Lajme nga vendi
Ashpërsohet gjuha e urrejtjes para fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Partitë politike kanë ashpërsuar retorikën nxitëse gjatë prezantimit të kandidatëve të tyre për president të Maqedonisë së Veriut, por edhe në debate e statuse në rrjetet sociale, me besimin se në këtë mënyrë mund të përfitojnë vota në zgjedhjet që do të mbahen më 24 prill.
Madje, në disa raste nuk kanë munguar as fyerjet që konsiderohen raciste, në mes të zëvendëskryeministrit Artan Grubi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Izet Mexhitit nga opozita shqiptare dhe kryetar i Lidhjes Demokratike.
Grubi, në një postim në rrjetin social Facebook kishte etiketuar të gjithë zyrtarët e opozitës si “afrikan”, “rus”, “turkmenistan” e kështu me radhë, ndërsa Mexhiti i është përgjigjur duke e quajtur atë si “kazinomen”.
Retorika nxitëse është evidente edhe mes partive maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe VMRO DPMNE-së, të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën për “politika ruse”, “qeverisje një etnike”, e akuza tjera.
Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi të martën ka shprehur shqetësimin lidhur me gjuhën e urrejtjes që po shfaqet nëpër tubimet partiake dhe qëndrimet e tyre në rrjetet sociale.
Drejtuesit e komisionit u kanë bërë thirrje partive politike, kandidatëve për president, bartësit të listave të partive politike për deputetë që të “përmbahen nga retorika nxitëse dhe gjuha e urrejtjes pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike”
“Ne i ndjekim rrjetet sociale dhe mediat tradicionale bazuar në kapacitetet tona dhe veprojmë ndaj çdo rasti apo individi që denoncon gjuhën e urrejtjes. Veprojmë pa marrë parasysh se do të përçojë gjuhë të urrejtjes dhe përdor fjalor shqetësues. Unë i bëj thirrje çdokujt që vëren fenomene të tilla, që t’i paraqesë para Komisionit për veprim të mëtejmë. Puna jonë është që të kërkojmë nga personat që publikisht të distancohen nga përdorimi i fjalorit të tillë, në të kundërtën, këtë ua përcjellim institucioneve të tjera”, ka deklaruar Igor Jadrovski, kryetar i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Retorika e partive në vigjilje të fushatës zgjedhore nuk ka për qëllim që t’i avancojë agjendat partiake, por t’i nxisë eksponentët politikë, thonë njohësit e çështjeve politike.
Analisti Besim Nebiu thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë duhet të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes dhe të përqendrohen në ofertat e tyre zgjedhore.
“Ky është një fenomen i rëndomtë, të cilin e shohim në të gjitha fushatat. Partitë nuk kanë evoluar as në formën me të cilën e bëjnë fushatën e zezë. Kjo fushatë negative nuk ka efekt te popullata, është një deja-vu, që e kemi parë shumë herë më parë dhe e cila nuk e impresionon askënd. Besoj se partitë duhet të kthehen në shtjellimin e programeve të tyre, projekteve dhe obligimeve që marrin para qytetarëve”, thotë Nebiu, njohës i çështjeve politike.
Komunikologu Bojan Kordalov thotë se përplasjet mes partive për çështjet programore, ofertat dhe problemet janë normale, por ato duhet të ofrojnë edhe zgjidhjet e tyre dhe jo të merren me ofendime.
“Të keni qëndrim negativ ndaj qeverisjes së ndonjë partie është shumë normale, pasi kemi të bëjmë me konkurrencë, por menjëherë pas kritikës duhet të ofroni alternativë. Kjo është ajo që gjithmonë na mungon. Nëse ju kritikoni një rrugë që është përplot me gropa, ju duhet të ofroni zgjidhje. Nëse nuk thoni se shumë qytetarë presin kohë të gjatë për një pasaportë, këtë të gjithë e dinë, por ju duhet të ofroni zgjidhje për këtë problem, por edhe për problemet tjera. Kjo te ne mungon, andaj partitë më tepër janë të përfshirë në fushata me gjuhë të urrejtjes apo retorikë nxitëse. Nga kjo askush nuk përfiton, në veçanti nuk mund t’i prisni votat nga ata qytetarë të papërcaktuar pasi përveç retorikës nxitëse, ata nuk shohin alternativë për jetë më të mirë”, thotë Kordalov.
Fushata elektorale për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit fillon më 4 prill dhe zgjat 20 ditë. Rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.
Lajme nga vendi
32-vjeçari nga Kumanova ndërron jetë në spital, autoritetet po hetojnë rastin

Më 17.03.2025, rreth orës 11:35, nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës është raportuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Kumanovë se një pacient me gjendje të përkeqësuar shëndetësore, V.A. (32) nga Kumanova, është sjellë në spital, ku i është dhënë terapi, por ka ndërruar jetë pas një kohe të shkurtër.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi i tij është dërguar për autopsi, ndërsa oficerët e policisë nga SPB Kumanovë kanë kryer inspektim dhe kanë marrë në pyetje të gjithë personelin mjekësor të pranishëm.
Hetimet për zbardhjen e rastit po vazhdojnë.
Lajme nga vendi
E mbijetuara e zjarreve drejtuar policisë: I kërkova ndihmë pasi nuk kisha frymë dhe polici më tha se nuk mundet

Një e mbijetuar e tragjedisë në Koçani, Ana Karova me një status në rrjetet sociale ka treguar për dhimbjen dhe sfidat për të shpëtuar në rrëmujën e diskotekës që digjej, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ku jetojmë ne, o popull?
Ku janë njerëzit që duhet të KUJDESEN për ne? Njerëzit që janë betuar se do të ndihmojnë, do të shpëtojnë, do të sakrifikohen?! Ku ishin ata kur ne luftonim për jetën? Qëndronin në heshtje dhe na shikonin…
Thërras:
– Ndihmë, më shpëtoni! Ju lutem! Nuk kam ajër!
Ndërsa personi që mban titullin POLIC më kap për dore dhe më thotë:
– Nuk mundemi!
Largohet dhe nuk më shikon. Vetëm dëshpërim kishte në sytë e mi, DËSHPËRIM!
TURP JU QOFTË, NJERËZ! Të gjithë jemi fëmijë! Të gjithë luftonim për jetën! Vetëm Zoti na mbrojti në atë moment fatal. Ku do ta çoni shpirtin tuaj, o njerëz?!! KU?!! TË GJALLË DIGJESHIM!!!!!
Nuk e dinim pse, si, pse pikërisht ne duhet të vuajmë për mëkatet TUAJA? Ne nuk e meritonim këtë… mendonim se do të kujdeseshit për ne! Që të vegjël e shikonim policinë si shembull… në ujë u fundos ai ëndërr fëminore, se polici është hero…
JO! NE JEMI HERONJTË, DHE JU QOFSHI ME TURP QË KRENARISHT E QUANI VETEN SHPËTIMTARË! Nga kjo përjashtoj policët që ndihmuan, të cilët mund të numërohen me gishta” ka shkruar Ana Karova.
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=3471100246532712&id=100008983117129&ref=embed_post
Lajme nga vendi
Paraburgim për të gjithë 16 të dyshuarit, Bekteshi dhe Trajkovski përfunduan në Shutkë

Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe 14 të dyshuar të tjerë janë në paraburgim prej 48 orësh për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, transmeton Portalb.mk.
“Deri më tani, Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Propozimet janë pranuar dhe masa u është shqiptuar të gjashtëmbëdhjetës personave. Për karakteristikat e secilit të dyshuar zyrtarisht do të flasim kur të hyjmë në hetim. Për momentin bëhet fjalë për persona që dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në tragjedi”, thonë nga Prokuroria.
Gjykata e Koçanit thotë se po vepron sipas sugjerimeve të Prokurorisë, në lidhje me zjarrin në “Puls” të Koçanit, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 u lënduan.
Ljupço Kocevski dje ka njoftuar se në lidhje me aksidentin në klubin e natës “Pulse” në Koçan, po punohet për ndjekjen e menjëhershme të 14 të dyshuarve.Ai bëri me dije se dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej të paktën tre vjet pa kufi të sipërm, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Njëkohësisht ai tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit si dhe prokurimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike.
“Deri në këtë pikë janë duke u proceduar gjithsej 14 persona të siguruar me veprimet tona të deritanishme. Nga inspektimi i kryer mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe vijojnë analizat shtesë dhe raportet e ekspertëve nga zona përkatëse”, tha Kocevski, duke shtuar se gjatë kësaj jave ka mundësi për fillimin e procedurës hetimore.
Bekteshi, Trajkovski dhe një person tjetër janë sjellë mbrëmë para gjykatës në Koçan. Pas marrjes në pyetje ata janë dërguar në Burgun e Paraburgimit Shkup. Së bashku me ta janë marrë edhe tre persona të tjerë. Të tjerët janë në repartin e paraburgimit në burgun e Kumanovës.
Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili siç ka njoftuar Prokuroria do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.
“Është bërë marrja në pyetje e kryetarit të komunës, i cili ka dhënë sqarime dhe informacione të caktuara. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë”, njoftuan nga Prokuroria.
Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve