Lajme nga bota
Çfarë duhet të dinë qytetarët e Ballkanit Perëndimor për rregullat e reja të hyrjes në BE?

“Mirëdita! Pasaportat, ju lutem! Duhet t’ju marrim edhe gjurmë të së paku katër gishtërinjve. Edhe fotografi. Faleminderit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm!”.
Kështu do të duhej të dukej nga 10 nëntori i këtij viti hyrja në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtajn – vende anëtare të zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për qytetarët e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.
Në atë kohë do të fillojë të funksionojë sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES), i cili është krijuar në nëntor të vitit 2017, por se zbatimi i tij është shtyrë disa herë.
Për verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes, duke paguar një tarifë prej shtatë eurosh me kartelë bankare.
Pasaportat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, çipat e tyre përmbajnë shenja gishtash dhe fotografi – çfarë i bën plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza.
Kushtet e përgjithshme – që dokumentet e udhëtimit të mos skadojnë në më pak se tre muaj nga data kur personi planifikon të kthehet në vendin e tij ose që pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet – do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.
Cilat janë ndryshimet e reja nga mesi i vitit 2025?
ETIAS do t’u kërkojë qytetarëve të rreth 60 vendeve të plotësojnë një formular të veçantë nëpërmjet internetit ose aplikacionit celular, përpara se të udhëtojnë.
Me rastin e plotësimit të aplikacionit për herë të parë, pasagjeri fut të dhënat personale, emailin dhe numrin e telefonit, si dhe detajet e dokumentit të udhëtimit.
Udhëtari do të duhet, gjithashtu, të fusë detaje rreth arsimit dhe punësimit aktual, si dhe detaje rreth udhëtimit të planifikuar dhe qëndrimit në vendin e BE-së.
Do të kërkohen edhe detaje për çdo dënim penal, për udhëtime në të kaluarën në zona lufte ose zona konflikti, si dhe informacione nëse personi është dëbuar nga ndonjë vend.
Udhëtarët do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë prej shtatë eurosh, me kartelë bankare. Pagesa do të bëhet si për çdo blerje online.
Tarifa nuk do të paguhet nga personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç, bashkëshortët/partnerët e regjistruar dhe fëmijët e shtetasve të BE-së dhe të vendeve të zonës Schengen, si dhe fëmijët e bashkëshortëve/partnerëve që vijnë prej jashtë BE-së.
Aplikimi “grupor” nuk do të jetë i mundur – pra në rast të udhëtimit familjar, çdo anëtar do të duhet të aplikojë veçmas për ETIAS-in.
Sistemi ETIAS do të jetë i disponueshëm në gjuhët e vendeve anëtare dhe sistemi do të pranojë vetëm shkronja latine.
Udhëtari do të mund të ndalojë plotësimin e aplikacionit, t’i ruajë ndryshimet dhe të vazhdojë të fusë të dhëna brenda 48 orësh.
Sa kohë duhet për t’u përpunuar një kërkesë?
Siç thuhet në faqen zyrtare të sistemit ETIAS, përpunimi duhet të zgjasë “disa minuta”.
Nëse zgjat më shumë, pasagjeri duhet ta marrë njoftimin brenda katër ditësh.
Pasagjerëve mund t’u kërkohen edhe informacione ose dokumente shtesë – si për shembull konfirmimi i rezervimit të hotelit dhe konfirmimi i punësimit – të cilat duhet të dorëzohen brenda dhjetë ditësh. Në atë rast, kërkesa duhet të shqyrtohet brenda dy javësh.
Udhëtari mund të ftohet për intervistë në ambasadën e vendit ku planifikon të udhëtojë dhe në atë rast kërkesa shqyrtohet brenda 30 ditësh.
Prandaj, udhëtarët këshillohen që ta plotësojnë formularin së paku një muaj përpara se ta blejnë biletën apo ta rezervojnë akomodimin.
Nëse udhëtarit i lejohet hyrja në BE, ai do ta marrë njoftimin me email.
Leja ETIAS do të jetë e vlefshme për tre vjet, ose derisa të zëvendësohet dokumenti i udhëtimit me të cilin udhëtari ka aplikuar.
Formulari është i lidhur me dokumentin e udhëtimit, që do të thotë se është i vlefshëm vetëm me pasaportën me të cilën ka aplikuar udhëtari.
Pasaporta e re nënkupton aplikim të ri.
Nëse ETIAS-i paguhet dhe miratohet për udhëtimin në një vend, ai është gjithashtu i vlefshëm edhe për një vend tjetër.
Leja ETIAS nuk do të thotë që një person mund të qëndrojë në BE për më shumë se 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore, ose të punojë në BE.
Udhëtari do të mund të hyjë dhe të dalë nga BE-ja sa herë të dojë dhe të udhëtojë në çdo destinacion brenda zonës Schengen gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes dhe për aq kohë sa ai e respekton afatin e specifikuar kohor.
Çfarë nëse personi nuk ka internet, kartelë bankare, është analfabet dhe të ngjashme?
Prindërit e plotësojnë formularin për fëmijët e tyre të mitur, të cilët janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës prej shtatë eurosh.
Gjithkush mund të autorizojë një palë të tretë – një person tjetër ose një ndërmjetës tregtar – që të aplikojë në emër të tij ose në emër të fëmijëve të tij të mitur.
Me një ndërmjetës – për shembull nga një agjenci udhëtimesh – deklarata e përfaqësimit duhet të nënshkruhet për çdo person individualisht dhe e njëjta gjë vlen në rast se një mik, fqinj, vajza ose djali aplikon për një person.
Personi ose kompania që është ndërmjetëse, do të duhet, gjithashtu, t’i fusë të dhënat e veta.
Ndërmjetësi ka të drejtë të kërkojë një “tarifë të arsyeshme” dhe BE-ja ka parashikuar mundësinë e raportimit anonim të atyre që kërkojnë pagesa të larta.
Ata që vendosin të aplikojnë përmes një ndërmjetësi, këshillohen të kontrollojnë veçanërisht nëse informacioni në aplikacion është i saktë, përpara se ta dërgojnë atë, sepse në rast të ndonjë gabimi, aplikacioni mund të refuzohet ose anulohet.
Në rast se udhëtari vëren ndonjë gabim, ai mund ta plotësojë një aplikacion të ri ose të kërkojë korrigjimin e gabimit në aplikacionin e vjetër. Procedura e përpunimit në atë rast zgjat deri në 30 ditë.
Si të shkoni në një funeral, të vizitoni prindin që është shtetas i BE-së dhe të ngjashme?
Formulari ETIAS nuk do të duhet të plotësohet nga personat që kanë vizë të vlefshme – studentore, pune ose të ngjashme – ose leje qëndrimi në një vend të BE-së.
Formulari nuk plotësohet as nga personat që jetojnë përgjatë kufirit dhe posedojnë kalime kufitare.
Anëtarët e ekuipazhit në anije dhe avionë për disa vende të BE-së do të kenë nevojë për formularin ETIAS.
Përjashtime bëhen në rast të rrezikimit të jetës së aplikuesit apo të të afërmit, vajtjes në varrim të një familjari, detyrimit për t’u paraqitur në gjykatë apo ndonjë “detyrimi të rëndësishëm”.
Në atë rast, udhëtari e plotëson aplikacionin ETIAS për të ashtuquajturën leje të kufizuar që e tregon arsyen.
Leja lëshohet nga shteti në të cilin personi udhëton dhe është e vlefshme për të udhëtuar vetëm në atë vend për maksimum 90 ditë.
Për shembull, nëse bëhet fjalë për të shkuar në një funeral, një vend i BE-së mund ta lejojë hyrjen vetëm për ditët e varrimit.
Nëse personi, ndërkohë, aplikon dhe merr një ETIAS të dytë për udhëtim në të gjitha vendet e Schengenit, leja e kufizuar automatikisht bëhet e pavlefshme.
Çka nëse BE-ja refuzon t’ju japë leje?
Personave pa autorizimin ETIAS do t’u refuzohet hyrja në kufi.
Edhe marrja e kësaj certifikate nuk nënkupton që udhëtarit do t’i lejohet automatikisht hyrja në vendin e BE-së.
Të gjithë udhëtarët do të kontrollohen dhe një oficer kufitar mund t’ia refuzojë hyrjen një personi që nuk i plotëson kërkesat.
Disa nga kushtet për hyrje janë: dokument i vlefshëm i udhëtimit për së paku tre muaj nga data e kthimit të planifikuar; pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet; qëndrimi të jetë i justifikuar dhe personi të ketë para të mjaftueshme deri në kthimin e planifikuar.
Shuma e zakonshme është rreth 100 euro në ditë dhe varet nga shteti anëtar i BE-së.
Disa nga arsyet e refuzimit të hyrjes lidhen me kërcënimet për sigurinë ose shëndetin.
Nëse kërkesa për ETIAS refuzohet, revokohet ose anulohet, personi do ta marrë një email që i tregon arsyet e refuzimit dhe emrin e autoritetit që e ka marrë vendimin.
Ekziston mundësia e apelimit dhe emaili do të përmbajë informacione se në cilin vend ose shtet mund të apelohet. Ankesat trajtohen në përputhje me ligjet e atyre vendeve.
Një person, aplikimi i të cilit refuzohet, mund të aplikojë sërish për lejen ETIAS.
Nëse një person e revokon kërkesën e tij, ai nuk mund të ndryshojë mendje më pas, por duhet të plotësojë një formular të ri.
Tarifa nuk rimbursohet nëse aplikacioni refuzohet.
A do të ketë më shumë tollovi në kufij?
Me futjen e EES-it, mbetet skanimi i dokumenteve të udhëtimit, ndërsa vulosja e pasaportave në pikën kufitare ndalon.
Megjithatë, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi, që do të bëhen në çdo pikë kufitare, mund t’i zgjasin pritjet në radhë.
Në aeroporte, kontrollet do të kryhen pas aterrimit.
Shtetet anëtare i kanë ndryshuar disa ligje për t’i reduktuar tollovitë e mundshme në vendkalimet tokësore.
Pse është krijuar ky sistem?
Sistemi i ri EES është krijuar për t’i bërë bazat e vendeve anëtare të BE-së më të lidhura, për ta lehtësuar gjurmimin e kohës dhe vendit të qëndrimit dhe për të siguruar që udhëtarët nuk qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.
Një nga qëllimet e masave të reja është të vështirësohet hyrja e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false, pasi kontrolli biometrik do të kryhet sa herë që kalohet kufiri.
Pasagjerët nuk do të paguajnë tarifë për ofrimin e të dhënave biometrike.
Të dhënat do të jenë të qasshme për shërbimet policore të vendeve anëtare të sistemit Schengen dhe agjencinë policore, EUROPOL, gjatë hetimeve penale, sidomos terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Kontrollet e të dhënave biometrike do të rriten në mes të vitit 2025, por data e saktë nuk është përcaktuar.
Sisteme të ngjashme kanë krijuar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia./koha.mk/
Lajme nga bota
GODASIN LEPURIN GJATË NGRITJES NË AJËR, MOTORI I AEROPLANIT ME 153 PASAGJERË PËRFSHIHET NGA ZJARRI – PILOTËT DETYROHEN TË ATERROJNË NË DENVER

Lajme nga bota
Kthehet tarifa prej 5 euro për turistët në Venecia

Tarifa e hyrjes në Venecia do të rifillojë nga e premtja, me risinë kryesore këtë vit që ata që planifikojnë vizita për një ditë do të paguajnë dyfishin, raporton The Guardian, transmeton KosovaPress.
Vitin e kaluar, si pjesë e një eksperimenti për të demoralizuar vizitorët e ditës gjatë periudhave të ngarkuara, Venecia u bë qyteti i parë turistik i madh në botë që ngarkon njerëzit për të hyrë.
Megjithëse iniciativa pati një ndikim të vogël në numrin e vizitorëve, ajo arriti të mbledhë 2.4 milionë euro për thesarin e qytetit të lagunës, shumë më tepër se sa pritej, dhe autoritetet e Venecias besojnë se do të kontribuojë në ndihmën për të luftuar turizmin masiv në qytetin që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Tarifa e këtij viti, e cila mund të rezervohet online, mbetet 5 euro, por do të dyfishohet nëse blihen brenda tre ditëve para mbërritjes në qytet. Për më tepër, ajo është zgjeruar për t’u aplikuar në 54 data, kryesisht fundjavave, nga 18 prilli deri më 27 korrik, pothuajse dyfish i numrit të ditëve krahasuar me vitin e kaluar. Masa do të aplikohet nga ora 8:30 deri në orën 16:00, sipas orarit lokal.
Vizitorëve u jepet një kod QR, i cili duhet të prezantohet përpara stafit të angazhuar për të patrulluar pikat kryesore të hyrjes në qytet, siç është stacioni hekurudhor Venezia Santa Lucia.
Kushdo që ka rezervuar një qëndrim për natën në Venecia është i përjashtuar nga pagesa e tarifës, ashtu si turistët nga rajoni më i gjerë i Veneto-s, nga i cili vijnë shumica e vizitorëve të ditës, si dhe fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Por, edhe nëse një vizitor ka rezervuar një dhomë hoteli, ata janë ende të detyruar të regjistrojnë praninë e tyre në faqe.
Viti i kaluar vendosi një rekord të ri për vizitorët në Venecia dhe rajonin e saj më të gjerë, me më shumë se 3.9 milionë njerëz që qëndruan për natë në qendrën historike të qytetit. Megjithatë, rreth 30 milionë njerëz vizitojnë çdo vit, shumica e të cilëve vijnë vetëm për një ditë.
Më shumë se 35,000 vizitorë të ditës kanë rezervuar tashmë një biletë, sipas faqes lokale të lajmeve, Venezia Today.
Simone Venturini, këshilltar i turizmit në Venecia, tha se, megjithëse nuk ka një “shkop magjik” për të zgjidhur një problem që ndikon shumë qytete turistike evropiane, plani i tarifës së hyrjes “përfaqëson një mjet të prekshëm dhe inovativ” për analizën e të dhënave dhe menaxhimin e flukseve të vizitorëve.
“Do të jetë një udhëtim i gjatë, por nga tani qyteti do të mund të mbështetet në të dhëna objektive, jo thjesht në vlerësime, për të kuptuar fenomenin e turizmit masiv”, tha ai. “Qëllimi ynë është të inkurajojmë turizmin cilësor – qëndrimet për natë – që respekton qytetin dhe kërkon të angazhohet me të në një nivel më të thellë, duke përqafuar karakterin dhe ritmin e tij unik”.
Një tjetër qëllim ishte “të arrihet një balancë më e mirë midis të drejtave të atyre që jetojnë në Venecia dhe atyre që dëshirojnë ta vizitojnë”, shtoi ai.
Ndërkohë, tarifa u pranua kryesisht nga turistët vitin e kaluar, por u kundërshtua ashpër nga banorët e Venecias. Shumë prej tyre besojnë se mënyra e vetme për të arritur një turizëm më të qëndrueshëm do të ishte të synohen ata që qëndrojnë për natë duke u ndaluar qiratë e pushimeve afatshkurtra dhe duke përmirësuar shërbimet për popullatën e gjithë vitit, e cila në vitin 2022 ra nën 50,000 për herë të parë. Giovanni Andrea Martini, këshilltar në Venecia nga opozita, është ndër kritikët më të dukshëm të tarifës.
“Nuk ka bërë absolutisht asnjë ndryshim”. tha ai. “Numrat në fakt janë rritur. Disa ditë të fundit, jemi mbingarkuar”.
Megjithëse nuk ka pasur protesta të reja kundër tarifës, banorët kanë kundërshtuar përpjekjet për të inkurajuar turistët të vizitojnë zona më pak të njohura të ishullit kryesor të Venecias.
“Është një masë e synuar për të reduktuar presionin turistik, por natyrisht ka provokuar zemërim te ata që jetojnë në këto zona, pasi do të prishë paqen e tyre”, tha Martini. “Po bëhet akoma më tragjike për ata që jetojnë këtu”.
Lajme nga bota
Kina i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifë prej 125 për qind

Kina njoftoi të premten se e ka rritur tarifën ndaj mallrave amerikane nga 84 për qind në 125 për qind, duke iu kundërpërgjigjur presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ditë më parë e rriti tarifën ndaj mallrave kineze në 145 për qind.
Tarifa e re e Pekinit për mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara do të hyjë në fuqi të shtunën.
Kina kishte paralajmëruar se do t’i luftonte tarifat amerikane me kundërmasa, duke i cilësuar veprimet e Trumpit si “bullizëm ekonomik”.
Veprimet e Trumpit për tarifa ndaj të gjitha vendeve të botës bënë që drejtuesit e bizneseve të paralajmëronin për recesion të mundshëm ekonomik. Disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së u hakmorën duke vendosur taksa ndja mallrave amerikane, megjithatë Trump njoftoi një pezullim 90 ditor.
Por, Trump dhe Kina vazhduan tarifat reciproke ndaj njëri-tjetrit.
“SHBA-ja, duke rritur tarifa anormale ndaj Kinës, është kthyer në një lojë numrash, e cila nuk ka asnjë rëndësi praktike ekonomike, dhe do të shndërrohet në një shaka në historinë e ekonomisë botërore”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Financave të Kinës në një komunikatë.
“Megjithatë, nëse SHBA-ja këmbëngul të vazhdojë t’i shkelë në mënyrë të konsiderueshme interesat e Kinës, Kina do të kundërpërgjigjet me vendosmëri dhe do të luftojë deri në fund”, tha ai.
Ministria e Tregtisë e Kinës tha se do ta dorëzojë një tjetër padi në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër tarifave amerikane.
Javën e kaluar, Pekini pezulloi importet e sorgumit dhe shpendëve nga disa kompani amerikane, vendosi më shumë kontrolle eksporti mbi mineralet e rralla, të cilat janë thelbësore për teknologji të ndryshme, dhe vendosi disa dhjetëra kompani amerikane në lista që ua ndalojnë kompanive kineze t’u shesin atyre mallra për përdorim të dyfishtë.
Duke pasur parasysh madhësinë e dy ekonomive, ekspertët kanë frikë se do të ketë trazirë ekonomike globale.
Kreu i OBT-së, Ngozi Okonjo-Iweala, tha më herët këtë javë se lufta tregtare midis SHBA-së dhe Kinës “mund ta dëmtojë rëndë perspektivën ekonomike globale”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve