Lajme nga vendi
Kovaçevski ftoi në takim partnerët e koalicionit për hyrjen e mundshme të ASH-së në Qeveri
Kryeministri Dimitar Kovaçevski i ka thirrur partnerët e koalicionit sonte në ora 18:00 në selinë “Bihaçka”, kanë konfirmuar për “Sloboden Peçat” disa nga partitë që janë në koalicion me LSDM-në në pushtet, njofton Portalb.
Pas takimit, partnerët e koalicionit me gjasë do të vazhdojnë bisedimet në Klubin e deputetëve në orën 20:00. Në takim, Kovaçevski do t’i informojë partnerët për zyrtarizimin e negociatave me Aleancën për Shqiptarët dhe pritet të dëgjojë mendimin e tyre për zgjerimin e koalicionit qeveritar.
Aleanca për Shqiptarët vendosi këtë fundjavë të nisë negociatat për hyrje të mundshme në Qeveri. Ekipi i Aleancës së Shqiptarëve në periudhën e ardhshme do të diskutojë për përfshirjen e mundshme të partisë në Qeveri, ose nëse vazhdon më gjatë, mundësisht ta ndalojë dhe të marrë një vendim përfundimtar.
Kryetari i partisë, Arben Taravari tha se kanë pasur një diskutim të frytshëm, disa nga anëtarët ishin pro, disa kundër, kryesia qendrore, kryesia e partisë do të duhet të marrë vendimin përfundimtar.
“Kuvendi qendror autorizoi udhëheqjen qendrore të Aleancës për Shqiptarët që eventualisht të vendosë që të ketë një ekip zyrtar që do të diskutojë gjashtë-shtatë ditët e ardhshme deri në maksimum dy javë për përfshirjen e mundshme të Aleancës për Shqiptarët në Qeveri”, ka thënë Taravari.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dy ditë më parë, pas përfundimit të Kuvendit Qendror të partisë informoi se Kuvendi e ka autorizuar kryesinë e partisë që të zhvillojë negociata me qeverinë.
Taravari theksoi se në kuvend ka pasur qëndrime pro dhe kundër përfshirjes së kësaj partie në qeveri.
Taravari e ka realizuar takim me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. Në takim, sipas Taravarit, është biseduar për ardhmërinë evropiane të vendit.
“Ne nuk i fshehim kur bëjmë takime dhe këtë e bëjmë në mënyrë transparente. Bashkëbiseduam për situatën aktuale politike në RMV, për ardhmërinë europiane dhe mundësitë eventuale për krijimin e shimciës prej 80 deputetëve”, tha Taravari.
Ai paralajmëroi takime edhe krerët e partive tjera si Afrim Gashi dhe Bilall Kasami.
“Para dy-tre ditëve kisha takim me kryetarin e Alternativës, por besoj se do të kem përsëri takim. Besoj se edhe me kryetarin e Besës të kem takim, shpresoj javën e ardhshme”, tha Taravari dy ditë më parë.
I pyetur nga gazetarët se nëse dikush nga faktorët ndërkombëtarë i ka sugjeruar për të hyrë në qeveri, kreu i ASH-së Arben Taravari ishte decid. Ai mohoi këto zëra e madje u shpreh se askush, qoftë edhe faktor ndërkombëtar, nuk mund të përzihen në punët e brendshme të partisë që ai drejton.
“Absolutisht jo. S’ka të drejtë askush, as Kosova, as Shqipëria, as faktori ndërkombëtar të përzihet në veprimet e ASH-së, por na kanë treguar gjërat të cilat i përkrahin. Për shembull se duhet me çdo kusht ta ndihmojmë procesin e votimit të ndryshimeve kushtetuese”, u shpreh Taravari.
Në Kuvendin e kësaj partie u zgjodhën organet drejtuese të partisë dhe kryesia qendrore. Deputetja Ilire Dauti, deputeti dhe ish sekretari organizativ Elmi Aziri dhe ish nënkryetarja e Qytetit të Shkupit Bujare Abazi janë treshja e nënkryetarëve të ASH-së, të votuar nga kuvendarët.
Përveç nënkryetarëve në Kuvend u zgjodhën edhe Kryetari i Kuvendit – Ziadin Sela, Sekretar i Përgjithshëm – Krenar Lloga dhe Sekretar organizativ – Isen Shabani.
Lajme nga vendi
Transparency International: Rasti Koçani nxjerr në pah korrupsionin institucional
“Transparency International” në Maqedoni ka publikuar raportin vjetor “Bistro-Matno”, i cili paraqet një përmbledhje të të gjitha dymbëdhjetë numrave mujorë të botuar gjatë vitit 2025 dhe ofron një pamje gjithëpërfshirëse të gjendjes së korrupsionit dhe luftës kundër tij në vend.
Raporti vlerëson se viti 2025 u shënua nga zjarri katastrofik në diskotekën “Pulse” në Koçan, i cili zbuloi praktika të rënda korruptive, dështime institucionale dhe një shmangie të plotë të sistemeve parandaluese.
Edhe pse hetimi dhe aktakuza u iniciuan brenda afatit ligjor, organizata paralajmëron se lufta e vërtetë për drejtësi do të zhvillohet ende në procedurat gjyqësore.
Përveç kësaj, aktakuza e ngritur kundër ish-kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për zbulimin e sekreteve zyrtare ngriti seriozisht çështjen e besueshmërisë së këtij institucioni kyç. Ngjashëm, rasti i Onkologjisë dhe zbulimet e ndërhyrjeve të panevojshme kardiokirurgjikale tronditën besimin në sistemin e kujdesit shëndetësor, duke treguar dyshime për abuzime të motivuara nga fitimi.
Raporti thekson se Kodi i ri Penal nuk u miratua as në vitin 2025, gjë që, sipas “Transparency”, thellon më tej pasojat e ndryshimeve kontroverse të miratuara në vitin 2023 dhe ndikon negativisht në rastet e korrupsionit të profilit të lartë. Pothuajse çdo numër i “Bistro-Matno” theksohet gjithashtu raportet negative nga Enti Shtetëror i Auditimit, të cilat tregojnë dobësi sistemike në punën e institucioneve.
Lajme nga vendi
Besir Aliu rizgjidhet shef i Prokurorisë në Tetovë
Këshilli i Prokurorëve Publik në seancën e sotme, me 10 vota “për”, zgjodhi Besir Aliun për shef të Prokurorisë Themelore në Tetovë. Aliu ka ushtruar këtë funksion edhe gjatë mandatit të kaluar, duke u zgjedhur për herë të parë në vitin 2020 nga Këshilli i Prokurorëve. Ai ka përvojë të gjerë në sistemin e drejtësisë, duke qenë gjithashtu anëtar i Këshillit Drejtues të Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë.
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.

