Lajme nga vendi
Faktori ndërkombëtar pret që Maqedonia të respektojë marrëveshjet bilaterale
Nuk po ndalen reagimet pasi të dielën presidentja e re e shtetit Gordana Siljanovska – Davkova në betimin solemn nuk e përdori mbiemrin “E veriut”. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja presin që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e suksesshme të anëtarësimit dhe të respektohen marrëveshjet dypalëshe duke e përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës. Nga Greqia, e cila është nënshkruese e Marrëveshjes së Prespës, thonë se deri në këtë moment nuk kanë ardhur deri në pikën që të vendosin veto, por se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është parakusht i nevojshëm për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Nga Kabineti i presidentes Siljanovska Davkova, dje informuan se ajo do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues, por se në paraqitjet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim.
“Sipas Kushtetutës, siç është përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues. Institucionet e vendit në pesë vitet e fundit pothuajse plotësisht kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidentja pret që të gjithë partnerët t’i respektojnë obligimet bilaterale dhe multilaterale që kanë ndërmarrë ndaj vendit”, thuhet në kumtesën e kabinetit të presidentes.
Zëdhënësi i Qeverisë greke Pavlos Marinakis dje foli për nevojën që të respektohet Marrëveshja e Prespës si detyrim ndërkombëtar i të dyja vendeve. Në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nëse porositë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kryeministrit grek se progresi dhe marrëdhëniet dypalëshe varen nga respektimi i Marrëveshjes, në praktikë do të nënkuptojnë edhe veto greke për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Marinakis tha se nuk kanë arritur në atë pikë, por se respektimi i Marrëveshjes së Prespës është parakusht i domosdoshëm.
“Në këtë moment nuk jemi deri në këtë pikë, por është e qartë dhe nuk duhen shumë interpretime, parakusht i domosdoshëm për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut është respektimi i Marrëveshjes së Prespës”, tha Marinakis.
Kryeministri grek Kirjakos Micotakis e cilësoi vendimin e Siljanovska-Davkova si të palejueshëm dhe provokues dhe i bëri thirrje asaj “të kthehet në detyrat e saj ligjore dhe në sjelljet që dalin nga roli i saj”. Në një postim në Fejsbuk, Micotakis ka thënë se “çdo hap i Shkupit drejt Evropës” varet ndër të tjera nga përdorimi i emrit kushtetues.
“Zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut që ta shkelë tekstin zyrtar të betimit dhe ta quajë vendin me emër të ndryshëm përfaqëson nismë të paligjshme dhe të palejueshme. Akt që e shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë kushtetutën e shtetit të saj. Por edhe minimin e së ardhmes së shtetit, siç tashmë deklaruan kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell”, shkroi kryeministri grek.
Edhe nga Bashkimi Evropian dje me porosi se marrëveshjet dapalëshe ekzistuese duhet të respektohen dhe zbatohen.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano deklaroi se Bashkimi Evropian pret që autoritetet e reja në Maqedoninë e Veriut të tregojnë përkushtim mbi të ardhmen evropiane dhe të vazhdojnë rrugën e suksesshme të paraqasjes.
“Marrëveshjet dypalëshe ekzistuese duhet të zbatohen me mirëbesim nga të gjitha palët, përfshirë Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë, duke përfshirë protokollet e saj. Këto janë pritshmëritë e BE-së, theksoi Stano.
Edhe nga Departamenti i Shtetit deklaruan se SHBA-ja bëri thirrje për respektim të Marrëveshjes së Prespës.
“SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Derisa qeveria e re po formohet dhe një kryeministër po zgjidhet, ne do të vazhdojmë të përforcojmë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në BE, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Nga Ministria gjermane e Punëve të Jashtme dje njoftoi se Maqedonia e Veriut ka për obligim të respektojë Marrëveshjen e Prespës. Qeveria në Berlin, siç raporton Dojçe vele, dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re në Shkup dhe e konsideron të rëndësishme që vendi të vazhdojë rrugën drejt BE-së dhe të zbatojë reformat e nevojshme gjatë rrugës.
“Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në Gjermaninë drejt asaj rruge. Sa i përket përdorimit të emrit, ekziston marrëveshje ndërkombëtare, Marrëveshja e Prespës me Greqinë për të cilën Maqedonia e Veriut është e detyruar”, deklaroi zëdhënësi i MPJ-së gjermane, Kristian Vagner.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ju bëjnë thirrje të gjithë faktorëve politikë, veçanërisht funksionarëve të zgjedhur shtetërorë, të kenë kujdes për marrëveshjet të njohura ndërkombëtarisht.
“Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit strategjik në Dialog strategjik me SHBA-në. Bëjmë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionerët e zgjedhur shtetëror. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik dhe garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, theksoi dje MPJ-ja.
Për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës dhe për bashkëpunimin mes të dyja shteteve bisedë telefonike zhvilluan edhe ish kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras.
Ciprasi dhe Zaevi kanë biseduar për zhvillimet politike në vendin tonë, ndërsa përveç rëndësisë së Marrëveshjes së Prespës, sipas informacioneve të MIA-s nga Athina, kanë theksuar “se sa hipokrit dhe i rrezikshëm është populizmi nacionalist që është zhvilluar nga të dyja palët”.
Në të njëjtën kohë, ata ranë dakord që në periudhën e ardhshme të ndërmarrin nisma të përbashkëta për mbështetjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet popujve të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për paqen dhe stabilitetin në rajonin e gjerë.
Presidentja Siljanovska – Davkova u inaugurua të dielën në Kuvendin e Maqedonisë, ku dha deklaratë solemne, pas çka filloi mandati i saj pesëvjeçar si presidente e shtetit. Si presidentja e gjashtë që nga pavarësia e vendit dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë pozitë, Siljanovska-Davkova e trashëgoi Stevo Pendarovskin në postin presidencial, pasi e fitoi atë në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj.
Lajme nga vendi
“Rrugës së Butiqeve” në Tetovë i kthehet pamja e vjetër, gjatë ditës do të mbyllet për makinat
“E konstruuar sipas modelit që ishte dikur, ende pa u përfunduar edhe pse kanë mbetur edhe shumë pakë ditë, sot, kjo rrugë që njihet si “Rruga e Butiqeve”, po gëzon sot një manifestim për herë të parë në qytetin e Tetovës, Panairin e Artizanateve ku marrin pjesë të ardhur nga Kosova dhe vendi siç është qyteti i Tetovës dhe ai i Shkupit. Shpresojnë që panaire të këtilla të ketë më shpesh thonë shitësit, sepse kështu do njihemi se çka prodhojmë dhe çka i ofrojmë publikut”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
“Duhet të ketë më shpesh panaire që të na njohin njerëzit, të na shohin ku jemi, çka jemi, çka ofrojmë. Ky zanat nuk humbën. Unë vij nga fshati Vicë, Malësia e Sharrit, vet i prodhojmë çiftelitë sharkitë vetë i prodhojmë”, u shpreh Naim Abdurahmani, punues çiftelish.
“Punimet janë unikate dhe janë të rajonit të Pollogut, pastaj edhe ngjyra, sidomos e verdhë e kuqe janë të Pollogut. Ky serm e ka emrin gold, përdoret më shumë në Tetovë apo në Pollog, është i punuar edhe me brendësinë kadife dhe pëlhurë brenda”, tha një punues i dimive.
Projekti i Panairit të Artizanateve, njëjtë sikurse edhe projekti për rregullimin e rrugës së Butiqeve me kalldrëme, realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar të komunës së Tetovës dhe asaj të Prizrenit, ndërsa bashkë financohen nga fondet IPA, me qëllim të zhvillimit të turizmit në të dy qytetet por edhe kthimit të dy rrugëve në pamjen e tyre të vjetër, e që është një në Tetovë e tjetra në Prizren. Kreu i komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe ndërrimin e fasadave të dyqaneve të kësaj rruge.
“Kjo rrugë siç e shohim ngadalë po merr pamjen e saj, me kalldrëme të kandelabrat, ulëset dhe elementet tjera, dhe do jetë një impuls i rëndësishëm për zhvillimin e bizneseve që ndërlidhen me aktivitete artizanale dhe në të kaluarën kanë pasur një impakt të rëndësishëm në ekonominë lokale. Kjo është vetëm faza e parë, ndërsa jemi në bisedime për të kthyer në këtë gjendje edhe disa rrugë anësore, por edhe të bëjmë projektin ideor edhe për pamjen e fasadave të lokaleve dhe objekteve që janë në këtë rrugë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Brenda ditës, kjo rrugë do të jetë pa makina dhe do të shfrytëzohet vetëm si pedonale nga banorët por edhe vizitorët për rreth.
Lajme nga vendi
Personi që u shpëtua dje nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit, u hodh në Vardar për t’i shpëtuar policisë.
Personi i cili u shpëtua nga zjarrfikësit nën Urën e Gurit dje pasdite është hedhur në Vardar për t’i shpëtuar policisë.
“Sloboden Pechat” publikoi dje një video të operacionit të shpëtimit në Urën e Gurit, ku tregohej sesi një burrë, lakuriq deri në bel, u gjend në një nga shtyllat e urës, i shkëputur nga kontinenti.
Sipas informacioneve të “Sloboden Pechat” nga Ministria e Punëve të Brendshme, burri është gjetur aty pasi policët e njësisë së ndërhyrjes e kanë vërejtur duke kryer një “vjedhje të pacipë”, pra duke vjedhur çantën e një gruaje. Për t’u shpëtuar nga policia, burri është hedhur në Vardar, por më pas ka ngecur në një nga shtyllat.
Zjarrfikësit sollën një shkallë për ta nxjerrë burrin në breg dhe policia më pas e mori atë në paraburgim. Por ajo është dashur ta linte të ikte pasi nuk iu gjet asgjë dhe gruaja viktimë nuk e denoncoi fare në polici tentativën për vjedhje.
Lajme nga vendi
Universiteti i Evropës Juglindore shënoi 23 vjetorit e themelimit të tij
Në prani të korit diplomatik, drejtuesve të Universiteteve vendore dhe figura të politikës, Universiteti i Evropës Juglindore, ka shënuar 23 vjetorit e themelimit të tij.
Bexheti tha se UEJL ka arritur të shtojë jo vetëm programet studimore dhe kapacitetet e këtij institucioni arsimor, por edhe numrin e studentëve
“UEJL lindi në vjeshtën e vitit 2001, në muajin më të ndritur të historisë sonë, muajin e alfabetit të gjuhës shqipe, të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe flamurit kombëtar, pra sot mbushim 23 vite. Numri 23 njihet si numër engjëllor. Kuptimi numerologjik i tij i përbërë nga numri dy dhe tre, rezulton simbol të fuqishëm të rritje shpirtërore, ndriçimit dhe aktivitetit krijues. Atributi i ndriçimit i referohet dijes që ka ndriçuar rrugëtimin e 23 gjeneratave me mbi 35.000 studentë të regjistruar dhe mbi 17.000 të diplomuar deri sot. Iluminizmi arsimor dhe shkencor i këtyre plejadave që janë alumni jonë, na motivon edhe më shumë kur shohim se gjeneratat e para të diplomuara sot i kanë tejkaluar edhe orbitat shkencore dhe shkëlqejnë gjithandej si ambasador të denjë të punës sonë të përbashkët në këtë institucion. I jemi mirënjohës pafund bashkësisë ndërkombëtare dhe taksapaguesve evropian dhe amerikan për kontributin e çmuar sidomos në dekadën e parë të këtij institucioni kur u themelua konsolidua dhe u rrit mbështetja e çmuar si në aspektin infrastruktural ashtu edhe në atë institucional”, tha Abdylmenaf Bexheti. Rektor i UEJL-së.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve