Lajme nga vendi
2024-ta mund të jetë viti më i nxehtë në botë pasi qershori thyen rekorde

Muaji i kaluar ishte qershori më i nxehtë i regjistruar, tha të hënën shërbimi i monitorimit të ndryshimeve klimatike të BE-së, duke vazhduar me një varg temperaturash të jashtëzakonshme që disa shkencëtarë thanë se e vendos 2024-ën në rrugën e duhur për të qenë viti më i nxehtë i regjistruar në botë.
Çdo muaj që nga qershori 2023 – 13 muaj rresht – është renditur si më i nxehti i planetit që nga fillimi i regjistrimeve, krahasuar me muajin korrespondues në vitet e mëparshme, tha në një buletin mujor Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike (C3S) i Bashkimit Evropian.
Të dhënat më të fundit sugjerojnë se viti 2024 mund të tejkalojë vitin 2023 si viti më i nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve pas ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe fenomenit natyror të motit El Nino që të dyja i shtynë temperaturat në nivele rekord në vitin e deritanishëm, thanë disa shkencëtarë.
“Unë tani vlerësoj se ka një shans afërsisht 95% që viti 2024 mund të jetë viti më i ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve globale të temperaturës së sipërfaqes në mesin e viteve 1800,” tha Zeke Hausfather, një shkencëtar hulumtues në Berkeley Earth.
Klima e ndryshuar tashmë ka shkaktuar pasoja katastrofike në mbarë botën në vitin 2024.
Më shumë se 1000 njerëz vdiqën nga vapa e egër gjatë pelegrinazhit të haxhit muajin e kaluar. Vdekje nga vapa u regjistruan në Neë Dehli, i cili pësoi një valë të nxehti të paprecedentë, dhe mes turistëve grekë.
Friederike Otto, një shkencëtare klimatike në Institutin Grantham të Kolegjit Imperial në Londër, tha se kishte një “shans të lartë” që viti 2024 të renditej si viti më i nxehtë i regjistruar.
“El Nino është një fenomen natyror që gjithmonë do të vijë dhe do të shkojë. Ne nuk mund ta ndalojmë El Nino, por mund të ndalojmë djegien e naftës, gazit dhe qymyrit,” tha ajo.
Fenomeni natyror El Nino, i cili ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor, tenton të rrisë temperaturat mesatare globale.
Ky efekt u qetësua muajt e fundit, me botën tani në kushte neutrale përpara se kushtet më të ftohta të La Nina të priten të formohen më vonë këtë vit.
Emetimet e gazeve serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile janë shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike.
Pavarësisht premtimeve për të frenuar ngrohjen globale, vendet deri më tani kanë dështuar kolektivisht në reduktimin e këtyre emetimeve, duke i shtyrë temperaturat vazhdimisht më të larta për dekada.
Në 12 muajt që përfunduan në qershor, temperatura mesatare në botë ishte më e larta në rekord për çdo periudhë të tillë, në 1.64 gradë Celsius mbi mesataren në periudhën para-industriale 1850-1900, tha C3S.
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve