Lajme nga vendi
Përse mungojnë duelet televizive ndërmjet politikaneve shqiptarë?

Po vjen shumë shpejt koha për zgjedhjet parlamentare, presidenciale, e nuk janë larg as ato lokale. Në zgjedhje partitë politike në emër të demokracisë garojnë për të marrë besimin e qytetarëve që të qeverisin si në pushtetin lokal ngjashëm edhe në atë qendrorë. Por, për të bërë vlerësime objektive e jo të gabuara qytetarëve i duhet të shohin aftësitë e kandidaëve që garojnë pavarësisht pozitave. Pra, thënë më qartë jetike janë debatet televizive ndërmjet kandidateve të ndryshëm nga parti politike të ndryshme për të parë qartë ndeshjen dhe ballafaqimin e argumenteve dhe ofertave të tyre që kanë për qytetarët. Por, kjo praktikë mbase është pak e zbehur në vendin tonë, që është shumë e vështirë t’i bësh bashkë kandidatët që garojnë në një debat televiziv. E aq më pak krerët e partive politike. Përjashtojmë, ish kryeministrin Zaev i cili pati marrë pjesë në një debat televiziv me oponentin e tij Mickovski, që është rast i rrallë. Përderisa në kampin maqedonas dy liderët më të votuar oponent mund të ulen në një studio televizive dhe të debatojnë, në kampin shqiptarë kjo çështje vazhdon të mbetet utopike. Liderët maqedonas nuk e knaë fare problem edhe të ulen kokë më kokë të bisedojnë kur bëhet fjalë për çështje që janë me interes nacional, e për fat të keq liderët shqiptarë mund t’i bashkojë vetëm ndonjë rast mortor, shkruan Zhurnal.
Mickovski fton Kovaçevskin në duel televiziv –
Në kontekst të zhvillimeve aktuale politike në vend lidhur me ndryshimet kushtetuese, Mickovski i bëri thirrje kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçeski që të ballafaqohen në duel televiziv.
“Kovaçevski ka frikë të shkojë në zgjedhje, ka frikë të dalë në duel televiziv. Që të mos ketë e thamë kështu, e thamë ashtu, takim ekipesh, takim liderësh, këtu publikisht para publikut në duel televiziv, ballë për ballë le të themi çfarë të duam dhe ta lëmë popullin të gjykojë”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
LSDM dhe VMRO- DPMNE nuk po bien dakord edhe pas dy javëve prej kur u takuan tek a tek se si të shqyrtohen propozimet, që përfshijnë ndryshime kushtetuese me zbatim të mëvonshëm, zgjedhje të parakohshme, një qeveri të gjerë dhe heqjen e të ashtuquajturës qeveri teknike që doli nga Marrëveshja e Përzhinës. Propozimi për heqjen e qeverisë në njëqind ditët e fundit të mandatit, në parim, ka pëlqimin e të gjitha subjekteve politike, megjithëse ishte pikërisht periudha që BDI pritej ta përdorte për të përmbushur premtimin kryesor parazgjedhor për kryeministrin e parë shqiptar. LSDM përsëriti se ky qëndrim i është ofruar Mickovskit dhe për çështjen e qeverisë teknike, si dhe për propozimet e tjera, i bëri thirrje opozitës të zhvillojë bisedime në grupe pune.
Ishte viti 2018 kur lideri i VMRO-DPMNE-së Mickovski pas mbledhjes së Komitetit Qendror të partisë, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për takimin me kryeministrin Zaev, pati theksuar se do të dëshironte që ky takim të jetë ballafaqim televiziv, e jo në kabinet.
Ishte i menjëhershëm reagimi dhe përgjigje e Qeverisë së asaj kohe në krye me Zaev, me çka shprehën gatishmërinë që në çdo kryeministri Zaev është i gatshëm të debatojë me oponentin e tij Mickovski. Ky duel televiziv u organizua dhe nuk u bë fundi i botës, zhvillimet politike sërish vazhduan. Ajo çka përfituan qytetarët nga ai debat i realizuar pesë vite më herët ishte fakti që e kishin më të lehtë të bëjnë pozicionimin e tyre, dhe se kujt t’ia besojnë e japin votën e tyre.
Përse liderët shqiptarë nuk pranojnë duelet televizive?
Kampi politik shqiptarë është i organizuar në më shumë parti politike, por që deri më tani nuk ka pasur ende ndonjë debat të shëndoshë apo duel televiziv në mes të liderëve të partive politike, shpesh herë për arsye të njëjta e rrallë herë për arsye të ndryshme.
Një kohë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i shqetësuar dhe me një tonalitet të lartë teksa po fliste në një emision debativ deklaroi se nuk ulet me horra. Duke aluduar në horra tek ish lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ky i fundit, pasi shpëtoi pas ngjarjeve të 27 prillit, më vonë kishte shprehur dyshimet e tij se mund të ketë qenë i informuar Ali Ahmeti për ngjarjet e kobshme në Kuvend, prandaj edhe sipas Selës, Ahmeti është dashtë ta informojë Selën se po përgatitet atentat ndaj tij. E Ali Ahmeti ishte i zhgënjyer thellësisht dhe i dëshpëruar maksimalisht, e kishte deklaruar se nuk do të turpërojë kurrë gjyshërit, prindërit e gjithë veprimtarinë e tij, në përgjigje të akuzave të Selës.
Kujtojmë që, për një kohë të gjatë oponent politik i Ali Ahmetit ishte Menduh Thaçi, por pas daljes së Selës nga PDSH dhe formimit të ASH-së, partia e parë opozitare u bë ASH dhe lideri i opozitës shqiptare për një kohë ishte Ziadin Sela. Ky i fundit i bënte thirrje të vazhdueshme para dhe pas zgjedhjeve Ali Ahmetit për një debat televiziv, por Ahmeti nuk ka pranuar asnjëherë.
E më vonë Ahmeti filloi të arsyetohej me atë se njëherë duhet të vendosin partitë opozitare se cili është lider i opozitës që pastaj të debatojnë me Ahmetin. Pra, ishin vetëm justifike rasti e çasti për të mënjanuar dhe injoruar një duel të mundshëm televiziv mes politikanëve shqiptarë. Përpos që mungojnë duelet televizive, mungojnë edhe takimet tek a tek mes politikanëve shqiptarë për të diskutuar për çështje eventuale që janë me karakter nacional.
Mungesa e ballafaqimit publik si dhe takimeve jo në prezencë të mediave por në mënyrë konsultative mes krerëve të partive politike shqiptare, flet qartazi për nivelin e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mbase, njëherë ishin bashkuar në një tryezë të organizuar nga Edi Rama, por më pastaj u kritikuar shumë nga maqedonasit se kinse po hartojnë platformën e Tiranës, gjë që nuk e përsëritën më këtë “gabim” politikanët shqiptarë. Dhe, të vendosur një zëri për të mos u takuar dhe ballafaquar publikisht të kërkojnë votën e qytetarëve pa fije korrektësie. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Përfundon pa marrëveshje, takimi Ahmeti-Sela–Taravari, kërkesat për komuna ndezin pakënaqësi brenda BDI-së

Takimi i djeshëm mes Ali Ahmetit, Ziadin Selës dhe Arben Taravarit ka përfunduar pa asnjë dakordësi konkrete. Burime të sigurta konfirmojnë se Taravari dhe Sela nuk kanë ndërmend të ulin numrin e komunave që po kërkojnë madje insistojnë në ndarjen e pushtetit vendor si kusht për vazhdimin e bashkëpunimit.
Ahmeti ka kërkuar “arsyetim dhe maturi”, por kërkesat e tepruara të dyshes Sela–Taravari po tensionojnë rëndë klimën brenda BDI-së. Disa funksionarë lokalë të BDI-së tashmë janë shprehur të revoltuar me idenë që komuna të fituara me mund t’u dorëzohen atyre që deri dje i quanin “tradhëtarë”.
Takimi i radhës është caktuar për të shtunën, por atmosfera është e nxehtë. Duket qartë: apetitet e Selës dhe Taravarit janë shumë më të mëdha sesa që BDI mund t’i përballojë pa e shpërthyer nga brenda.ina-online
Lajme nga vendi
Murtezani pret ministren daneze: Vizita sinjal i qartë për përkushtimin ndaj Ballkanit Perëndimor

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka pritur sot në Shkup homologen e tij nga Danimarka, ministren Mari Bjere, në një takim që u vlerësua si i rëndësishëm për perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit.
“Sot prita kolegen time nga Danimarka, Ministren për Çështje Evropiane Mari Bjere. Hapur diskutuam – për BE-në, për zgjerimin, për të ardhmen e Evropës,” shkroi Murtezani në një status në rrjetet sociale.
Ai vuri në pah rëndësinë e kësaj vizite, në një kohë kur Danimarka po përgatitet të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Vizita e saj mbart peshë të veçantë – si sinjal për përkushtim ndaj vlerave evropiane dhe orientimit strategjik drejt Ballkanit Perëndimor,” theksoi ministri.
Murtezani shtoi se Samiti për Planin e Rritjes që do të mbahet në Shkup nuk është thjesht një ngjarje diplomatike, por “mirënjohje e rrugës sonë evropiane”.
“Ishte kënaqësi të flisnim për reformat, për gatishmërinë tonë dhe për atë se Samiti për Planin e Rritjes në Shkup është më shumë sesa ngjarje,” shkroi ai.
Në fund, ministri e përshkroi marrëdhënien me Danimarkën si një partneritet të ndërtuar mbi “besim, vizion dhe vlera”.
Lajme nga vendi
Qeveria i monitoron çmimet e produkteve ushqimore, analiza e plotë e ISHT do të jetë gati javën e ardhshme

Analiza e plotë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) për rritjen e çmimeve të ushqimeve do të jetë gati javën e ardhshme, paralajmëroi sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili në Shtip po përgjigjej në pyetjen e gazetarëve, nëse tashmë po punojnë në masa për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore në supermarkete.
Risteski theksoi se kjo Qeveri, ndryshe nga disa qeveri të mëparshme, gjithmonë bën analiza të mira para se të marrë ndonjë vendim dhe masë, dhe siç tha ai, kështu do të jetë edhe këtë herë.
“Ne i monitorojmë çmimet maksimalisht përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut, bëjmë analiza dhe nëse konkludojmë se ka nevojë të marrim një vendim ose masë, do ta bëjmë këtë në interes të qytetarëve për të mbrojtur standardin e tyre të jetesës. Shqetësimi ynë kryesor si qeveri janë qytetarët dhe standardi i tyre i jetesës”, tha Risteski.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës shtoi se bazuar në analizën aktuale të përgatitur nga ISHT, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve, kryesisht për kafenë dhe vajin, të cilat janë produkte të bursës.
“Në veçanti, çmimet e disa produkteve janë rikthyer në nivelin që ishin para vendimit, i cili ishte para një muaji e më tepër, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve të caktuara, ndërsa disa kanë mbetur në të njëjtin nivel. Por kemi një rritje më të madhe të çmimeve të kafesë dhe vajit, të cilat janë produkte të bursës dhe varen nga bursat botërore. Megjithatë, për vendimin përfundimar opinioni publik do të informohet nëse ekziston dhe kjo do të tregohet nga analiza e plotë, e cila do të jetë gati javën tjetër”, tha Risteski.
I pyetur në lidhje me tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme, të cilat me siguri do të reflektohen në tregun e energjisë dhe nëse Qeveria ka një plan se si të përballet me një tronditje të re energjetike, Risteski tregoi se Qeveria po e monitoron situatën në nivel global.
“E monitorojmë jo vetëm situatën e ekonomisë vendase, por edhe ngjarjet botërore, dhe si të zhvillohet situata ashtu do të reagojmë si Qeveri. Duhet të jemi të përgatitur paraprakisht dhe të kemi informacione dhe takime me ministri të shumta dhe Qeverinë. Situata po monitorohet dhe nëse çështja përshkallëzohet, gjë që do të shkaktonte një tronditje të caktuar në ekonominë botërore, është normale që Qeveria të reagojë me masa të përshtatshme”, tha Risteski.
Ai shtoi se Qeveria nuk do të presë që kriza ekonomike globale të na kapë në këtë çështje dhe për këtë arsye, siç tha ai, “duhet të jemi të përgatitur dhe kjo është ajo që po bëjmë”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve