Lajme nga vendi
Për dallim nga arsimi fillor dhe ai i mesëm, arsimi i lartë shënon rritje të numrit të studentëve

Për dallim nga arsimi fillor dhe ai i mesëm, arsimi i lartë shënon rritje të numrit të studentëve. Në rrjedhë janë regjistrimet, ndërsa sipas drejtuesve të Universiteteve numri i të interesuarve krahasuar me vitin e kaluar është më i lartë. Ndër drejtimet me interesim më të madh janë Shkencat e Informatikës dhe ato të Mjekësisë.
“Në momentin që flasim, numri ka arritur diku mbi 1200 aplikues, që është një numër inkurajues për administratën dhe profesorët. Normal deri në përfundim të konkursit numri do të rritet, ndërsa kemi edhe afatin e dytë dhe të tretë. Në bazë të konkursit, kemi 4752 vende të lira për studentët e ri në 13 fakultet të UT dhe në mbi 100 programe studimore të ciklit të parë dhe studeime të magjistraturës dhe të doktoraturës”, tha Jusuf Zeneli, Rektor UT-së.
Ngjashëm është edhe në UEJL.
“Në nivel të Universiteti kemi një rritje prej 2.6 për qind me të njëjtën ditë një vit më parë dhe të njëjtën ditë dy vite më parë. Pra edhe ky vit ka një rritje nga viti paraprak. Pra 24-25 gusht rezulton me një prerje prej 405 aplikantë. Ne presim më shumë se 1050 apo 1100. Për atë se cilat fakultete janë më të kërkuara, pa dyshim se prijnë shkencat informatike, më pas fakulteti i shkencave teknike dhe ndiqen mirë shumë edhe nga biznesi dhe ekonomia dhe fakulteti juridik dhe fakulteti i shkencave shëndetësore”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti, Rektor i UEJL-së.
Në vitin akademik 2024/25, në Universitetin e Tetovës janë paraparë 4752 vende të lira për studentët, ndërsa në Universitetin e Evropës Juglindore 1200.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve