Lajme nga vendi
Rënia e cilësisë në arsim, pasojë e politikës
Pa reforma të mirëfillta, e para së gjithash, pa largimin e politikës nga shkollat, nuk mund të pritet rritje e cilësisë në arsim. Kështu thonë njohësit e çështjeve të arsimit në Shkup duke komentuar përkeqësimin e gjendjes në këtë fushë bazuar në hulumtimet e fundit të opinionit publik.
Mbi dy të tretat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut besojnë se arsimi në vend nuk është cilësor, sipas një hulumtimi të opinionit publik të kryer nga Instituti për Kërkime Politike.
Sipas hulumtimit, 69.7 për qind e qytetarëve mendojnë se arsimi në Maqedoninë e Veriut është i dobët, ndërsa 26.8 për qind mendojnë se është i cilësisë së lartë.
Krahasuar me vitin 2019 kur 47.4 për qind besonin se kemi arsim të cilësisë së ulët, tani vendi shënon rekord prej 69.7 për qind sa i përket rënies së cilësisë.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rënie, sipas hulumtimit, kanë të bëjnë me kurrikulat arsimore, stafin e keq mësimdhënës, cilësinë e dobët të teksteve dhe kushtet e këqija në shkolla.
Profesori i pedagogjisë, Avzi Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se arsimi në Maqedoninë e Veriut asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të keqe se tani, si pasojë e siç thotë, politikave të gabuara arsimore, kopjimit të programeve të huaja pa studime paraprake dhe mungesës së kushteve në shkolla.
“Kjo që ne po shohim është për të ardhur keq, pasi arsimi çdo ditë e më tepër po shkon në dekadencë. Një prej faktorëve kryesorë që e kemi këtë gjendje në arsim është se kompetentët marrin dhe kopjojnë sisteme arsimore të shteteve perëndimore pa pasur parasysh kushtet, në të cilat ndodhet arsimi ynë”.
“Deri tani kemi pasur 18 ministra të arsimit dhe po aq reforma në arsim, domethënë çdo ministër që vjen bën reformën e vet. Në shkollat tona kemi cilësi të dobët në arsim pasi faktori kryesor që duhet të bëjë reformën është mësuesi, por ai sot nuk pyetet pasi është vetëm një administrator”, konsideron Mustafa.
Maqedonia e Veriut duhet të bëjë reforma të thella në arsim duke filluar nga programet mësimore, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë dhe Mësim të Përjetshëm.
Ai thotë se Qeveria e re që pritet të votohet javën e ardhshme, ka afat deri në shtator që të bëjë ndryshime apo të detektojë shkaqet që po ndikojnë në rënien e cilësisë në arsim.
“Duhet të ketë ndryshim të madh në programet mësimore. Byroja për zhvillimin e arsimit ka kuadër të mirë, por duhet t’i mundësohet apo të lihet e lirë për të bërë programe të mirëfillta arsimore që do të zbatohen në të ardhmen. Vendi ka nevojë për një drejtues të Ministrisë së Arsimit që e kupton arsimin dhe që do të ketë gatitshmëri për përmirësimin e gjendjes”, vlerëson Dimovski.
Por, profesori Mustafa thotë se gjendja mund të përmirësohet vetëm në qoftë se politika i largon duart nga arsimi dhe vetëm nëse në dikasterin e arsimit vendosen profesionistë të fushës, të cilët në bashkëpunim me punonjësit e arsimit i bëjnë reformat e mirëfillta në arsim.
“Politika i ka futur duart thellë në arsim duke emëruar drejtorët, të cilët i sheh si persona politikë. Në arsim punësohen kuadro që mund të jenë edhe me diploma të blera apo me nota të falura dhe kjo tregon se arsimi është i politizuar. Derisa ne nuk e flakim politikën nga arsimi, gjendja do të jetë e tillë”, thotë profesori Mustafa.
Maqedonia e Veriut ka treguar rezultate të dobëta edhe në rezultatet e testit PISA që vlerëson cilësinë e arsimit në tri fusha, gjuhë, matematikë dhe shkencë, ndërsa rezultate të dobëta janë regjistruar edhe në arsimin e lartë.
Universiteti Shtetëror i Shkupit është renditur i 1990-ti në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë për vitin 2024 nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR). Ndërsa, pesë universitetet tjera shtetërore nuk kanë arritur të përfshihen fare në këtë listë.
Qeveria e re që pritet të formohet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN, në programin e punës ka paraparë reforma edhe në sferën e arsimit.
Drejtuesit e koalicionit VLEN në disa raste kanë theksuar nevojën për konsultime të gjera rreth një ideje për bashkimin e tri universiteteve në gjuhën shqipe me qëllim të rritjes së cilësisë me përzgjedhjen e kuadrit dhe programeve më të mira.
Veç kësaj, arsimi parashkollor që aktualisht funksion në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, nga shtatori do të kalojë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit.
Kujdes do t’i kushtetohet edhe procesit të digjitalizimit të teksteve mësimore, forcimit të programeve mësimore për të arritur rezultate më të mira në renditjen e arsimit në suaza ndërkombëtare./REL
Lajme nga vendi
Aksion kundër lypjes në Tetovë – dy persona të identifikuar nga policia
Zyrtarë policorë të SPB Tetovë, në bashkëpunim me punëtorë socialë nga Qendra për Punë Sociale Tetovë, kanë zhvilluar më 11 nëntor (nga ora 11:00 deri në 16:00) një aksion në kuadër të planit për parandalimin e lypjes në qytet .
Gjatë kontrollit, rreth orës 12:20, në rrethrrotullimin e rrugëve “Iliria” dhe “Ilinden” është gjet duke lypur N.F. (42) nga Tetova. Po ashtu, në orën 12:50 në rrugën “Ilinden” është konstatuar se M.D. (19) nga Koçani po lypte së bashku me dy fëmijët e saj të mitur, të moshës katër dhe një vjeç.
Sipas njoftimit të policisë, pas dokumentimit të plotë të rasteve, personat e përfshirë janë marrë nga Qendra për Punë Sociale Tetovë për procedurë të mëtejshme.
Aksione të tilla, siç njofton MPB, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me qëllim parandalimin e lypjes dhe mbrojtjen e fëmijëve nga keqpërdorimi në rrugë, transmeton Tetovasot.
Lajme nga vendi
Mos u frikësoni nga shpërthimet! MPB: Do të shkatërrohen granata, janë marrë të gjitha masat
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë qytetarët se të premten, do të shpërthehen granata në rajonin e Gjorçe Petrovit. Nga MPB sigurojnë se granatat do të shkatërrohen sipas standardeve të parashikuara të sigurisë.
“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët se më 14.11.2025 (e premte) në ora 07:00 në rrethin e Qendrës Policore në Gjorçe Petrov në Shkup do të shkatërrohen granata, për të cilat sipas analizës së ekspertëve është konstatuar se nuk mund të transportohen jashtë Qendrës Policore. Granatat do të shkatërrohen sipas standardeve të parashikuara të sigurisë”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
VLEN: Besimi dhe qeverisja e mirë janë themeli i sigurisë dhe stabilitetit në rajon
Nga Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thonë se “vlerësojnë lart angazhimin dhe vizionin e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në Konferencën Rajonale të Sigurisë “WB–EU: Shared Security, Shared Future”, e cila u mbajt në Shkup me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverive të rajonit, të Bashkimit Evropian, Italisë dhe partnerëve ndërkombëtarë”.
Nga VLEN thonë se “në këtë ngjarje të rëndësishme, zëvendëskryeministri Fetai paraqiti qartë filozofinë e qeverisjes së re se siguria nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi besim, integritet dhe institucione të forta.
“Kjo është edhe rruga për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe të aftë për t’u përballur me sfidat moderne të kohës. Për VLEN-in vizioni i qeverisjes së mirë, i bazuar në transparencë, përgjegjësi dhe sundim të ligjit, është thelbi i politikës që sjell stabilitet afatgjatë. Reforma e shtetit dhe reforma e sigurisë ecin krah për krah dhe vetëm përmes institucioneve të besueshme mund të garantohet zhvillimi ekonomik, stabiliteti politik dhe besimi qytetar”.
“Bashkëpunimi rajonal dhe partneriteti me Bashkimin Evropian janë pjesë e pandashme e kësaj qasjeje, e cila synon ndërtimin e një kulture të re sigurie më bashkëpunuese, më moderne dhe më evropiane. Ky vizion i artikuluar nga zëvendëskryeministri Fetai është dëshmi e qartë se qeverisja e re është e vendosur ta forcojë shtetin përmes besimit dhe ta afrojë vendin drejt standardeve evropiane të stabilitetit, transparencës dhe mirëqeverisjes”, thonë nga VLEN.
-
Lajme nga rajoni1 month agoTirana mirëpret në tetor Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor
-
Lajme nga vendi2 weeks agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga rajoni2 months agoNë Nju York emërtohet rruga “Isa Boletini” në muajin e Pavarësisë

