Lajme nga vendi
Mungesa e gjykatësve detyron qytetarët që të presin me vite që lënda e tyre të vijë në radhë

Gjykatat në të gjithë vendin po përballen me mungesë serioze të gjykatësve. Qytetarët me muaj madje me vite kërkojnë epilog për lëndë të caktuar nëpër labirintet e gjykatave. Për shembull, në Gjykatën Themelore të Strugës, delegohen gjykatës nga Shkupi ose për raste të caktuara gjykimet dërgohen në qytetin e Ohrit.
“Këta gjykatës që janë këtu, nuk dinë çfarë të bëjnë me numrin e madh të lëndëve dhe si t’i zgjidhin ato, janë shkelur afatet ligjore të parashikuara në ligj, duke qenë se nuk mund të veprojnë sipas afateve, për shkak të numrit të madh. Seancat caktohen për dy-tre muaj, pastaj fillon procedura prej në fillim. E tërë kjo komplikohet për shkak të mungesës së gjykatësve”, tha Vllado Çingoski- avokat.
Zgjidhja, thotë profesori Davitkovski, është në ndryshimet e ligjit, me të cilat u mundësua përzgjedhja e gjykatësve nga radhët e bashkëpunëtorëve profesionalë në gjykata, të cilët kanë përvojë pune dhe praktikë 10-15 vjet.
“Gjenerata e mëparshme që ka mbaruar Akademinë e gjykatësve, të gjithë duan të qëndrojnë në Shkup. Në Kriva Pallankë, në Kratovë dhe në disa qyteza nuk kishte gjykatës. Dhe çfarë bënë ata që janë fëmijë të dikujt, me lidhje politike dhe me kërkesë në Gjykatën Supreme, të gjithë qëndruan në Shkup. Tani ato gjykata janë bosh, dhe nga ana tjetër kemi mbipopullim në Shkup. Ne po e bllokojmë veten dhe kjo është rezultat i ndikimit të politikës”, tha Borçe Davitkovski- profesor.
Një nga propozimet është racionalizimi i gjykatave.
“Ndoshta duhet të ndryshohen edhe kompetencat e gjykatave. Për këtë arsye, një gjykatës zhvendoset nga një gjykatë në tjetrën. Atëherë do të racionalizohen edhe gjykatësit”, theksoi Arsen Janevski- profesor.Gazetar: Miki Trajkovski
Lajme nga vendi
Fetai: Një hap më afër drejt transparencës në menaxhimin me pronën shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.
Lajme nga vendi
Mexhiti: 229 milionë denarë për projekte ekologjike, ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë!

Zëvëndëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, sot ka njoftuar për shpalljen e Konkursit publik për ndarjen e mjeteve nga Programi për Investime në Mjedis për vitin 2025.
“Me këtë program synojmë të financojmë projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mjedisit; ujë të pastër, tokë të shëndetshme, biodiversitet të mbrojtur dhe vetëdije më të lartë publike. Kemi ndarë gjithsej 229 milionë denarë, të cilat do të shpërndahen për kanalizime dhe pastrim të ujërave të zeza; për ujësjellës; për projekte kërkimore e arsimore; si dhe për edukim dhe vetëdijesim mjedisor”, ka shkruar ministri Mexhiti.
Ai tutje në këtë njoftim ka ftuar të gjithë qytetarët e gjitha kategorive që të aplikojnë dhe ka veçuar kriteret të cilat do të kenë përparësi.
“Ftoj të gjitha komunat, OJQ-të, institucionet arsimore dhe shkencore, si dhe çdo individ apo organizatë që ka ide dhe vullnet të kontribuojë, që të aplikojnë. Këtë vit i japim rëndësi të veçantë zgjidhjeve inovative, ndaj ftoj veçanërisht kompanitë startup dhe IT që të sjellin ide të reja për një mjedis më të mirë. Afati është 3 javë nga dita e sotme dhe formularët janë të disponueshëm në faqen e Ministrisë”, ka përfunduar ministri Mexhiti.
Lajme nga vendi
Çair, hidhet koktej molotovi për të djegur një kazino

Më 8 prill, në orën 03:31, në SPB Shkup është raportuar nga një kazino në rajonin e Çairit se dy persona kishin hedhur një shishe me lëng të ndezshëm para hyrjes së kazinosë. Punonjësit e sigurimit e kanë shuar zjarrin.
Nuk ka persona të lënduar.
Po merren masa për zbardhjen e rastit.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve