Connect with us

Lajme nga rajoni

Kosova kundër zgjidhjeve që prekin territoret

Published

on

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023. BE-ja, në anën tjetër, ua ka bërë me dije se rruga e tyre drejt integrimit evropian, varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve. Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm” dhe se do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet

Për Qeverinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve me Serbinë, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk duhet të vihet në diskutim. Ajo thotë se ka qenë dhe është kundër idesë së tillë. “Qeveria e Kosovës refuzon projekte e zgjidhje me karakter territorial”, thotë zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë. Ideja u riaktualizua javën e kaluar, kur kandidatja për komisionare të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Kos, u deklarua kundër saj. “Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, tha Kos në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian. Po atë javë, zgjedhjet presidenciale në SHBA i fitoi ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili do ta marrë mandatin nga janari i vitit të ardhshëm.

Në administratën e parë të Trumpit, nga viti 2017 deri më 2021, ka pasur disa zyrtarë, si këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, që nuk e kanë përjashtuar opsionin e “korrigjimeve territoriale” mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse dy palët në konflikt arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”, ka thënë Bolton në gusht të vitit 2018. Po atë muaj, edhe vetë presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpalosur në një forum në Austri idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Ngjashëm, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Ndonëse asnjëri nuk ka ofruar propozime konkrete, është përfolur që veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, të shkëmbehej me jugun e Serbisë, ku jeton popullatë shqiptare. Këto ide, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi kanë hasur në reagime për dhe kundër.

Edhe aleatët kryesorë të Kosovës në Evropë, Britania dhe Gjermania, kanë thënë se thirrjet për ndryshim të kufijve të Ballkanit mund të sjellin destabilizim. Këtë qëndrim ka sot Qeveria e Kosovës, e cila thotë se përpjekja eventuale për ndarje të Kosovës, nën petkun e shkëmbimit territorial, “nuk është projekt paqësor dhe ndez konflikt të gjerë e të gjatë në Ballkan”.

Advertisement

Për James Ker-Lindsayn, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, përmendja e idesë për shkëmbimin e territoreve tani, bazohet vetëm në spekulime dhe asgjë konkrete. “Kjo ishte në agjendë më herët [në administratën e parë të Trumpit]. Mendoj se nuk ka asnjë justifikim se po flitet diçka [rreth kësaj teme]”, thotë Ker-Lindsay për Radion Evropa e Lirë. “Mendoj se shumëçka do të varet se kush do të jetë në krye të ekipit të tij për politikë të jashtme dhe nëse ata do të jenë të interesuar për Ballkanin”, shton ai. Trump, sipas tij, është i interesuar “vetëm aty ku mendon se mund të arrijë marrëveshje që mund ta bëjnë të duket mirë”. “Dhe, nëse mendon se Ballkani nuk i ofron diçka të tillë dhe nuk e ka askënd përreth që i thotë se mund të bëjmë diçka në Ballkan, ai nuk do të brengoset”, thotë Ker-Lindsay.

Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës joqeveritare për Rajonalizëm në Novi Sad të Serbisë, thotë se nuk e di se kush është duke e iniciuar tashti idenë e shkëmbimit të territoreve. Ai thotë se Vuçiqit do t’i konvenonte rikthimi i kësaj ideje në diskutim, por, sipas tij, ajo nuk përkon më me realitetin në terren.

“Shumëçka ka ndryshuar. Pushteti i Kosovës ka arritur që institucionet serbe që funksiononin atje – përveç shëndetësisë dhe arsimit – t’i shuajë tërësisht. Kështu që mendoj se kjo ide është e vdekur. Kushdo qoftë nga SHBA-ja, nga administrata e saj, që e analizon këtë situatë, do ta kuptojë që, para së gjithash, Prishtina nuk do ta pranojë”, thotë Popov. Radio Evropa e Lirë kontaktoi Presidencën dhe Qeverinë e Serbisë për të kërkuar komente rreth këtyre ideve, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje. David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se gjasat e rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve në diçka konkrete, tash për tash, janë të vogla.

“Shkëmbimi i territoreve nuk do të rikthehet në të njëjtën mënyrë si përpara, sepse aktorët kanë ndryshuar – së paku njëri prej tyre. Marrëveshja është folur në kuadër të një pajtimi mes Thaçit dhe Vuçiqit, të cilët i kanë besuar njëri-tjetrit”, thotë Kanin, duke aluduar në deklaratat e Thaçit dhe Vuçiqit më 2018.

Sipas Kaninit, mes kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe Vuçiqit, nuk ka bashkëpunim të tillë. Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre mbeten pa u zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë angazhimi. Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023. BE-ja, në anën tjetër, ua ka bërë me dije se rruga e tyre drejt integrimit evropian, varet ekskluzivisht nga normalizimi i marrëdhënieve. Kandidatja për shefe të politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha të martën se “Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm” dhe se do të punojë që zgjerimi i BE-së të bëhet realitet. (REL)

Advertisement

Lajme nga rajoni

Zjarri në resortin e skive, mes viktimave dhe shumë fëmijë! Si ndodhi tragjedia në hotelin me 237 pushues në Turqi, presidenti Erdogan shpall ditën e zisë

Published

on

Të paktën 76 persona humbën jetën tragjikisht nga zjarri që përfshiu një resort skish në Turqinë veriperëndimore të martën, duke detyruar pushuesit të hidheshin nga dritaret për t’i shpëtuar flakëve dhe tymit.Sipas të dhënave të reja të publikuara nga mediat turke, mësohet se mes viktimave dhe 51 të plagosurve, besohet se ka dhe shumë fëmijë.

Sipas ministrit të Brendshëm turk, rreth 52 viktima u identifikuan dhe trupat e pajetë iu dorëzuan familjarëve të tyre. Ndërkohë, shkollat ​​dhe bizneset lokale filluan të postojnë njoftime për vdekjen e studentëve dhe stafit të tyre. Disa u raportuan se ishin nxënës të klasës së pestë, të moshës 10 deri në 11 vjeç.

Mësohet se nga të lënduarit që po marrin ndihmë mjekësore në spital, 17 prej tyre kanë marrë lëndime të lehtë dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre.

Qeveria caktoi gjashtë prokurorë për të udhëhequr hetimin për zjarrin, ndwrsa 9 persona u arrestuan si pjesë e hetimit për zjarrin. Më herët, ministri i drejtësisë Yilmaz Tundes tha se pronari i hotelit ishte në mesin e të arrestuarve për t’u marrë në pyetje në hetim. Presidenti turk e shpalli të mërkurën ditë zie.

“Sot nuk është ditë politike, është ditë solidariteti, të jemi një dhe bashkë”, tha ai për X, duke shtuar se kushdo që gjendet përgjegjës do të mbajë përgjegjësi.

Advertisement

“Unë e them këtë qartë dhe pa mëdyshje një herë e përgjithmonë: Ata që shkaktuan një fatkeqësi të tillë, ata që treguan neglizhencë dhe faj, do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit,” tha Tajip Erdogan .

Si ndodhi ngjarja

Zjarri në hotelin 12-katësh Grand Kartal, i cili ndodhet në destinacionin e njohur të turizmit dimëror të Kartalkaya, rreth 300 km në perëndim të Stambollit dhe 180 km nga Ankaraja, shpërtheu në orën 3:27 të mëngjesit. Në atë kohë, shumica e klientëve të hotelit ndodheshin në dhomat e tyre dhe flakët i gjetën duke fjetur, gjë që vlerësohet të ketë shtuar numrin e viktimave.

Në numrin e madh të viktimave ka kontribuar edhe fakti se në këtë kohë nxënësit në Turqi janë me pushime dy javë pas përfundimit të semestrit të parë në shkolla dhe për shumë familje kjo është periudhë ekskursionesh dimërore.

TURQI

Advertisement

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Është e mundur që kjo të jetë për shkak të një rrjedhje gazi ose një shkëndije elektrike. Vlerësimet e para tregojnë se zjarri ka rënë në zonën e restorantit të hotelit.

Në kohën e zjarrit, në hotel ishin 237 pushues, sipas prefektit të Bolou, Abdulaziz Aydin.

Në pamjet e shfaqura, zjarri ka përfshirë me shpejtësi hotelin dhe e ka shkatërruar plotësisht. Fakti që ndërtesa kishte veshje druri në muret e saj ka kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e shembjes së ndërtesës.

Sipas mediave turke, hoteli nuk kishte një sistem shuarje zjarri me bazë uji që aktivizohej automatikisht në rast zjarri dhe alarmi nuk binte.

Informacioni fillestar se nuk kishte as shkallë të jashtme shpëtimi në rast zjarri, u mohua nga ministri i Turizmit Mehmet Nuri Ersoy, i cili citoi një certifikatë përkatëse nga Shërbimi Zjarrfikës.

Advertisement

Gjithashtu u tha se nuk ka stacion zjarrfikës në Kartalkaya, i cili është një nga vendpushimet më të rëndësishme të skive, relativisht afër Stambollit dhe Ankarasë. Stacioni më i afërt i Shërbimit Zjarrfikës është një orë e 15 minuta larg.

Continue Reading

Lajme nga rajoni

Rama takohet me përfaqësuesen e TikTok për Evropën: Shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme

Published

on

Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Zvicër ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror 2025, ka zhvilluar një takim me kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTokut për Europën.

Rama bën me dije se u vendosën disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme. Rama i qëndron vendimit të marrë në dhjetor për të mbyllur përkohësisht platformën.

“Davos, Forumi Ekonomik Botëror – Me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë.”, tha Rama.

Continue Reading

Lajme nga rajoni

Zjarri në hotelin në Turqi, rëndohet bilanci, shkon në 66 numri i viktimave

Published

on

Rëndohet bilanci i viktimave në Turqi. Ka shkuar në 66 numri i personave që kanë humbur jetën nga zjarri që përfshiu në orët e para të mëngjesit, vendpushimin e skive në një hotel në Bolus të Turqisë.

Sipas informacioneve zjarri u përhap fillimisht në restorantin e hotelit dhe u përhap më pas me shpejtësi, në të gjithë ndërtesën. Shkaqet e rënies së zjarrin ende nuk janë bërë të ditura.

Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tundes njoftoi hapjen e një hetimi për zjarrin, duke emëruar gjashtë prokurorë dhe një ekip prej pesë ekspertësh.

 

Continue Reading

Më të lexuarat