Lajme nga vendi
Gripi në Tetovë, reparti Infektiv dhe ai Fëmijëve të stërmbushur me pacientë
Nga 80 deri në 100 persona në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore në repartin Infektiv në Tetovë, si pasojë e gripit. Simptomat më të shpeshta janë temperatura dhe kolla, thotë infektologu, Borçe Zafiroski, i cili rekomandon që të evitohen sa më shumë ambientet e mbyllura me shumë njerëz, me qëllim që të mos shpërndahet gripi.
“Pas vitit të ri, kemi rritje të pacientëve me infeksione respiratorë të organeve të epërme, dhe flitet kryesisht për viroza, dhe besojmë se flitet për infeksione të gripit. Sipas raporteve ditore në 24 orë numri i personave që kërkojnë ndihmë është mes 80-100, por edhe me simptoma të tjera. Por nga ky numër mbi 80 për qind janë viroza. Rekomandohet sa më tepër ajrosje të ambienteve dhe vitamina e pije të ngrohta më shumë”, deklaroi Borçe Zafiroski. Infektolog.
Situata nuk është më e mirë as në repartin e fëmijëve.
“Sa i përket virusit të gripit, numri i pacientëve është mjaftë i rritur, me çka vetëm për muajin dhjetor shkon deri në 1115 kontrolle nga të cilët u shtruan 150 pacientë, ndërsa në janar, deri ditën e sotme shkon 887 ndërsa të shtruar kemi 142 pacientë. Fëmijët i kemi më tepër me simptomë gripi, si temperatura të larta, kollitje dhe vjedhje”, u shpreh Merita Elezi Rustemi, mjeke.
Nga Sektori për Arsim i komunës së Tetovës kanë njoftuar se, si pasojë e gripit fillimi i gjysmë vjetorit të dytë nëpër shkollat fillore të Tetovës, ka nisur me mbi 250 nxënës më pak. /Alsat.mk
Lajme nga vendi
Tetovë,rritet buxheti për kulturë
Lajme nga vendi
Mickoski në takime të shumta ekonomike dhe politike në Uashington, po lobohet për interesat dhe përparimin e shtetit
Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në disa aktivitete inaugurale të Presidentit të ri të SHBA-ve, të mbajtura në Uashington.
Ai zhvilloi takim edhe me kryetarin e Partisë Republikane të SHBA-ve, Michael Whatley, me të cilin ndoqën fjalimin përshëndetës të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Përveç kësaj, qëndrimi në Uashington u shfrytëzua për një sërë takimesh ku u lobua për interesat maqedonase.
Kryeministri Mickoski mori pjesë në ceremoninë “Zërat e Lirisë,” të organizuar nga kompanitë Trump Media dhe Rumble, e cila u mbajt pas inaugurimit. Në këtë ngjarje, ai pati takim me Dan Bongino, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Trump dhe komentator politik i njohur i krahut të djathtë.
“Një bisedë ku diskutuam për Maqedoninë, sfidat dhe mundësitë tona. Argumentet dhe qëndrimet tona janë të qarta dhe partneriteti ynë strategjik me SHBA-të dhe administratën e Presidentit Trump është i fortë. Ne luftojmë në vend për paga më të larta, pensione, infrastrukturë të re, shëndetësi më të mirë, arsim më konkurrues, ekonomi me rritje të shpejtë, etj., por gjithashtu luftojmë edhe në Bruksel, Berlin, Paris, Londër, Uashington, etj. Zëri ynë po bëhet gjithnjë e më i fortë,” theksoi Kryeministri Mickoski lidhur me takimin.
Njëkohësisht, Kryeministri maqedonas zhvilloi një bisedë me Andrew Peykoff, biznesmen kanadez me origjinë maqedonase, themelues dhe president i Niagara Bottling, kompani që ka të ardhura vjetore prej rreth 4 miliardë dollarësh amerikanë dhe rreth 5000 të punësuar. Kompania është themeluar në vitin 1963 dhe sot është kompania më e madhe në tregun amerikan në këtë fushë.
“Investimet e Niagara Bottling në Maqedoni janë të mirëseardhura. Diaspora maqedonase është element kyç në sistemin tonë, për të bërë më të qartë dhe më të fortë zërin dhe argumentet tona në botë. Po rinovojmë dhe krijojmë mundësi dhe partneritete të reja me këdo që mund të ndihmojë shtetin,” theksoi Mickoski për këtë takim.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takua gjithashtu me Jesse Spiro, drejtor kryesor në Tether dhe përgjegjës për marrëdhëniet strategjike me qeveritë në botë. Tether është kompania më e madhe në botë që menaxhon kapitalin digjital dhe kriptovalutat. Fitimi i kompanisë në vitin 2023 ishte 6.2 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, fitimi ishte 5.2 miliardë dollarë amerikanë.
Lidhur me takimin, Mickoski deklaroi: -“Diskutuam për tregun e kriptovalutave, të ardhmen e tyre dhe teknologjinë blockchain. Çdo investim i Tether- it dhe çdo përvojë e ndarë nga më të mëdhenjtë në fushën e tyre është i mirëseardhur. Duhet të ecim përpara me hapa të mëdhenj. Nuk guxojmë t’i injorojmë sfidat e së ardhmes.,” theksoi Mickoski.
Lajme nga vendi
Çdo vit në Maqedoni rreth 170 raste të reja të kancerit të qafës së mitrës
Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, gjë që mundëson zbulimin e hershëm përmes ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike dhe testeve të skriningut, siç është testi i Pap-testi dhe testimi i virusit papilloma humane (HPV), theksoi sot Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Sipas të dhënave të fundit të publikuara të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2022 ishin 173 pacientë me kancer të qafës së mitrës, ndërsa numri i vdekjeve nga kjo sëmundje ishte 66, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën 10-vjeçare, pra nga viti 2013 deri në vitin 2022, incidenca mesatare e kësaj sëmundjeje ishte 9.2 për 100 mijë gra, ose rreth 170 raste të reja çdo vit, gjë që e bën kancerin e qafës së mitrës sëmundja malinje e 6-të më e zakonshme tek gratë. Sipas të dhënave të vdekshmërisë, shkalla e vdekshmërisë është 2.9 vdekje për 100,000 gra, ose mesatarisht 52 gra që kanë vdekur gjatë kësaj periudhe nga kanceri i qafës së mitrës. Me ekzaminime të rregullta dhe kujdes të mirë për shëndetin mund të evitohen të gjitha këto vdekje, sepse kontrolli i mirë dhe zbulimi i hershëm i të gjitha rasteve sjell mundësi të mira për trajtim efektiv dhe shmangie të shumë vdekjeve”, thonë nga ISHP.
Shkaku kryesor është infeksioni me HPV, një virus seksualisht i transmetueshëm. Megjithëse shumica e infeksioneve HPV janë të padëmshme dhe zhduken spontanisht, disa lloje të virusit mund të çojnë në ndryshime prekanceroze ose kancer – këto janë HPV 16, 18, 31, 33, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58 dhe 59. Përveç virusit human papilloma (HPV) si shkaktar më i zakonshëm, faktorë të tjerë që rrisin rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundje janë fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale – ekspozimi më i madh ndaj virusit HPV në një moshë më të re, pastaj më shumë partnerë seksualë – rrit rrezikun e infektimit me HPV. Pastaj, sistemi imunitar i dobët dhe pirja e duhanit.
Sipas ISHP-së, vaksinimi kundër HPV është mënyra më efektive e parandalimit, ekzaminimeve të rregullta skrinige, si dhe praktikave të sigurta seksuale.
Në fazat e hershme, ky kancer shpesh nuk ka simptoma. Por fazat e avancuara mund të shkaktojnë gjakderdhje anormale vaginale midis cikleve, pas menopauzës ose pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje gjatë marrëdhënies seksuale, pastaj dhimbje në shpinë, këmbë ose legen, rrjedhje të pazakontë vaginale me një erë të pakëndshme intensive, humbje peshe, humbje oreksi e ndjekur nga dobësi, ënjtje e këmbëve. Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë rrisin ndjeshëm shanset për shërim.
Trajtimi për kancerin e qafës së mitrës, shtojnë ata, varet nga faza e sëmundjes.
- Fazat e hershme: ndërhyrje kirurgjikale ose procedura minimale invazive.
- Fazat e mëvonshme: kombinim i radioterapisë dhe kimioterapisë.
Mbështetja për gratë që kalojnë këtë përvojë është po aq e rëndësishme sa trajtimi mjekësor. Grupet mbështetëse, ndihma psikologjike dhe mbështetja sociale luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës, thekson Instituti.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve