Dosja hetimore e rastit të vdekjes së Vedat Ademit, e nxjerr ekskluzivisht në Emisioni “Inside21” tregon se i ndjeri ka vuajtur nga gurët në tëmth, duke e bërë që të kthehet nga Gjermania në Kumanovë për tu mjekuar dhe eventualisht për t’ju nënshtruar një intervenimi kirurgjikal. Sipas raportit, i ndjeri Vedat Ademi së pari është paraqitur në Emergjencë natën e 16 Marsit, ku është pranuar nga doktori kujdestar Asim Ademi, duke i dhënë infuzionin me përbërës pa analgin. Dokumentët zbulojnë që doktor Asimi Ademi është konsultuar me kirurgun Zoran Gjeorgjievski për kurim të mëtutjeshëm në spitalin ditor.
“Dr. Zoran Gjeorgjievski, Pa pasur informacion të mëparshëm që pacienti është alergjik në Analgetikë, e dha udhëzim që në infuzionin e dytë të shtohet ampula ANALGIN si përforcim të terapisë kundër dhimbjeve, kjo është evidentuar në shkresën për pranim të terapisë; Para aplikimit të terapisë së udhëzuar, infermieret kujdestare NUK e kanë pyetur pacientin në mënyrë plotësuese për ragime eventuale alergjike ndaj barërave të cakutara dhe madje NUK është kontrolluar libreza e shëndetësisë”, thotë Raporti i Komisionit të posaçëm të MSH.
Nga Prokuroria, deri më tani kanë marr në pyetje të gjitha palët relevante të përfshira në këtë tragjedi. Janë duke u ekzaminuar edhe dokumentet shëndetësore të të ndjerit nga mjeku amë Rexhai Dalipi, i cili fillimisht i ka dhënë tableta Pantroprazoll, nga internisti ku janë bërë kontrollet e fundit dhe ekg, deri tek mjekët në Gjermani, ku Vedat Ademi ishte me punë të përkohshme atje ku ka ndjerë dhimbjet e para.
Lëshime të shumë janë gjetur nga Komisioni i posaçëm i përbërë nga 5 specialist të klinikave universitare siç janë: Gjorgji Trajkovski, Vladimir Avramvoski, Enes Shehu, Goran Mitrevski dhe Smillko Jovanovski.
“Pas nisjes me procesin e reanimimit kardio-pulmunar është thirrur edhe anesteziologu dhe internisti kujdestar, komisioni ka konstatuar që nuk ka raport EKG të defibrilatorit. MUNGOJNË pajisjet për respirator automatik të ventilimit mekanik në tërë spitalin, si pasojë pacienti ka qenë i intubuar dhe i ventiluar me BALON ambulantor i lidhur me bombolën e oksigjenit, por në rast të vazhdimit të reanimimit do të ishte patjetër të lidhet me respirator”, thuhet ne raport.
Nga Prokuroria e Kumanovës thonë se ende janë në pritje të raportit të autopsisë nga Mjekësia Ligjore.
Ata për Inside21 thonë se hetimin janë duke e bërë edhe në dosjen mjekësore të pacientit të ndjerë për të parë gjendjen e tij shëndetësore ndër vite. Shefja e Prokurorisë së Kumanovës, Teuta Ramadani, flet ekskluzivisht për këtë çështje duke thënë se vendimtare është raporti autopsisë që presin. Pas saj, do të merren edhe masat përkatëse ndaj të dyshuarve për të ngritur akuzat adekuate, tha Ramadani.
“Kur kemi pasoja fatale shkojmë më veprën penale: Vepër e rënd kundër shëndetit të njerëzve, sipas Nenit 217 të Kodit Penal, ku parashikohet burgim deri në 10 vite. Mirëpo shkaku i vdekjes do të vërtetohet në bazë tu autopsisë që është kyçe për hetuesinë se a do shkojnë në përgjegjësi penale”, tha Teuta Bediu-Ramadani, Prokurore në PTHP-Kumanovë.
Ndërkaq, raporti i Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor tregon edhe lëshime të tjera. Intervenimi i ngathët në procesin e reanimimit në kushte spitalore nuk do të ishte me fatalitet na shoku anafilaktik nëse do të ishin të gjitha pajisjet e duhura dhe gatishmëria e stafit mjekësor për të intervenuar në kohë. Në raportin specialistik të kryer nga dr.Zoran Gjeorgjievski nuk është e shkruar anamneza e pacientit. Në terapinë e dhënë në ora 10:30 më 17.03.2025 përveç tjerash i janë dhënë edhe dy ampula Analgin. Këto në fakt, kanë qenë pikat e ilaçit që sa hynin në gjakun e Vedatit vinin e i ngushtonin indet e frymëmarrjes…