Lajme nga vendi
Përmbaruesit “zhvatës” të pashembulltë, qytetarët në hall!

Përmbaruesit janë shndërruar në tmerr të qytetarëve, ankesa pa numër në drejtim të përmbaruesve që po “zhvatin” qytetarët e varfër. Mbi 93 përmbarues të regjistruar në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar kanë marrë apo vjelur afër 160 milionë euro (159.761.407 euro), thuhet në raportin e publikuar të Odës së Përmbaruesve për vitin 2023. Nga shuma totale prej afër 160 milionë eurove, 41.9 milionë euro janë mbledhur vetëm nga qytetarët. Shumë jashtëzakonisht e lartë për një vend dhe shoqëri të varfër, por përmbaruesit nuk e kanë ndërmend të ndalen pasi askush që është mbi ta nuk po i ndal dot që kjo veprimtari famkeqe e tyre të merr fund njëherë e përgjithmonë. Kjo gjë duhet të rregullohet me ligj që tavani i kamatës mos të jetë më i lartë se borxhi, por përderisa po vjelën qytetarët askush nuk po brengoset.
Përmbaruesit gjatë 2023 kanë “zhvatur” afër 160 milionë euro
Mbi 93 përmbarues të regjistruar në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar kanë marrë apo vjelë afër 160 milionë euro (159.761.407 euro), thuhet në raportin e publikuar të Odës së Përmbaruesve për vitin 2023. Vetëm në territorin e Gjykatës Themelore Shkup dhe Gjykatës Penale Shkup janë përmbaruar mbi 92 milionë euro.
Nga shuma totale prej afër 160 milionë eurove, 41.9 milionë euro janë mbledhur nga qytetarët, derisa në vitin 2022 ka qenë 40.5 milionë euro. Nga institucionet shtetërore janë vjelur 29.53 milionë euro, që është rezultat më i mirë se vitet e kaluara. Dhe nga bizneset janë marrë 90.34 milionë euro. Bëhet fjalë për 76 mijë raste të ekzekutuara.
Përmbaruesit në mbrojtje të interesit të bankave shkatërrojnë dhe fundosin qytetarët –
Përmbarimi është i paraparë si instrument me qëllim që të mos dëmtohen bankat apo kreditorët ato që kryesisht japin hua. Dhe, si i tillë paraqet instrument efikas sepse në të kaluarën gjyqet kanë qenë të mbushura me lëndë dhe këto shoqëri bankare nuk kanë mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, prandaj është paraparë përmbarimi si shërbim publik i cili ushtrohet nga përmbaruesit. Por, në realitet ky shërbim publik kur shkelet nga vetë përmbaruesit kjo shkon krejt në kurriz të qytetarëve duke dëmtuar deri në palcë si pasojë e ngarkesës dhe shtimit të borxhit, deri në afat të pa caktuar.
Avokati i popullit, Naser Ziberi, për Zhurnal më herët pati thënë se nuk është problemi te ekzistenca e përmbaruesve, por te shkeljet e dispozitave ligjore që bëhen pikërisht nga këta përmbarues. Sepse, sipas tij përmbaruesit marrin mjete që nuk janë të parapara për përmbarim, kamata nuk ka tavan, bllokohet burimi i vetëm financiar e të tjera, që krejt këto rëndojnë jetesën e qytetarëve.
“Nuk paraqet problem sistemi, por keqpërdorimi sistemit. Do të thotë rastet kur përmbaruesit nuk respektojnë dispozitat ligjore për përmbarim, ligjeve për marrëdhënie obligative të cilat shpesh herë shkelen nga ana e përmbaruesve. Këto shkelje shpesh herë ndodhin në rastet kur përmbaruesi nuk e bënë informimin në kohë të kreditorit apo atij që ka borxh, pra mos njoftimi në kohë ja shkurton mundësinë qytetarit që ta shlyejë borxhin dhe mos t’i bllokohet llogaria, mos t’i rritet kamata. Problemi i dytë paraqitet kur përmbaruesi merr mjetet të cilat me ligj janë të ndaluara të preken siç janë ndihma sociale, shtesat fëmijërore, e kështu me radhë, ose merren më shumë mjete se sa me ligj është e lejuar. Kur një qytetarë e ka burim të vetëm financiar rrogën apo pensionin, përmbaruesi nuk guxon ta ndalojë më shumë se një të tretën, por në praktikë ndodhë e kundërta”, pati deklaruar Ziberi.
Ai shtoi se, problem tjetër shumë serioz janë edhe mjetet që përmbarohen, pasi shpesh herë ndodhë të përmbarohen mjete që janë ekzistenciale si kushte elementare për jetesë, duke përfshirë këtu edhe mobiljet e shtëpisë, aparate të ndryshme si televizor, frigorifer, mjete të cilat ligjërisht janë të përjashtuara nga përmbarimi.
Por, nuk është kjo e tëra pasi çështja kryesore dhe shumë problematike e dëmtuese për qytetarët është edhe mungesa e një tavani për kamatën. Pra, në mënyrë legjitime kamata rritet pa ndërprerë dhe kalon shumën e borxhit, dhjetëfishohet deri në pa kufi. E kjo rëndon dhe shton borxhin sa më shumë, që qytetarët mos të kenë mundësi kurrë në jetë ta shlyejnë atë borxh, që i bie edhe nëse paguajnë me këste paguajnë vetëm kamatën por jo edhe borxhin. Më e trishtë se kaq, qytetari vdes por borxhi vazhdon të jetojë dhe i transferohet trashëgimtarëve.
Kur flasim për përmbarues dhe qytetarët si palë të dëmtuar, avokati i popullit tha për Zhurnal se ka jashtëzakonisht shumë ankesa nga qytetarët të cilat janë rrëqethëse, një borxh prej 3 mijë eruove, i bëhet 10 mijë e deri 15 mijë euro, ose mos të flitet për shumë më të mëdha kur borxhi është 20 mijë apo 30 mijë euro, qytetarët vdesin dhe nuk arrijnë ta paguajnë borxhin, madje u bartet edhe trashëgimtarëve borxhi.
Nuk ka mundësi logjike që një qytetarë me një pagë minimale përnjëherë të paguajë një shumë aq të lartë të borxhit, edhe nëse paguan me këste i bie që paguan vetëm kamatën por jo edhe borxhin, prandaj mos kufizimi i kamatës ndëshkuese paraqet problem serioz për qytetarët. Prandaj, kur kërkohen shkaqet tjera pos mungesës së punës se përse qytetarët braktisin vendin, në këtë shkaqe mund të llogaritet edhe kjo “përdhosje” e dinjitetit të qytetarët që në emër të ndihmës e mbrojtjes ligjore shkatërrohen, fundosen dhe dëmtohen maksimalisht qytetarët. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve