zhdukje, të ndalohet prerja e pakontrolluar e druve që shton rrezikun. Duhet të bëhet mbrojtje e burimeve të ujit, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Të ketë kujdes për rregullimin e aktiviteteve të industrisë dhe atyre bujqësore, për të minimizuar ndikimin e tyre negativ në natyrë”.
“Dhe, më e rëndësishmja, nevojitet ngritja e vetëdijes dhe edukimi i shoqërisë dhe i të gjitha institucioneve dhe ndotësve kolektiv apo industrive, që të jenë sa më të vetëdijshëm për dëmin që e shkaktojnë”, thotë ambientalistja Elmedina Abdulahi.
Raporti, gjithashtu, paralajmëron se ndryshimet klimatike përkeqësojnë qasjen në ujë të pastër dhe rrisin rrezikun për sëmundje të transmetuara përmes ujit. Kurse, dëmet ekonomike janë më të ndjeshme në “sektorin e bujqësisë, ku fermerët familjarë janë më të prekurit për shkak të mungesës së sigurimeve bujqësore, sistemeve të ujitjes dhe mbrojtjes nga breshëri”.
Në skenarin më pesimist, sipas Raportit, vendi mund të përballet me humbje deri në 4% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2050, nëse nuk investon në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoninë e Veriut, për të kuptuar se cilat janë masat konkrete që kjo ministri planifikon të ndërmarrë për të përballuar rreziqet klimatike në vend, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë dhënë përgjigje.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, komunat më të rrezikuara nga zjarret dhe përmbytjet janë: komuna e Koçanit, Kavadarit, Kratovës, Negotinës dhe Velesit. Sipas rajoneve, ekspozim më i lartë ndaj ngjarjeve ekstreme të motit është regjistruar në rajonin e Vardarit, pastaj në rajonin lindor dhe atë verilindor.
Nga viti 2019, në Maqedoninë e Veriut janë djegur më shumë se 600 mijë metër kub dru. Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, dëmet e shkaktuara nga zjarret në pesë vjetët e fundit llogariten në 55 milionë euro.
Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror tregojnë se gjatë stinës së dimrit, qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10.
Në sektorin e energjisë, Maqedonia e Veriut mund të arrijë qëllimet e saj për uljen e emetimeve deri në vitin 2030, duke mbyllur termocentralet me qymyr dhe duke zgjeruar ndjeshëm kapacitetet e energjisë diellore dhe të erës, konstaton Raporti i Bankës Botërore.
Në katër vjetët e fundit, sipas të dhënave të prezantuara nga Gjykata Supreme, në vend janë shqiptuar 242 vendime të formës së prerë, me të cilat janë dënuar 280 persona. Dënimet kanë të bëjnë me gjoba, burgim ose sanksione alternative. Shumica e veprave penale janë kryer me qëllim, kurse disa nga pakujdesia.
Ndryshimet klimatike në Maqedoninë e Veriut i komentoi edhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen. Gjatë një vizite në Shkup të enjten, ajo tha se Bashkimi Evropian (BE) ka aktivizuar dy herë “mekanizmat e mbrojtjes civile”, si dhe ka mobilizuar gjashtë avionë dhe tre helikopterë, të ofruara nga shtetet anëtare, për të ndihmuar vendin gjatë zjarreve të verës.
Shefja e KE-së, gjithashtu potencoi se Plani i Përbashkët i investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka mobilizuar 1.7 miliard euro investime, të cilat përqendrohen në tranzicionin drejt energjisë së pastër.
“Siç e dini, ne në Bashkimin Evropian jemi zotuar të bëhemi neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Prandaj është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të na bashkohen në këtë rrugëtim”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski./Radio Evropa e Lirë/
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve