Lajme nga vendi
Palevski kërkoi përjashtimin e prokurores Kërstevska dhe gjithë PTHP-së, gjykimi shtyhet për më 3 shkurt

I akuzuari i parë për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, Ljupço Palevski Palço, në fillim të seancës së sotme, kërkoi përjashtimin e prokurores publike Zhaklina Kërstevska dhe të gjithë Prokurorisë Publike të Shkupit, në rastin për shkak të një hetimi të kryer në mënyrë jo të duhur.
Gjyqtari Ivica Stefanovski, gjykimin e shtyu për më 3 shkurt, duke theksuar se duhet t’i lërë hapësirë prokurorit publik republikan Lupço Kocevski duke u shprehur për pretendimet e kërkesës për përjashtim.
Palevski, duke e paraqitur propozimin, para gjykatës tha se arsyet dhe provat gjenden në dy aktakuzat të cilat janë shkrirë në një procedurë gjyqësore, por edhe për dëshmi të rreme nga një dëshmitar, dëshmi që, siç tha ai, ia bashkëngjit kërkesës për përjashtim.
“Bashkangjitur është edhe një akt ekspertimi në telefon, stacionet bazë dhe prova nga prokurorja juaj. Të gjitha këto prova janë përgatitur me urdhër të prokurores publike kompetente Josifovska, e cila edhe pse i ka ditur provat, nuk i ka ekzaminuar telefonat e dëshmitarit. Fshehja e armëve për 421 ditë hetime, duke mos sqaruar atë rrethanë të rëndësishme nëse i pandehuri apo të pandehurit posedojnë armë është krimi më i rëndë që një prokurori publik mund ta bëjë”, tha Palevski.
Prokurori publik, theksoi Palevski, ka harruar të përfshijë në listën e provave gëzhojën e gjetur dhe ekzaminuar në lokacionin Rudnik, duke theksuar se ai si i pandehur po e dorëzon atë gëzhojë si provë.
“Unë gjithashtu jap prova. I bashkëakuzuari Boro Videvski zotëron një pistoletë të licencuar Zborevka dhe një pushkë gjuetie Mozberg. Së dyti, praktika kriminale tregon se krime të tilla kryhen me armë të blera në tregun e zi, por këtë duhet ta ekspozonte prokurori dhe t’ju përgjigjej pse nuk e bëri. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, arma nuk është regjistruar dhe nuk ekziston. Pse prokurori publik nuk e ka marrë parasysh këtë është vetëm dëshmi e mëtejshme e qëllimit për të ngritur akuzë pa prova. Për të akuzuarin Boro Videvski, nuk ka konfirmim për sendet e sekuestruara përkohësisht nga SPB e Velesit dhe nuk ekziston asnjë në dosjet e Prokurorisë”, tha Palevski.
Të gjitha provat, theksoi Palevski, nuk gjenden në sistemin e ri të MPB-së, por në Host të vjetër.
“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka ende njerëz që e duan drejtësinë dhe i kanë dorëzuar mbrojtjes lëshime kaq të rënda dhe prova të një hetimi të dobët. E gjithë kjo është dëshmi e hetimit të dobët të prokurorit tuaj”, tha Palevski.
Sipas tij, pyetjet që duhet të përgjigjet prokurori janë se ku është arma në pronësi të njërit prej të pandehurve, pse Prokuroria Publike nuk e ka sqaruar këtë fakt për 421 ditë dhe pse gëzhoja nuk është dorëzuar si provë.
“I gjithë imazhi i keq i Prokurorisë Publike është për shkak të zbatimit të urdhrave dhe hetimeve të tilla politike. Prandaj le të ketë gjurmë se në një hetim është vërtetuar vepër penale e një prokurori publik”, tha Palevski.
Prokuroria para seancës së sotme njoftoi se do të vazhdojë me paraqitjen e provave materiale dhe pas përfundimit do të merret në pyetje dëshmitari Goce Trajkovski.
Trajkovski, i cili është propozuar për dëshmitar në këtë rast dhe dyshohet për një vepër tjetër të rëndë – zjarrvënie, është dorëzuar në stacion policor më 23 janar 2025 dhe do të merret në pyetje në seancën e ardhshme.
Në seancën e parë gjyqësore të akuzuarit Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski u shprehën se nuk ndjehen fajtorë.
Sipas aktakuzës, ata bashkërisht kishin planifikuar rrëmbimin e vajzës 14-vjeçare në mënyrë që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të siguronte para për shpërblim. Ndërkaq, rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij Citroen në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Vanja e mitur dhe banori nga Velesi Pançe, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve