Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe periudha diellore.
Në vend do të fryjë një erë e lehtë veriore. Nëpër luginat e vendit do të ketë rënie të mjegullave.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -5 deri 4, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin prej 5 deri 14 gradë celsius.
Në ditët në vijim moti do të jetë i ndryshueshëm dhe me rritje të temperaturave ditore.
Lajme nga vendi
Skijim nate dhe muzikë, Kodra e Diellit tërheq vizitorë të shumtë
Qendra turistike Kodra e Diellit, vazhdon të mbetet një ndër pikat më atraktive për adhuruesit e sporteve të bardha, por jo vetëm. Vizitorë të shumtë nga brenda dhe jashtë vendit zgjedhin pikërisht Kodrën e Diellit, këtë qendër rekreative e sportive e cila gjendet 18 kilometa m nga Tetova, për të shijuar borën, pistat e skijimit dhe për të pushuar në weekend shtëpiza.Krahas skijimit gjatë ditëve të javës, në fundjavë është i hapur edhe skijimi i natës ku vizitorët krahas skijimit mund të shijojnë edhe muzikë të mrekullueshme nga artistë të ndryshëm.Drejtori i Kodrës së Diellit, Abdulgani Aliji thekson se po punojnë vazhdimisht për të krijuar kushte sa më të mira për vizitorët, duke e mundësuar edhe skijimin e natës gjatë fundjavës. Aliji deklaron se numrin i vizitorëve që frekuentojnë Kodrën e Diellit është i kënaqshëm.
Abdulgani Aliji – Drejtor
“Ne si ç’do javë edhe këtë javë kemi organizuar skijim nate, të premten dhe të shtunën. Të krijojmë kushte qe skijatorët të shijojnë skijimin e natës, të argëtohen tek kafeneja këtu dhe kështu me radhë. Këtu ka më shumë nga vendi, Kosova, Shqipëria, ka edhe turistë të huaj. Mirë është, qendra ka vizitorë. “
Edhe Vizitorët e anketuar nga Tv Koha, shprehen të entuziazmuar për organizimin e mbrëmjeve të tilla ku krahas skijimit kanë mundësi që të argëtohen duke dëgjuar muzikë dhe duke shijuar atmosferën e mrekullueshme që krijohet.
Qytetarët ;Skijimi i natës i cili është i hapur të premteve dhe të shtunave fillon nga ora 18:00 dhe vazhdon deri në orën 21:00. Aktualisht zhvillohet në tri pista, ku dy pista janë për profesionistët dhe një pistë tjetër për fillestarët. Bileta ditore e skijimit nga e hëna në të enjte kushton 1100 denarë ndërsa gjatë fundjavës kushton 1300 denarë. Kurse, një biletë skijimi nate kushton 900 denarë.
Lajme nga vendi
Ligji për përfaqësim të drejtë/ Të premten takimi i radhës, Fronti Evropian i gatshëm të ndihmojë
Fronti Evropian shprehet i gatshëm të ndërhyjë me amendamente në mbështetje të ligjit për përfaqësim të drejtë, që po hartohet nga grupi i punës mes VLEN dhe VMRO-DPMNE. Sali Murat nga Fronti Evropian, thotë se edhe ata kanë përgatitur një draft version për përfaqësim të drejtë, por të njëjtin nuk do ta prezantojnë. Janë në pritje të shumicës qeveritare.
“Presim koalicionin qeverisës të përgatisin draft versionin e tyre, të shohim se cilat rrethana do të përfshihen me ligjin e tyre por ne kishim dyshime se do të ngritin një gjë të tillë për shkak deklaratave të tyre se duhet të presim. Por partitë e koalicionit qeverisë bartin përgjegjësi për këtë çështje. Ne jemi të gatshëm t’ua ofrojmë draft verzionin tonë, do ta ofrojmë mbështetjen tonë dhe gjithçka që duhet, vetëm që të sillet ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, tha Sali Murat – FE.
Pas lajmit të Alsat ku u zbardhën detaje mbi ligjin, i cili do të jetë nën domenin e Agjencisë për Administratë, në vazhdën e komenteve, nga VLEN thonë se edhe një takim tjetër preliminar pritet të mbahet ditën e premte, e ku pritet të finalizohet pjesa më e madhe e ligjit. Nga ana tjetër, edhe VMRO DPMNE garanton se ligji do të jetë gjithëpërfshirës dhe nuk do të përpilohet për interesa politike. Para miratimit, do të merret mendim nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Ligji do të bazohet në popullsinë rezidente.
“Në kuadër të bisedimeve që zhvillohen për ligjet në fjalë mund të ketë edhe mos pajtime në pika të caktuara mirëpo krejt kjo është në domenin e asaj që të sillet një ligj më komplet dhe më gjithëpërfshirës. Gjithsesi se sanksionet do të jenë, do të insistojmë që të jenë sanksione të përmasave më ekstreme në drejtim që gjobat të jenë më të larta për ata të cilët nuk mundohen ta respektojnë. Por fundja do të jetë edhe mekanizmi i dyfishtë apo nënshkrimi i kufizuar brenda për brenda agjencionit për administratë”, tha Rijad Shaqiri – VLEN.
“Pres që të jetë i gjithë sistemi i shtetit sepse kështu duhet të vendoset ligji. Ju nuk mund të bëni përsëri do të them, ligj i cili nuk do të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese. Vlen të përmendet se të gjitha institucionet përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese do të thirren të japin mendim dhe nëse kanë keqkuptime t’i tregojnë para se të sillet ligji që mos të vijmë përsëri në situatë të kemi zonë gri juridike dhe të mos i garantojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike në vend”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Sipas burimeve të Alsat, palët kanë përafruar qëndrimet për ligjin që duhet ta zëvendësojë balancuesin e shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe ai do të duhet t’i japë kompetenca shtesë Agjencisë për Administratë, në mënyrë që përgjegjës për të jetë zëvendësdrejtori i Agjencisë. Aktualisht po diskutohet që në rrethana të kornizës ligjore ekzistuese nuk i mbulon organet e sigurisë dhe për këtë po diskutohet që në ligj të përfshihen edhe këto organe. / Alsat.mk
Lajme nga vendi
Lindje e relaksuar dhe pa dhimbje me oksidin e azotit “gazi që të bën për të qeshur” në klinikën Zhan Mitrev
Vetëm në Klinikën Zhan Mitrev në Qendrën për nënën dhe foshnjën kryhet lindje natyrale pa dhimbje, me ndihmën e qetësimit me oksid azoti, i njohur ndryshe si gazi që të bën për të qeshur. Sedacioni, ose shtimi i gazit të oksidit të azotit, kryhet duke përdorur pajisjen Master Flux Plus for Sedation, të cilën klinika e bleu posaçërisht për këtë qëllim. Kjo metodë e lindjes natyrale është e mundur për herë të parë në Maqedoni dhe bën që dhimbjet e lindjes të kalojnë pa u vënë re dhe lindja natyrale bëhet më e lehtë dhe pa dhimbje.
“Sedacioni i oksidit të azotit është një teknikë më pak invazive që mbart një rrezik më të ulët të efekteve anësore në krahasim me anestezinë epidurale”. Është një përzierje e përbërë nga oksidi i azotit dhe oksigjeni në raport të barabartë dhe redukton dhimbjen, ankthin dhe nervozizmin, si dhe ndikon në refleksin e lindjes, duke i bërë gratë më të relaksuara dhe duke e bërë më të lehtë lindjen. “Për shkak të efektit të të qeshurit që shkakton, oksidi i azotit quhet edhe gaz që të bën për të qeshur dhe në obstetrikë është i përshtatshëm për shkak të veprimit të shpejtë, eleminimit të shpejtë nga organizmi pas ndërprerjes së përdorimit”, thotë Dr. Dragica Vezenkova Vuçkova, specialiste në anesteziologji dhe kujdes intensiv.
Gazi përdoret për analgjezi dhe anksiolizë dhe për ndërhyrje të vogla obstetrike, si dhe për procedura të tjera të dhimbshme si intervenimetdentare, kardiake, tek fëmijët dhe tek popullata me nevoja të veçanta, por mund të përdoret edhe si terapi shtesë për dhimbjet kronike tek pacientët onkologjikë.
” Sedacioni i oksidit të azotit ofron shumë përfitime për pacientët, redukton stresin, zvogëlon perceptimin e dhimbjes dhe lejon shërim të shpejtë.” Përveç kësaj, mund të aplikohet për të gjithë pacientët me siguri maksimale dhe redukton kohëzgjatjen e procedurës. “Disa gra preferojnë të përdorin oksid azoti gjatë kontraktimeve, dhe disa të tjera preferojnë ta përdorin atë për t’u relaksuar ndërmjet kontraktimeve”, shton Dr. Vezenkova Vuçkova.
Gazi shpërndahet përmes një maske të vogël thithëse dhe pasi të hiqet maska, efektet e oksidit të azotit zhduken shpejt.
Oksidi i azotit është një përbërje e gaztë që përdoret si analgjezik në mjekësi. I zbuluar në shekullin e 18-të, përdorimi i tij më i gjerë filloi në mesin e shekullit të 20-të pas ndërtimit të një aparati anestezie për vetë-administrimin e anestezive inhaluese. Efektet analgjezike dhe anksiolitike të gazit N2O mendohet se arrihen nga çlirimi i endorfinës në sistemin nervor qendror dhe modulimi i rrugëve të dhimbjes përmes veprimit të kanaleve dhe receptorëve të ndryshëm jonikë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve