Lajme nga vendi
Analizë/ A vendos çdoherë populli se kush duhet të qeverisë me vendin?

Pyetja ose konstatimi se populli vendos se kush futet në Qeveri e kush mbetet jashtë është më tepër frazë kuptimore që zë vend dhe ka logjik deklarative, por nëse zbritet dhe shihet në terren se nëse vërtetë qëndron kjo, është krejtësisht çështje tjetër. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë në fazë tranzicioni për kalim nga sistemi komunist në atë demokratik. Por, nëse flasim për nivelin e demokracisë kjo gjë ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me sistemin e zgjedhjeve, përmes të cilës edhe përcaktohet se sa zgjedhjet zhvillohen në mënyrë demokratike, a abuzohet vota e qytetarit e të tjera. Maqedonia e Veriut ka sistem parlamentar, ku Qeveria duhet ta marrë besimin e Kuvendit apo shumicës parlamentare për të funksionuar. Por, realiteti politik në vendin tonë tregon që jo çdoherë populli e ka fuqinë të vendos se kush duhet të qeverisë me vendin. Për tri arsye tejet të rëndësishme, e para ka të bëjë kryesisht me vullnetin pjesërisht të lirë të popullit apo mungesën e demokracisë ideale, e dyta pazaret politike që bëhen pas zgjedhjeve, dhe e treta parregullsitë gjatë procesit zgjedhor. Një mangësi tjetër tejet e madhe ka të bëjë edhe me listat e mbyllura, ku qytetari duhet të votojë logon e partisë dhe jo kandidatin. Prandaj, ka dallim të madh mes pyetjes a duhet dhe a vendos çdoherë populli, shkruan Zhurnal.
Populli duhet të vendos por jo çdoherë e ka mundësinë të zgjedh se kush do të qeverisë me vendin –
Në emër të popullit mbase flet secili, edhe ata që nuk e kanë të drejtën legjitime, populli gaboi, populli duhet kështu, veproi ashtu, pra masa popullore siduket ka krijuar mundësinë që secili ta luaj rolin supervizorit duke sugjeruar e korrigjuar. Sikurse bëhet fjalë për ndonjë turmë të pa organizuar e pa vetëdije të plotë.
Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut po bëhen ditë e më dramatike, me takime, kërkesa e kushte të çuditshme. Interesant është fakti që liderët e dy partive më të mëdha maqedonase pavarësisht inateve, sharjeve e shpifjeve që bëjnë njëra për tjetrën kur vjen momenti për ndonjë çështje me interes nacional ulen kokë më kokë dhe diskutojnë e marrin vendime pa u konsultuar fare me partitë shqiptare, sikur mos të ekzistonin fare.
Vendi aktualisht ndodhet përballë një sfide të madhe për sa i përket vazhdimit të rrugëtimit për anëtarësim në BE. Por, para kësaj vendi është i detyruar të bëjë ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve si pjesë e preambulës në kushtetutën e RMV-së. E për këto ndryshime duhet 2/3 e votave në Kuvend, apo 80 deputetë që shumica aktuale e ka të pamundur të sigurojë këtë numër votash. Nga opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, kategorikisht ishin kundër, por tani kanë ndryshuar qëndrimin dhe kanë zbutur deklaratën janë “për”, por kërkojnë disa kushte. E ky ndryshim në qëndrim nga një ekstrem në ekstremin tjetër erdhi pas takimit kokë më kokë të Dimitar Kovaçevskit kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, me Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-së.
Kushtet e VMRO-së kanë të bëjnë kryesisht me daljen e BDI-së nga kjo shumicë parlamentare, pra këto do të votojnë ndryshimet kushtetuese por vetëm nëse bëhen pjesë e qeverisë por pa pjesëmarrjen e BDI-së në atë qeveri. Pasi sipas tyre vendi duhet të çlirohet nga BDI-ja. E kjo çështje u diskutua mjaftueshëm në opinion duke e cilësuar kushtin e VMRO-së si kundërshtim i vullnetit të popullit. Pasi, populli ka vendosur që BDI të jetë në Qeveri një parti politike kërkon që BDI të dalë nga Qeveria. E nga BDI pas një ore të kërkesës së VMRO-së dolën me deklaratë se janë të gatshëm të dalin nga qeveria menjëherë edhe të prishin gjitha marrëveshjet, madje edhe atë për kryeministrin e parë shqiptarë, pra të pranojnë çdo gjë që kërkon VMRO-ja vetëm në emër të integrimit evropian, që VMRO të voton ndryshimet kushtetuese.
Nga çka varet vendosmëria e popullit se kush duhet të qeverisë me vendin –
Që një popull ta ketë shkopin magjik në dorë dhe të vendos se kjo parti duhet të qeverisë dhe kjo parti të jetë në opozitë nevojiten një varg kushtesh dhe mekanizma që shumica prej tyre mungojnë në vendin tonë. E para dhe më e rëndësishme është demokracia ideale, që pothuajse asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk e ka. Çfarë do të thotë demokraci ideale? Është ajo demokraci në të cilën populli vendos praktikisht dhe plotësisht, në atë vend ka zgjedhje të lira, media të lira, liritë dhe të drejtat e njeriut zbatohet me përpikëri e të tjera. Gjëra që kryesisht mungojnë në vendin tonë.
E dyta, ka të bëje me pazaret politike të cilat godasin në mënyrë legjitime vullnetin e popullit. Pra, pavarësisht nëse populli për cilën do parti voton në mënyrë masive dhe i siguron numrin më të madh të votave, partitë tjera me një bashkëpunim e bashkërendim të thjesht e rrëzojnë këtë vullnet dhe bëjnë qeveri e kryeministër për të cilin ata merren vesh dhe jo atë për të cilin populli ka votuar. Pasi, secila qeveri votohen në Kuvend duke siguruar shumicën parlamentare mbi 61 deputetë. Me fjalë të tjera nëse një parti siguron 59 deputet, dhe të tjerat sëbashku 61, partia me 59 deputetë mbetet në opozitë, pa çka se populli e ka zgjedhur që kjo parti të hyjë në qeveri e të qeverisë me vendin.
E treta, jo më pak e rëndësishme, ka të bëjë nivelin e demokracisë gjatë procesit të zgjedhjeve. Ku edhe përkundër gjitha monitorimeve sërish ka parregullsi të panumërta, blerje votash e keqpërdorime një orë para mbylljes së vendvotimeve. Ndryshe, problem tjetër kryesor është edhe Kodi Zgjedhor që nuk po ndryshon ende, sa i përket hapjes së listave. Pra, në emër të vullnetit të lirë të popullit imponohen kandidatë të padëshiruar nëpër lista të partive, por që për hir të partisë votohet për dikë edhe nëse nuk pajtohesh e nuk e do si përfaqësues. Që i bie kryetari i partisë e imponon kandidatin te votuesit.
Megjithatë, idealen është gabim edhe ta synojmë sepse është e vështirë ta sigurojmë. Por, ajo që është tejet e rëndësishme është fakti që të ketë edhe kuptim e zbatim praktik shprehja që populli vendos se kush duhet të qeverisë me vendin. Mirëpo, që të vendos populli me plot kuptimin e fjalës duhet të plotësohet kushtet e lartpërmendura. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve