Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dje kërkesën e Kabinetit të Zëvendëskryeministrit të ngarkuar për politika të qeverisjes së mire, Arben Fetai për zgjerimin e grupit të punës që do të hartojë Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit final të Revizorit shtetëror mbi menaxhimin e pronës shtetërore.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të menaxhimit të pasurisë publike, si dhe në parandalimin e keqpërdorimeve dhe mungesës së transparencës që kanë ndodhur në të kaluarën, thekson zëvendëskryeministri Fetai.
Grupi i punës, i udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit, do të përfshijë përfaqësues nga institucionet kyçe shtetërore: Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për ndërtimin dhe administrimin e hapësirave banesore dhe afariste (Sh.A. – Shkup), Ndërmarrja Publike për administrimin e hapësirave afariste në pronësi shtetërore (Sh.A. – Shkup), Agjencia për Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme, Ministria e Financave, Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë dhe Komisioni për Çështje Banesore.
Për herë të parë në historinë e vendit, po përgaditet edhe Regjistri Kombëtar i Pronës Shtetërore, një nismë e udhëhequr nga Kabineti i Zëvendëskryeministrit Fetai dhe bazuar në praktikat më të mira evropiane, me qëllim të eliminimit të rrezikut të korrupsionit dhe keqpërdorimeve në këtë sektor të ndjeshëm.
“Ky është një moment kyç për të ndërtuar një sistem modern të menaxhimit të burimeve shtetërore, ku transparenca dhe llogaridhënia janë parimet udhëheqëse,” vlerëson Fetai.