Lajme nga vendi
IG KOT: Aeroporti i Shkupit dhe i Beogradit “qendra për aktivitete të paligjshme”

Aeroportet e Ballkanit janë të cenueshëm ndaj krimit të organizuar, ndërsa aeroporti në Shkup dhe Beograd janë qendra rajonale për aktivitete të paligjshme, thuhet në raportin e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Kjo organizatë joqeveritare me seli në Gjenevë ndër aktivitetet kriminale në aeroportin e Shkupit dhe Beogradit e përmend kontrabandimin e migrantëve dhe mallrave, trafikimin e qenieve njerëzore, por edhe atë të pakove me droga dhe substanca kimike ilegale.
Në Raport është theksuar se në aeroportin “Nikolla Teslla” në Beograd është sekuestruar kokainë e ardhur nga Amerika Latine, kryesisht nga Republika Domenikane, Ekuadori, Bolivia dhe Peruja.
„Balkan Insight“ shkruan se aeroporti i Beogradit ndodhet afër tre korridoreve rrugore evropiane të rëndësishme për rrjedhën e paligjshme të drogës dhe njerëzve nëpër Ballkanin Perëndimor: E-70 që lidh Kroacinë me Rumaninë, E-75 që lidh Maqedoninë e Veriut me Hungarinë dhe E-763 që lidh Malin e Zi dhe Serbinë.
Sa i përket kontrabandimit të drogës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në raport thuhet se atje nga bagazhet e pasagjerëve rregullisht sekuestrohen sasi të vogla të drogës për konsum personal ose shitje me pakicë.
“Në vitin 2018, për shembull, doganierët kanë gjetur 2 kilogramë kokainë që në treg me pakicë arrin një vlerë deri në 570 mijë euro në bagazhin e një shtetasi venezuelian i cili kishte ardhur nga Cyrihu. Një vit më vonë, një shtetas turk që udhëtonte nga Vjena ka zbritur në aeroportin e Shkupit dhe është drejtuar në daljen “kanali i gjelbër” për pasagjerët që nuk kanë gjësend për të deklaruar. Por doganierët e kanë kontrolluar dhe gjatë kontrollit të kryer në bagazhin e tij kanë gjetur 10 shishe vaj hashashi prej 10 mililitrash, një shishe plastike 1 litërshe të mbushur me vaj hashashi dhe një enë qelqi me 2.1 litra vaj hashashi. Në një rast tjetër, në vitin 2021, doganierët kanë sekuestruar 8,01 gram kanabis, 3,33 gram hashash dhe 18 mililitra vaj hashashi të fshehur në çantën e një shtetasi italian”, thuhet në raportin „Catch me if you can“ (Më kap po munde) të GI-TOC.
Në shkurt të vitit 2022 dogana turke dhe policia maqedonase kryen një operacion të përbashkët që çoi në zbulimin e 1.05 kilogramëve 1-fenil-2-propan – një substancë që mund të përdoret për prodhimin e amfetaminës dhe metamfetaminës, me vlerë prej 50 milionë eurosh. Pakoja ka qenë e dërguar nga Shangai nëpërmjet Stambollit në Shkup me rrugë ajrore, ndërsa destinacioni i saj ka qenë Evropa Perëndimore.
Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan dy shtetas maqedonas, të cilët dyshohet se ishin të lidhur me një organizatë ndërkombëtare për trafikimin e drogave.
Në analizë thuhet se personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit ka nevojë për trajnime shtesë për etikën, por dhe paga më të larta, si dhe një sistem më funksional për ndjekjen e performancës.
Raportet sugjerojnë edhe se ka prova për korrupsion në aeroportet e Ballkanit, duke filluar nga ryshfetet e vogla për personelin e sigurisë, e deri tek keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i fondeve publike nga zyrtarë dhe menaxherë të lartë.
Aeroportet në Ballkan janë pika të nisjes për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat kryesisht dërgohen në Evropën Perëndimore për eksploatim seksual.
“Sa i përket emigrantëve ilegalë të arrestuar pas zbritjes në aeroportet e Ballkanit, vendet e tyre të origjinës – si Vietnami, Bangladeshi, India dhe Pakistani – sugjerojnë se këto aeroporte janë hapi i fundit në rrjedhën dhe se ka skema për kontrabandimin e emigrantëve për të furnizuar me fuqi punëtore joformale sektorët e industrisë, bujqësisë dhe turizmit në rajon”, shtohet në raport.
Vlerësimet GI-TOC janë kryer në aeroportin e Beogradit dhe atë të Shkupit nga muaji nëntor i vitit 2022 deri në muajin janar të vitit 2023, ndërsa kanë përfshirë intervista me më shumë se 20 ekspertë të aeroportit, duke përfshirë këtu edhe përfaqësues të doganave, policisë kufitare, policisë së shtetit, prokurorive dhe kompanive private të sigurisë.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve