Site icon Tetova Expres

IG KOT: Aeroporti i Shkupit dhe i Beogradit “qendra për aktivitete të paligjshme”

Aeroportet e Ballkanit janë të cenueshëm ndaj krimit të organizuar, ndërsa aeroporti në Shkup dhe Beograd janë qendra rajonale për aktivitete të paligjshme, thuhet në raportin e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kjo organizatë joqeveritare me seli në Gjenevë ndër aktivitetet kriminale në aeroportin e Shkupit dhe Beogradit e përmend kontrabandimin e migrantëve dhe mallrave, trafikimin e qenieve njerëzore, por edhe atë të pakove me droga dhe substanca kimike ilegale.

Në Raport është theksuar se në aeroportin “Nikolla Teslla” në Beograd është sekuestruar kokainë e ardhur nga Amerika Latine, kryesisht nga Republika Domenikane, Ekuadori, Bolivia dhe Peruja.

Balkan Insight“ shkruan se aeroporti i Beogradit ndodhet afër tre korridoreve rrugore evropiane të rëndësishme për rrjedhën e paligjshme të drogës dhe njerëzve nëpër Ballkanin Perëndimor: E-70 që lidh Kroacinë me Rumaninë, E-75 që lidh Maqedoninë e Veriut me Hungarinë dhe E-763 që lidh Malin e Zi dhe Serbinë.

Sa i përket kontrabandimit të drogës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në raport thuhet se atje nga bagazhet e pasagjerëve rregullisht sekuestrohen sasi të vogla të drogës për konsum personal ose shitje me pakicë.

Advertisement

“Në vitin 2018, për shembull, doganierët kanë gjetur 2 kilogramë kokainë që në treg me pakicë arrin një vlerë deri në 570 mijë euro në bagazhin e një shtetasi venezuelian i cili kishte ardhur nga Cyrihu. Një vit më vonë, një shtetas turk që udhëtonte nga Vjena ka zbritur në aeroportin e Shkupit dhe është drejtuar në daljen “kanali i gjelbër” për pasagjerët që nuk kanë gjësend për të deklaruar. Por doganierët e kanë kontrolluar dhe gjatë kontrollit të kryer në bagazhin e tij kanë gjetur 10 shishe vaj hashashi prej 10 mililitrash, një shishe plastike 1 litërshe të mbushur me vaj hashashi dhe një enë qelqi me 2.1 litra vaj hashashi. Në një rast tjetër, në vitin 2021, doganierët kanë sekuestruar 8,01 gram kanabis, 3,33 gram hashash dhe 18 mililitra vaj hashashi të fshehur në çantën e një shtetasi italian”, thuhet në raportin „Catch me if you can“ (Më kap po munde) të GI-TOC.

Në shkurt të vitit 2022 dogana turke dhe policia maqedonase kryen një operacion të përbashkët që çoi në zbulimin e 1.05 kilogramëve 1-fenil-2-propan – një substancë që mund të përdoret për prodhimin e amfetaminës dhe metamfetaminës, me vlerë prej 50 milionë eurosh. Pakoja ka qenë e dërguar nga Shangai nëpërmjet Stambollit në Shkup me rrugë ajrore, ndërsa destinacioni i saj ka qenë Evropa Perëndimore.

Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan dy shtetas maqedonas, të cilët dyshohet se ishin të lidhur me një organizatë ndërkombëtare për trafikimin e drogave.

Në analizë thuhet se personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit ka nevojë për trajnime shtesë për etikën, por dhe paga më të larta, si dhe një sistem më funksional për ndjekjen e performancës.

Raportet sugjerojnë edhe se ka prova për korrupsion në aeroportet e Ballkanit, duke filluar nga ryshfetet e vogla për personelin e sigurisë, e deri tek keqpërdorimi dhe keqmenaxhimi i fondeve publike nga zyrtarë dhe menaxherë të lartë.

Advertisement

Aeroportet në Ballkan janë pika të nisjes për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat kryesisht dërgohen në Evropën Perëndimore për eksploatim seksual.

“Sa i përket emigrantëve ilegalë të arrestuar pas zbritjes në aeroportet e Ballkanit, vendet e tyre të origjinës – si Vietnami, Bangladeshi, India dhe Pakistani – sugjerojnë se këto aeroporte janë hapi i fundit në rrjedhën dhe se ka skema për kontrabandimin e emigrantëve për të furnizuar me fuqi punëtore joformale sektorët e industrisë, bujqësisë dhe turizmit në rajon”, shtohet në raport.

Vlerësimet GI-TOC janë kryer në aeroportin e Beogradit dhe atë të Shkupit nga muaji nëntor i vitit 2022 deri në muajin janar të vitit 2023, ndërsa kanë përfshirë intervista me më shumë se 20 ekspertë të aeroportit, duke përfshirë këtu edhe përfaqësues të doganave, policisë kufitare, policisë së shtetit, prokurorive dhe kompanive private të sigurisë.

Exit mobile version