Lajme nga vendi
Taravari letër të hapur Blendi Fevziut: Blendi, o po të mashtrojnë, ose dëshiron të jesh i mashtruar!

Kryetari i ASH-së, dhe njëri nga drejtuesit e VLEN, Arben Taravari, ka dërguar një letër të hapur udhëheqësit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziut, pasi ky i fundit doli me një video prononcim duke shprehur indinjatën për rrezikimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
Taravari në këtë letër ia bën me dije Fevziut se ka kush kujdeset për gjuhën shqipe në Maqedoni, por edhe ia rikujton gjitha të bëmat e BDI-së që ishin fatkeqe për shqiptarët deri sa kjo parti 20 vjet ka qeverisur.
“Faleminderit që t’i shqetësohesh për fatin e gjuhës tonë, por merri referencat e plota, dhe Jo vetëm nga Miqtë e tu ish-funksionarë të cilët po Luajnë me gjuhën, popullin, me ty dhe çdo gjë, për të shpëtuar nga fajet e tyre”, pyet ndër të tjerash Taravari – Fevziun.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Taravarit:
Letër e hapur për Blendi Fevziun
Blendi,
Po të drejtohem direkt me emër sepse kjo letër është aq e afërt sa nuk i pranon kortezitë, të cilat shpesh krijojnë distancë.
E dëgjova reagimin tënd për Çështjen e gjuhës Shqipe.
Kisha dashur që kaq i ndjeshëm sa u tregove për gjuhën Shqipe të tregoheshe edhe për faktin që ajo për 22 vjet pushtet të BDI-së ka mbetur pa emër, por është cilësuar gjithnjë si 20% në Kushtetutë, dhe po njësoj për pacientë që janë djegur brenda në spital apo njerëz të pafajshëm që vuajnë burgime të Përjetshme me raste të montuara pikërisht në kohë të pushtetit të BDI-së, apo edhe për raste të çuditshme se si funksionarë dhe familjarë të BDI-së u kthyen në njerëzit më të pasur në vend. Nuk kemi parë asnjë emision të paktën në dijeninë time për këto raste.
T’i kthehemi videos tënde:
Aty ti ndihesh i shqetësuar, i revoltuar dhe madje akuzon se po “luhet” me gjuhën Shqipe (ndoshta kjo është fjala më e vërtetë dhe e saktë që ke përdorur).
I Dashur Blendi, ti e di se unë jam mjek me profesion, dhe tek ne ka një rregull që besoj se i hyn në punë çdo profesioni, e sidomos tëndit, rregulli thotë:
Një individ mund të ketë 29 simptoma, por duhet Patjetër të ketë 31 që të deklarohet i sëmurë, përndryshe e s’murë me duart e tua sepse i jep terapi të gabuar!
Kështu, Faleminderit që ti je kujtuar të shqetësohesh për ne Shqiptarët e kësaj ane, por me një korigjim të vogël: Ne nuk jemi thjesht “një pjesë e konsiderueshme” e këtij vendi si shprehesh ti por jemi Shtetformues!
Faleminderit që ti shqetësohesh për fatin e gjuhës tonë, por merri referencat e plota, dhe Jo vetëm nga Miqtë e tu ish-funksionarë të cilët po Luajnë me gjuhën, popullin, me ty dhe çdo gjë, për të shpëtuar nga fajet e tyre.
Cilat faje?
Eja, pyet, dhe do gjesh përgjigje nga kombi yt që jeton këtu.
Opozita shqiptare e ka lënë vet gjuhën Shqipe në ditë të zezë, madje me siguri nuk ju ka treguar që në Kushtetutë kjo gjuhë në 22 vite pushtet të tyre është quajtur 20%, por padyshim që nuk ju kanë treguar se edhe këtë Panem et Circenses këta zhinglerë të manipulimit e kanë krijuar vet! Për të shmangur Drejtësinë që i pret dhe për të hequr vëmendjen nga dënimi që i pret, ata arritën të çojnë në Gjykatë Kushtetuese nëpërmjet mashave të tyre Gjuhën Shqipe por…Gjuha Shqipe i dashur Blendi për fatin e mirë të Shqiptarve nuk mund të preket as sot e as mot, dhe ndaj ti dhe cilido të rrini të qetë!
Në 11 dhjetor ju pres që të bëni një emision këtu tek ne dhe të shikoni qartë me sytë tuaj situatën!
Për fund, i zgjuari Konica ka thënë:
Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë!
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve