Lajme nga vendi
Ligji për ndalesë të praktikave jokorrekte tregtare para Komisionit juridiko-ligjvënës
Komisioni parlamentar juridiko-lighdhënës sot duhet të debatojë rreth Projektligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare në zinxhirin e furnizimit me produkte bujqësore dhe ushqimore, me procedurë të shkurtuar, pasi që dje ky vendim ligjor kaloi në Komisionin për çështjet evropiane.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pret që ligji të jetë në seancë plenare më 11 ose 13 të këtij muaji dhe të votohet, pas së cilës pas shpalljes në Gazetën Zyrtare do të hapet seanca publike.
Bekteshi siguron se nuk do të ketë rritje enorme të çmimeve të produkteve në periudhën derisa të fillojë zbatimi i plotë i ligjit, e veçanërisht për produktet për të cilat deri në fund të muajit të kaluar kishte çmime të garantuara.
“Kam folur me të gjithë prodhuesit dhe tregtarët vendas, me shumicë dhe pakicë. Nëse keqpërdoret kjo periudhë derisa konstatohet lista e plotë dhe derisa ndryshohen kontratat që furnizuesit kanë me tregtarët për t’u dhënë atyre një afat për të rinegociuar disa gjëra që kanë paraparë kontratat e tyre të furnizimit, ata e dinë se në Ministrinë e Ekonomisë jemi të gatshëm që gjatë ditës të marrim vendime që nuk do të jenë në favor të grupeve të caktuara që të mund të bëjnë keqpërdorime të tilla”, ka thënë Bekteshi.
Keqpërdorimet, sqaron ministri do të përcaktohen nga Inspektorati Shtetëror i Tregut i cili me profesionalizëm kryen punën dhe në baza ditore ndjek situatën.
Nga mbi 2500 produkte që do të përfshihen me ligj, 70 deri në 80 për qind janë produkte bujqësore dhe ushqimore që janë në treg në vend dhe lista, njoftoi Bekteshi, do të zgjerohet nëse ka kërkesa.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, dje sërish u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë ligjin sepse, siç tha ai, vetëm në atë mënyrë do ta zgjidhim institucionalisht problemin e rritjes së mundshme të çmimeve jashtë tregut.
Inspektorati shtetëror i tregut është çdo ditë në terren. Sapo të marrim raportin nëse dhe cilat produkte kanë rritje të çmimeve, do të bëhet e ditur për opinionin, veçanërisht nëse bëhet në mënyrë të organizuar, tha Bytyqi
Në Komisionin për mbrojtje të konkurrencë, tashmë ka një parashtresë dhe pret që përbërja e re e Komisionit ta përshpejtojë punën që nëse vëren mënyrë të organizuar të rritjes së çmimeve, këtë ta ndërpret.
Me miratimin e Projektligjit pritet të arrihen efekte pozitive në funksionimin e biznesit të të gjithë operatorëve (blerës dhe furnitorë), të cilët janë aktivë në zinxhirin e furnizimit bujqësor dhe ushqimor. Autoritetet presin t’i jepet fund konkurrencës së pandershme në tregti dhe se ky ligj do të sjellë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Në datën 29 të muajit të kaluar ka përfunduar masa për çmimin e garantuar të disa produkteve ushqimore si buka, qumështi, kosi, makaronat, disa produkte mishi, si dhe pijet joalkoolike dhe birra. Nuk është në fuqi as vendimi i qeverisë, me të cilën u ulën tarifat e importit për perimet.
Lajme nga vendi
Normalizohet transporti publik në Shkup, studentët pasdite në protestë
Normalizohet gjendja me transportin publik në Shkup. Drejtori i NQP-së “Shkup”, Dragi Kushovski thotë se sasitë e naftës nuk janë dorëzuar plotësisht, por furnizimi aktualisht është i mjaftueshëm. “Transporti publik është normalizuar sot. Të gjitha linjat funksionojnë, njësoj si më parë, pra njësoj si para shfaqjes së problemit me mungesën e karburantit. Të gjitha autobusët që janë në gjendje pune po qarkullojnë rregullisht, tha Kushovski. Transporti publik në Shkup dy ditët e fundit shkaktoi kaos në kryeqytet për shkak të reduktimit të autobusëve si pasojë e mungesës së naftës. U lëshuan vetëm rreth tridhjetë autobusë të Ndërmarrjes Publike të Transportit, nga të cilët 25 funksiononin me gaz natyror dhe disa të tjerë që kishin rezerva nafte. Qeveria dje, në një seancë të jashtëzakonshme vendosi të shpallë gjendje krize dhe të ofrojë naftë për shtatë ditët e ardhshme nga rezervat shtetërore. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
RMV, dënimi i 13 personave për përdhunim zhgënjyes, kërkohen reforma dhe dënime më të ashpra
Aktgjykimi që Gjykata Themelore Penale në Shkup e dha kundër 13 personave për trafikim të fëmijëve, sulm seksual dhe përdhunim, si dhe prodhim dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve është një zhgënjim i madh dhe nuk pasqyron në mënyrë adekuate peshën e krimeve të kryera. Këto akte nuk janë vetëm një shkelje e rëndë e të drejtave të viktimës. Dënimet me burgim nën minimumin e përcaktuar ligjërisht për vepra të tilla të rënda të krimit të organizuar minimizojnë seriozitetin e këtyre veprave dhe në këtë mënyrë amnistojnë përgjegjësinë penale të autorëve, reaguan nga Platgorma për barazi gjinore, transmeton Portalb.mk.
“Dënime të tilla të reduktuara, në vend që t’i pengojnë ata nga kryerja e veprimeve të njëjta ose të ngjashme, mund t’i inkurajojnë burrat që të kryejnë përsëri forma të tilla të dhunës seksuale në të ardhmen. Banalizimi i vuajtjeve të viktimave në publik dërgon gjithashtu një mesazh shqetësues se si shoqëria jonë vlerëson sigurinë dhe mirëqenien e vajzave dhe grave”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, sipas Platformës, gjykata edhe pse kishte detyrim të vendoste lidhur me kërkesën për kompensimin e dëmit nga ana e viktimës, e refuzoi të njëjtën gjë dhe viktima e drejtoi të drejtën e tij për ta ushtruar atë në procedurë civile.
“Çdo vonesë e mëtejshme në drejtësi përbën viktimizimin për viktimën dhe e bën të pamundur shërimin dhe riintegrimin e tij. Akoma më shqetësues është rrëfimi i mbrojtjes që fajësonte në mënyrë indirekte viktimën e mitur, – ndaj në vend që të fokusohej tek krimet e autorëve, karakteri dhe e kaluara e viktimës u evidentuan si arsye që justifikonin cenimin e integritetit trupor, sigurisë dhe mirëqenies. Një diskurs i tillë publik vetëm përforcon stereotipet e rrezikshme, përjetëson diskriminimin sistemik dhe mund të dekurajojë viktimat e tjera të dhunës nga kërkimi i drejtësisë”, thuhet në reagim.
Theksohet edhe mungesa e ndonjë reagimi publik të Prokurorisë Publike për krimin e organizuar në lidhje me sanksionet e përcaktuara në këtë mënyrë për këto krime të rënda dhe deklaratat e gjykatës dhe të mbrojtjes.
“Ky rast nënvizon nevojën urgjente për reforma sistematike, duke përfshirë dënime më të ashpra për krimet ndaj vajzave dhe grave. Ne mbetemi të përkushtuar në përpjekjet dhe presionin për të hequr narrativat mizogjene nga procedurat ligjore dhe inkurajojmë publikun që të monitorojë me vigjilencë punën e institucioneve dhe të kërkojë drejtësi. Dhe drejtësia duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe e qartë në dënimin e atyre që dëmtojnë më të pambrojturit”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se dënimi më i lartë që u shqiptua me 20 nëntor në Gjykatën Penale në Shkup është 5 vjet e 6 muaj burg, ndërsa më i ulëti me kusht. Të 13 të rinjtë nga mosha 22 deri në 32 vjeç u shpallën fajtorë nga gjykata për abuzim seksual me të miturën, filmimin e saj dhe shpërndarjen e incizimeve.
Lajme nga vendi
Edi Rama: Gjuha Shqipe, dje, sot, përgjithmonë
Sot, 22 nëntor, është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e cila së fundmi është shpallur festë zyrtare në Shqipëri.
Kjo është hera e parë që 22 Nëntori kremtohet si festë kombëtare pas miratimit të vendimit në fillim të këtij viti.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, ku përcillet mesazhi se gjuhën shqipe duhet ta duam, ruajmë dhe t’ia përcjellim brezave që vijnë.
“Gjuha Shqipe, dje, sot, përgjithmonë. Ta ruajmë, ta duam, ta përcjellim te brezat që vijnë”, thuhet në video, ndërkohë që Rama e ka shoqëruar me një shkrim të thjeshtë: Gëzuar ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve