Lajme nga vendi
Kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

SPB Kumanovë ka ngritur kallëzim penal kundër F.A. nga Kumanova për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimeve zyrtare”, sipas nenit 353 paragrafi 4, në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
I kallëzuari – në cilësinë e drejtorit të Institucionit Publik Shëndetësor “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë, gjatë periudhës nga viti 2020 deri në vitin 2024 ka lidhur kontrata pune në mënyrë të paligjshme dhe ka punësuar persona pa marrë më parë leje nga Ministria e Shëndetësisë, dhe më pas, pa siguruar pëlqim nga Ministria e Financave, ka punësuar në mënyrë të paligjshme gjithsej 127 persona, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune dhe Ligjin për transformim në marrëdhënie të rregullt pune, siç është konstatuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Të njëjtëve persona, i kallëzuari u ka paguar në mënyrë të paligjshme paga në shumë të përgjithshme prej 21.594.510 denarësh, duke e dëmtuar për atë shumë buxhetin e ISHP “Shtëpia e Shëndetit” Kumanovë.(INA)
Lajme nga vendi
Kosova i përgjigjet njëjtë Maqedonisë, i ndalon mallrat në kufi

Oda Ekonomike, pas një raportimi nga anëtarët eksportues për ndalimin e kamionëve të Maqedonisë që transportonin produkte ushqimore në territorin e Kosovës, me pretekstin se ndalimi bëhet për shkak të pritjes së rezultateve nga analizat laboratorike, me një shkresë zyrtare deri te institucionet kompetente në vend, ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave të nevojshme dhe normalizimin e rrjedhës.
Në njoftimin e Odës Ekonomike theksohet se, sipas informacioneve marrë nga kompanitë vendase të eksportit, kamionët nga Maqedonia e Veriut po ndalohen në anën e kufirit të Kosovës pa ndonjë shpjegim të duhur, duke shkaktuar dëme ekonomike dhe duke çrregulluar këmbimin tregtar. Meqenëse këto janë produkte ushqimore që duhet të jenë në përputhje me standardet e shëndetit dhe sigurisë, siç theksojnë nga Oda, rrjedha duhet të jetë e pandërprerë në mënyrë që të mos çrregullohet vazhdimësia e eksportuesve vendas, gjë që mund të shkaktojë edhe implikime financiare. Nga Oda paralajmërojnë se do të realizohet edhe takim i kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe zhbllokimin e ngërçit.
Megjithatë, duket se Kosova po vendos masa të njëjta sikurse Maqedonia, pasi kjo e fundit është ajo që po ndalon mallrat ushqimor në kufi si me Kosovën, ashtu me Serbinë, madje nga katër-pesë ditë pritje, me arsyetimin e duhet pritur analizat e laboratorëve në Shkup. Disa ditë me radhë, eksportues shqiptarë me mallra ushqimor nga Kosova dhe Shqipëria janë ankuar se padrejtësisht po mbahen me ditë të tëra në kufi, ndërsa mallrat po ju prishen duke pritur analizat laboratorike nga Shkupi.(koha.mk)
Lajme nga vendi
Studentët që merrnin pensione familjare në RMV mbetën pa të drejtën për ushqime të subvencionuara

Një numër i madh studentësh që marrin pension familjar të trashëguar nga një prind i ndjerë kanë mbetur pa të drejtën për ushqime të subvencionuara studentore që nga ky muaj, njoftoi dje faqja Studentaria në Instagram, transmeton Portalb.mk.
Siç thonë ata në njoftim, kjo kategori nuk ka pasur probleme me marrjen e vakteve deri më tani, dhe shtojnë se eliminimi i vakteve për këtë kategori studentësh është i padrejtë dhe i papërgjegjshëm.
“E drejta për subvencione ushqimore për studentët është ndërprerë për një numër të madh studentësh që marrin pension familjar të trashëguar nga një prind i ndjerë. Kjo kategori sociale e studentëve deri më tani nuk ka pasur problem në ushtrimin e të drejtës së tyre për ushqim, por që nga ky muaj ata janë privuar nga përdorimi i masës. Pensionet familjare, ashtu si bursat shtetërore, nuk duhet të merren parasysh si të ardhura mujore dhe nuk duhet të jenë pengesë për fitimin e të drejtës për subvencione ushqimore”, thuhet në njoftim.
Ata kërkojnë që autoritetet të rishqyrtojnë kriteret dhe të rivendosin të drejtën për ushqim për këtë kategori studentësh.
Kuvendi Studentor Universitetar raportoi se është mbajtur takim me autoritetet lidhur me këtë problem me të cilin po përballen aktualisht 1,000 studentë.
Ata thonë se presin që e drejta për ushqime të subvencionuara për studentët të zgjatet deri të premten.
Lajme nga vendi
Dhurohen 24 pajisje ortopedike për personat me aftësi të kufizuara fizike

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Fatmir Limani së bashku me kryetarin e Lidhjes nacionale të personave me aftësi të kufizuara fizike të Maqedonisë së Veriut – “Mobiliteti Maqedoni”, Branimir Jovanovski, dhuruan 24 pajisje ortopedike për persona me aftësi të kufizuara fizike. Mjetet për blerjen e ndihmave sigurohen çdo vit nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
“Mobiliteti Maqedoni”, nëpërmjet një njoftimi publik në rrjetet sociale dhe një thirrje të publikuar në dy gazeta ditore, në mënyrë transparente i ftoi anëtarët e saj, si dhe persona të tjerë me aftësi të kufizuara fizike nga Maqedonia e Veriut të cilët kanë nevojë për ndihma ortopedike dhe aksesorë për pajisje ortopedike, të aplikojnë në thirrjen e hapur.
Thirrja kishte të bënte me skuterë elektrikë, karroca me rrota elektrike dhe aksesorët elektrikë për karrocat invalidore. Gjatë kësaj, u ndanë 14 skuterë elektrikë, 7 karroca me rrota elektrike dhe 3 aksesorë elektrikë për karroca invalidore.
Ministri theksoi se këto aksesorë ndihmës nuk janë vetëm mjete teknike. Ato përfaqësojnë një mjet lirie, pavarësie, aktiviteti dhe vetëbesimi, si dhe se ato janë pjesë e rrugës drejt jetesës së pavarur dhe përfshirjes.
Gjatë kësaj ngjarjeje, ai shprehu mirënjohje për “Mobiliteti Maqedoni”, punonjësit e shëndetësisë dhe ata socialë, si dhe organizatat që punojnë me persona me aftësi të kufizuara për përkushtimin dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij misioni të rëndësishëm.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të krijuar një shoqëri në të cilën të gjithë kanë mundësinë të jetojnë, të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në mënyrë të barabartë. Së bashku, le të vazhdojmë të ecim drejt një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse”, tha Limani.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve