Lajme nga vendi
Studentët preferojnë të studiojnë jashtë vendit, mungesa e cilësisë dhe problemet financiare shkaktarët kryesor!
Studentët janë në fazën më delikate që gjatë gjithë kohës së studimeve janë të detyruar vetëm të japin pa marrë asgjë në shkëmbim, në kuptim financiar. Dhe, kur je vetëm dhënës është e vështirë të menaxhohet situata financiare për përmbushjen e objektivave të caktuara. Interesimi i të rinjve në Maqedoninë e Veriut për të studiuar jashtë vendit është në rritje, pavarësisht numrit të madh të institucioneve të larta arsimore, qofshin ata publike apo private. Kjo për shkak të mungesës së perspektivës dhe mundësive për të qenë të pavarur. Për dallim prej vendeve evropiane që gjatë periudhës së studimeve u mundësojnë studentëve që të studiojnë dhe të punojnë, në vendin tonë studentët janë të detyruar nëntë muaj të studiojnë dhe tre muaj të punojnë punë që as nuk përputhen me profesionet e tyre, shkruan Zhurnal.
Studentët preferojnë të studiojnë jashtë vendit, sepse në vend nuk ofrohen kushtet e duhura-
Studentët në Maqedoninë e Veriut përballen me probleme të ndryshme që jo lehtë janë të përballueshme, prandaj ata si reagim kundrejt kësaj situate të krijuar që është aspak e dëshirueshme ndërmarrin veprime që të vazhdojnë studimet jashtë vendit, ose fare në vend mos t’i fillojnë. Duke marrë vendime që pas përfundimit të shkollës së mesme direkt të regjistrohen në ndonjë nga Universitetet evropiane, për të fituar edhe dijen edhe përvojën si dhe pa u përballur me problemet financiare që te ne janë probleme të zakonshme dhe janë shndërruar në përditshmëri.
Dëshira për një karrierë ndërkombëtare, sigurimi i një pune dhe page më të mirë në rast se rikthehen në vendlindje, si dhe më e rëndësishmja cilësia e ulët në universitete në Maqedoninë e Veriut për shkak të nepotizmit, janë arsyet që i çojnë të rinjtë për të studiuar jashtë vendit.
Pra, kryesisht mungesa e kushteve të duhura që për studentët janë bazike dhe elementare janë shtytësit kryesor që të marrin vendime të atilla për studim jashtë vendit. Edhe ashtu janë të detyruar që pas përfundimit të studimeve, të paktën tre muaj brenda vitit të punojnë jashtë vendit një punë që nuk korrespondon me profesionin e tyre, por ja që është e detyrueshme për të mundësuar mbulimin e shpenzimeve.
Kushtet e duhura për studentët nuk janë të shumta, por edhe se janë të pakta nuk përmbushen. Arsim cilësor, punë praktike të paguar, konvikte me kushte normale për banim, literatura të qasshme, si dhe përkrahje më e madhe financiare nga institucionet përgjegjëse, si Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Por, fatkeqësisht pothuajse asnjëri prej këtyre kushteve nuk plotësohet mjaftueshëm në vend.
Pavarësia nga buxheti familjar si motivim për të studiuar jashtë vendit-
Pavarësia financiare është një përparësi e cila krijon hapësirë edhe për pavarësi politike, kur je i pavarur financiarisht ndryshe mendon edhe politikisht. Varësia financiare është mangësi e krijimit të mendimit të lirë me çka kufizohet edhe veprimi. Studentët në masë të madhe që studiojnë në Maqedoninë e Veriut janë të varur financiarisht nga buxheti familjar.
Prandaj, si shkak tjetër për të studiuar jashtë vendit është paraparë edhe pavarësia financiare nga buxheti familjar, që është i patjetërsueshëm për jetën studentore. Mbase, askush prej studentëve nuk do të kishte dashur të varej nga buxheti familjarë pasi në fund të ditës, javës apo muajit duhet të përmbush raport apo llogari dhënie për sa i përket shpenzimeve të realizuara, kjo i bie që janë të imponuar t’i nënshtrohen “cenzurës” familjare në shpenzimet që janë shumë normale.
Kur studentët do të jenë të pavarur financiarisht do të futen në binarët e funksionimit normal, luftohet përtacia rinore, dhe krijohet një ngritje e vetëdijes dhe përgjegjësisë në menaxhim me buxhetin vetanak dhe situatat e pa pritshme. Pavarësia financiare nga buxheti familjarë aktualisht mundësohet vetëm në vendet evropiane, ku në shkëmbim të çdo angazhimi ka parapagim që pastaj mundëson edhe tejkalimin e shpenzimeve mujore dhe pagesën e tarifave nëpër Universitete. E kjo gjë kur mundësohet jashtë vendit, për çfarë arsye studentët të vazhdojnë të qëndrojnë në vend.
Kthimi në vendlindje, shumë i vështirë pas arsyeve për të studiuar jashtë vendlindjes-
Nëse flasim për studentët të cilët për arsyet e cekura më lartë vendosin të braktisin vendin dhe të gjejnë një vend më të përshtatshëm për studime që nuk mungojnë kushtet e nevojshme, kthimi i tyre është vështirë për të mos thënë i pamundur. Pastaj, çështja e adaptimit në një vend tjetër me një rreth krejtësisht tjetër shoqëror e në rrethana tjera sociale e administrative, pamundësojnë rikthimin në një vend që në këto aspekte ka ngec dhe dita ditës pëson regres.
Studimet jashtë vendit mundësojnë krijimin e kuadrove që potencialisht konsiderohen profesionit të mirëfilltë varësisht fushave të studimit, në vendin tonë është e vështirë që profesionistët e vërtetë të vlerësohen ashtu si duhet dhe aty ku duhet. Prandaj, mungesa e vlerësimit adekuat është edhe shkak tjetër që të rinjtë që studiojnë jashtë vendit hezitojnë të kthehen në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre, kjo krejt përshkak se nuk i krijohet hapësira e mjaftueshme.
Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut tashmë dhjetë vjet ndan bursa në vlerë deri në 40 mijë euro për studentët, të cilët arrijnë të regjistrohen në universitete prestigjioze të botës, të cilat radhiten në 100 vendet e para sipas Listës së Shangait. Nga Ministria e Arsimit për REL kanë bërë të ditur se këtë mundësi për studimet bachellor në Universitete prestigjioze gjatë vitit akademik 2020-2021 e kanë shfrytëzuar 21 studentë, në vitin akademik 2021-2022, 29 studentë, dhe në vitin 2022-2023, 38 studentë.
Megjithatë ka dhe shumë studentë, të cilët vendosin të studiojnë jashtë vendit duke u mbështetur në buxhetin familjar. Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk kanë shifra të sakta se sa është numri i studentëve që brenda vitit vendosin për të studiuar jashtë vendit. /Zhurnal.mk
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve