Provimet e maturës shtetërore do të zhvillohen brenda objekteve shkollore nëse shkollat kanë hapësira të mjaftueshme në të kundërtën provimet do të realizohen në hapësirat e fakulteteve të caktuara. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve thanë se tashmë kanë pranuar kërkesën e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme që matura shtetërore mos te zhvillohet në amfiteatrot e fakulteteve përveç atyre shkollave që nuk i plotësojnë kushtet.
“Të gjitha shkollat që plotësojnë kushtet hapësinore, në përputhje me Rregulloren për Organizimin e Maturës Shtetërore, që do të thotë një metër e gjysmë distancë para dhe pas nxënësit dhe anash, kanë mundësi të japin provimin në hapësirat e mëdha që kanë në shkolla, që janë korridoret apo sallat. Për shkollat e tjera që nuk kanë mundësi të tilla ose nuk i plotësojnë kushtet hapësinore, provimi shtetëror i maturës do të organizohet në lokacione të tjera”, deklaroi Daniella Jovçevska Mihajllovska, drejtore e QSHP.
Nga UNSHM-ja thanë se maturantët tashmë kanë nisur përgatitjet për këto provime duke kujtuar se materiali mësimor ose testet e viteve të kaluara bashkë me përgjigje janë publikuar nga Qendra e Provimeve.
“Tani fillojnë edhe temat projektuese, prezentimi dhe mbrojtja e temave projektuese nga ana e nxënësve dhe shumica e profesorëve veç se kanë filluar me parapërgatitjen e nxënësve për maturën shtetërore. Ai proces besoj se ka filluar mjaft mirë shkaku se nga ana e Qendrës Shtetërore Testuese janë dorëzuar testet prej çdo viti të kaluar plus me përgjigjet e sakta kështu që nxënësit e kanë hapësirën për tu përgatitur sa i përket testit dhe normal ushtrimet dhe parapërgatitjet që i marrin nga ana e profesorëve”, deklalroi Berin Muhamed, kryetar iUNSHM-së.
Dy provimet eksterne të maturës shtetërore për vitin 2024/2025 do të zhvillohen më 31 maj dhe 11 qershor. Rreth 15 mijë maturantë janë regjistruar për të dhënë provimin.