Lajme nga vendi
Shasivari: Për faljet kthim mbrapa nuk ka, mund të ndryshojë vetëm përbërja e komisionit

Profesori universitar, Jeton Shasivari, vlerëson se gjatë faljes presidentja nuk është dashur ta shqyrtojë vetëm veprën, por edhe personin, përkatësisht dinjitetin e individit, humanizmin dhe mbi të gjitha drejtësinë. Sipas tij me faljet e fundit, Siljanovska nuk e ka respektuar aspektin kushtetues të faljes për shkak se në përbërjen e komisionit, nuk është përfshirë asnjë profesor i së drejtës kushtetuese.
“Prandaj është dashur nga fillimi me përbërjen e këtij komisioni ligjor juridik për falje, të ketë së paku një profesor të së drejtës kushtetuese në mënyrë që kryetarja e Republikës me rastin e ushtrimit të këtij funksioni t’i ketë parasysh të gjitha aspektet e faljes, jo vetëm pjesa penale që ndërlidhet me krimet, me veprat penale, me dënimet, me sjelljen e personave në burgje, aspekte familjare e kështu me radhë, por ajo që është më e rëndësishme janë aspektet kushtetuese që ndërlidhen me dinjitetin e individit, si vlerë kushtetuese. Pastaj humanizmi si një vlerë shumë e rëndësishme edhe kushtetuese edhe shoqërore dhe drejtësia. Prandaj këto falje në opinion u perceptuan si një funksion politik i pakufizuar i ushtruar në një mënyrë kuturu, në një mënyrë arbitrare dhe jo ashtu siç duhet të jetë falja”, deklaroi Jeton Shasivari, profesor universitar.
Shasivari, thekson se për faljet kthim mbrapa nuk ka, pasi për këtë e kemi shembullin e tërheqjes së faljeve nga ana e ish presidentit Gjorge Ivanov, për çka në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg janë formuar mbi dhjetë lëndë nga personat që u është tërhequr falja. Sipas tij, zgjidhja është te korrigjimi i komisionit.
“Çdo tërheqje e faljes drejtpërdrejt cenon sigurinë juridike të individëve që janë të përfshirë në falje. Dhe unë personalisht nuk besoj që kryetarja e Republikës do lëshohet në këtë drejtim pra që të bëjë tërheqjen e tyre dhe t’i shtojë vargut të lëndëve që i kemi në Gjykatën e Strasburgut, edhe lëndë të reja. Mirëpo pres që në të ardhmen të korrigjohet ky aspekt i përbërjes së komisionit për falje”, tha Jeton Shasivari, profesor universitar. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Policia sekuestron dy vetura, zhvillonin gara në magjistralen Kumanovë–Shkup

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë sekuestruar 2 vetura pas raportimeve për gara të jashtëligjshme në magjistralen Kumanovë-Shkup
“Më datë 16.04. dhe me datë 17.04.2025, në Policinë e Kumanovës është raportuar se në magjistralen Kumanovë – Shkup janë duke u zhvilluar gara të egra me vetura që shkaktonin zhurmë të madhe. Menjëherë janë marrë masa nga punonjësit policorë të Stacionit Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Kumanovë dhe për shkak të dyshimit për kundërvajtje në komunikacion, automjeti i pasagjerëve “BMW” me targa regjistrimi të Prilepit i drejtuar nga M.V. (20) nga fshati Dollneni i Prilepit dhe automjeti i pasagjerëve “Volkswagen Polo” me targa të Tetovës, i drejtuar nga B.R. (21) nga Tetova, janë sekuestruar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të bëhen denoncimet përkatëse”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
BDI: HISTORI PA SHQIPTARË – PROGRAMI I RI PËR KLASËN E VII-TË I FSHIN SHQIPTARËT NGA TEKSTET SHKOLLORE

Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend.
Ky dokument, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen e librave shkollorë, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin tonë të përbashkët.
Në versionin e mëparshëm të këtij programi, të përgatitur nga qeveria e kaluar, qartazi kërkohej që nxënësit të mësojnë historinë e popullit të tyre dhe të popujve të tjerë që jetojnë në vend.
Aty nxitej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesën dhe respektin ndërkulturor.
Në programin e ri, këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti.
Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë.
Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të.
Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit.
Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë.
U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të tërheqin këtë program të njëanshëm dhe të rikthejnë një qasje gjithëpërfshirëse që reflekton realitetin shoqëror dhe historik të Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët nuk janë të padukshëm – as në të kaluarën, as në të tashmen, dhe nuk mund të përjashtohen nga asnjë faqe e historisë sonë të përbashkët.
Lajme nga vendi
Digjet një shtëpi në Kavadar, humb jetën një 78-vjeçar

Qendra për Menaxhimin të Krizave (QKK) raportoi se në 24 orët e fundit në numrin e vetëm të Emergjencës 112 në QKM janë regjistruar gjithsej 2423 thirrje, nga të cilat 60.92% kanë qenë thirrje “reale”, dhe 39,08% janë për nevoja të tjera jo urgjente të qytetarëve
Nga thirrjet aktuale në 112 në Qendrën Qendrore të Urgjencës, 58,45% i janë drejtuar Policisë, 32,57% Urgjencës Mjekësore dhe 4,23% Zjarrfikësve.
Në 24 orët e fundit ka pasur nëntë zjarre hapësira të hapura, konkretisht në rajonin e Tetovës dhe të Shkupit, ndërsa zjarrfikësit në të njëjtën kohë kanë shuar zjarre edhe në vendbanime tjera.
“Por një zjarr në një zonë urbane ka qenë tragjik për një të moshuar në Kavadar. Konkretisht, Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave (QRMK) Veles përcjell njoftimin e njësitit të zjarrfikësve të Kavadarit, se nga ora 09:24 deri në ora 10:10, dy zjarrfikës dhe një automjet zjarrfikës kanë fikur një bombol gazi të djegur në një shtëpi në rr. “Strasho Pinxhur” nr. 37 në Kavadar, ku në vendin e zjarrit është gjetur një mashkull i moshuar, i cili me shumë gjasa është ngufatur. Të pranishëm kanë qenë edhe ekipet e emergjencës mjekësore të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit 78-vjeçar (Komuna e Kavadarit), thonë nga QMK.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve