Lajme nga rajoni
Zjarri në resortin e skive, mes viktimave dhe shumë fëmijë! Si ndodhi tragjedia në hotelin me 237 pushues në Turqi, presidenti Erdogan shpall ditën e zisë

Të paktën 76 persona humbën jetën tragjikisht nga zjarri që përfshiu një resort skish në Turqinë veriperëndimore të martën, duke detyruar pushuesit të hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.Sipas të dhënave të reja të publikuara nga mediat turke, mësohet se mes viktimave dhe 51 të plagosurve, besohet se ka dhe shumë fëmijë.
Sipas ministrit të Brendshëm turk, rreth 52 viktima u identifikuan dhe trupat e pajetë iu dorëzuan familjarëve të tyre. Ndërkohë, shkollat dhe bizneset lokale filluan të postojnë njoftime për vdekjen e studentëve dhe stafit të tyre. Disa u raportuan se ishin nxënës të klasës së pestë, të moshës 10 deri në 11 vjeç.
Mësohet se nga të lënduarit që po marrin ndihmë mjekësore në spital, 17 prej tyre kanë marrë lëndime të lehtë dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin për zjarrin, ndwrsa 9 persona u arrestuan si pjesë e hetimit për zjarrin. Më herët, ministri i drejtësisë Yilmaz Tundes tha se pronari i hotelit ishte në mesin e të arrestuarve për t’u marrë në pyetje në hetim. Presidenti turk e shpalli të mërkurën ditë zie.
“Sot nuk është ditë politike, është ditë solidariteti, të jemi një dhe bashkë”, tha ai për X, duke shtuar se kushdo që gjendet përgjegjës do të mbajë përgjegjësi.
“Unë e them këtë qartë dhe pa mëdyshje një herë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit,” tha Tajip Erdogan .
Si ndodhi ngjarja
Zjarri në hotelin 12-katësh Grand Kartal, i cili ndodhet në destinacionin e njohur të turizmit dimëror të Kartalkaya, rreth 300 km në perëndim të Stambollit dhe 180 km nga Ankaraja, shpërtheu në orën 3:27 të mëngjesit. Në atë kohë, shumica e klientëve të hotelit ndodheshin në dhomat e tyre dhe flakët i gjetën duke fjetur, gjë që vlerësohet të ketë shtuar numrin e viktimave.
Në numrin e madh të viktimave ka kontribuar edhe fakti se në këtë kohë nxënësit në Turqi janë me pushime dy javë pas përfundimit të semestrit të parë në shkolla dhe për shumë familje kjo është periudhë ekskursionesh dimërore.
TURQI
Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Është e mundur që kjo të jetë për shkak të një rrjedhje gazi ose një shkëndije elektrike. Vlerësimet e para tregojnë se zjarri ka rënë në zonën e restorantit të hotelit.
Në kohën e zjarrit, në hotel ishin 237 pushues, sipas prefektit të Bolou, Abdulaziz Aydin.
Në pamjet e shfaqura, zjarri ka përfshirë me shpejtësi hotelin dhe e ka shkatërruar plotësisht. Fakti që ndërtesa kishte veshje druri në muret e saj ka kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e shembjes së ndërtesës.
Sipas mediave turke, hoteli nuk kishte një sistem shuarje zjarri me bazë uji që aktivizohej automatikisht në rast zjarri dhe alarmi nuk binte.
Informacioni fillestar se nuk kishte as shkallë të jashtme shpëtimi në rast zjarri, u mohua nga ministri i Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, i cili citoi një certifikatë përkatëse nga Shërbimi Zjarrfikës.
Gjithashtu u tha se nuk ka stacion zjarrfikës në Kartalkaya, i cili është një nga vendpushimet më të rëndësishme të skive, relativisht afër Stambollit dhe Ankarasë. Stacioni më i afërt i Shërbimit Zjarrfikës është një orë e 15 minuta larg.
Lajme nga rajoni
BE: Është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Ajo tha se BE-ja është e gatshme për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.
Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojiten të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.
Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.
Lajme nga rajoni
Në Lundër të Tiranës, donin të vrisnin gruan e Roan Brahimit/ Policia: Makina me targa të ngjashme, autorët ngatërruan objektivin

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur për atentatin e mbrëmjes së të enjtes në Lundër të Tiranës, ku katër persona mbetën të plagosur.
Paraprakisht, ka dyshime të forta se ky rast ka fije lidhëse me atentatin e Lezhës ku u vra me breshëri plumbash Gjovalin Prendi, babi i Roan Brahimit, edhe ky i vrarë në Greqi dhe i njohur si rival i Ervis Martinajt.
Burime sqarojnë se gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës përdor makinë të ngjashme me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmjen e djeshme, vetëm pak orë pas ngjarjes në Lezhë.
Mësohet se gruaja e Brahimit ka edhe shtëpinë afër me familjen Demiraj.
Burime thonë se ka dyshime të forta që shënjestër e sulmit të ketë qenë gruaja e Roanit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht.
Të plagosur në atentatin në Lundër mbetën Arenc Sefa 34 vjeç, Klan Mullahi 19 vjeç, dhe dy të miturit B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç.
Lajme nga rajoni
Avokatja ndan detaje tronditëse nga rasti i “foshnjës në lavatriçe”

Gjinekologu dhe mamia të akuzuar për rastin e “Foshnjës në lavatriçe” janë deklaruar të pafajshëm.
Avokatja Saranda Keqekolli-Sadiku, ka folur në Edicionin Special të Klan Kosovës rreth këtij rasti.
“Sot është mbajtur shqyrtimi fillestar pas ngritjes së akuzës dhe të pandehurit sot janë deklaruar për fajësinë e tyre ku që të dy nuk e kanë pranuar fajësinë. Tash, sipas procedurave të ligjit, të njëjtit do ta ushtrojnë sipas udhëzimeve të gjykatës, kundërshtimin e akuzës dhe provave”, ka treguar Keqekolli-Sadiku.
“Mamia ka qenë e obliguar që frytin e sapolindur ta vendosë në frigoriferët ku vendosen placentat mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, do të thotë, nuk është mbështjellë, nuk është sanu fryti në vendin siç është e paraparë me etikë dhe rregulloren, me protokollet e të ministrisë së Shëndetësisë për shkak të kësaj neglizhence kemi ardhë deri te ky rast”.
“Foshnja është marrë dhe bashkë me qarqaf është futur në lavatriçe dhe vetëm kur kanë ardhë me e marrë kufomën prindërit, familjarët, atëherë kur s’është gjetur askund fryti, kanë arritë me e gjetë në lavatriçe me qarqaf”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve