Lajme nga vendi
Shteti dhe bankat negociojnë për afatin e pagesës së kredive për sektorin privat
Ministria e Financave dhe bankat komerciale bisedojnë për afatin e pagesës së kredive për sektorin privaz, pasoi që është arritur marrëveshje për definimin e normës së interesit dhe subvencionimin e saj nga ana e shtetit, e cila paraqitet si ndërmjetëse me qëllim që të inkurajohen kompanitë të investojnë në vend, informoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, pas brifingut mer gazetarët.
“Bisedimet me bankat i kemi nisur diku në gusht dhe prej atëherë e deri më sot kemi pasur takime, dy javë më parë kemi arritur marrëveshjen në drejtim të përcaktimit të normës së interesit dhe subvencionimit të saj nga ana e shtetit, siç ka qenë në të kaluarën. Që nga viti 2011 ka pasur shumë linja krediti që janë kaluar përmes Qeverisë, gjegjësisht Ministrisë së Financave, që i janë dhënë privatit ku subvencionimi është dhënë nga shteti. Ne u përpoqëm të bëjmë një përpjekje me bankat, të paktën ta ndajmë atë shpenzim, por ato konsiderojnë se rrezikojnë dhe është e drejtë, rrezikun e marrin bankat dhe në kurriz të kësaj, normalisht mund të shfaqet një kredi me rrezik, prandaj ata insistuan që normën e interesit ta mbulojmë plotësisht vetë dhe në fund u dakorduam”, tha në një deklaratë për shtyp Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja shtoi se është e hapur çështja e afatit të shlyerjes së kredisë, ku shteti kërkon zgjatjen e afateve nga shtatë në pesëmbëdhjetë vjet.
“Ajo që është si një çështje e hapur që ne ende po diskutojmë është periudha e shlyerjes. Kemi kërkuar që periudha e shlyerjes të jetë 15 vjet me grej-periudhë 3-vjeçare, konform procedurave dhe politikave të brendshme të bankave. Ata kanë afatet e shlyerjes nga 7 deri në 10 vjet dhe ne kemi lënë hapësirë këtu të shohim se si do të biem dakord nëse mund të zgjasin afatin e shlyerjes së kredisë, sepse i gjithë ky thelb dhe kjo pjesëmarrje e shtetit në miratimin e kredive synon pikërisht atë, miratimin e kredive për sektorin privat për një periudhë më të gjatë, pra me një afat më të gjatë shlyerjeje, sepse mendojmë se në këtë mënyrë ata do të inkurajohen edhe më shumë kur e dinë që në vitin që ngarkesa është më e vogël, do të nxiten të investojnë më shumë, kjo ishte ideja jonë”, theksoi Dimitreska-Koçoska.
Siç tha më herët kryeministri Hristian Mickoski, gjysma e mjeteve nga kredia hungareze prej gjysmë miliardë eurosh që tashmë janë deponuar në llogarinë e Bankës Popullore do të jenë për kompanitë, gjegjësisht kredi për kompanitë, ndërsa mjetet e mbetura për investime kapitale, një pjesë për komunat, një pjesë për pushtetin qendror.
Lajme nga vendi
Në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës ka filluar ndërtimi i Shkollës Fillore
Në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës ka filluar ndërtimi i Shkollës Fillore periferike “Dituria” ku mësimin do ta ndjekin nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Sipas Ministrisë së Arsimit, tashmë është vendosur një platformë betoni ndërsa I gjithë procesi pritet të përfundojë brenda dy muajsh dhe gjatë kësaj periudhe kryetari i komunës së Çashkës duhet të sigurojë pajisje për objektin e ri shkollor. Xhafer Xhaferi banor i fshatit Banjicë tha për Alsat se punimet tashmë katër ditë po zhvillohen intenzivisht duke shtuar se të njëjtat janë paralajmëruar të përmyllen më 15 dhjetor. Sipas Xhaferit, objekti parasheh tre klasë ndërsa ndërtimi është prej çeliku.
“Po punohet gati katër ditë, çdo ditë vijnë edhe kanë thënë që deri më 15 dhjetor do të përfundoj. Për momentin seriozisht janë tu punu, vijnë gjashtë-tetë vetë. A do të përfundoj në kohën që kanë thënë, në kohën e caktuar apo jo nuk e di, premtime na kanë dhënë se do të përfundojë. Kanë thënë me çelik do të bëhet, me ato panellet”, deklaroi Xhafer Xhaferi , banor I f.sh Banjicë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ka deklaruar se investimi për objektin e ri shkollor kap shumën prej 6,6 milionë denarë. Në objektin e ri shkollor mësimi do të zhvillohet në gjuhën shqipe. Ndërkohë, në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë, nxënësit shqiptarë nga klasa e tretë e deri atë të nëntë vazhdojnë të arsimohen në gjuhën maqedonase për shkak të mungesës së paraleleve shqipe.
Lajme nga vendi
Arrestohet një inspektore ndërtimore në Kumanovë, mori ryshfet prej 4 mijë euro
Sektori i Punëve të Brendshme Kumanovë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale pranë MPB-së sot (01.11.2024) në ora 13:30 ka vepruar me urdhër të Prokurorisë Publike Kumanovë për zbardhjen e veprës penale “marrje e ryshfetit” me çka ka arrestuar L.T nga Kumanova, inspektore e autorizuar ndërtimore në Komunën e Kumanovës, e cila është konstatuar se ka pranuar ryshfet prej 4.000 euro.
“Me datë 25.09.2024, një qytetar ka raportuar në SPB Kumanovë se inspektorja e autorizuar ndërtimore L.T në komunën e Kumanovës, e cila po ushtronte kontroll në një objekt në ndërtim të cilin i dëmtuari po e ndërton dhe në të cilin i pandehuri gjatë kontrollit të procesverbalit ka konstatuar devijim nga leja e ndërtimit dhe për të mos i lëshuar vendim për ndërprerjen e ndërtimit dhe mos paraqitjen e raportit përkatës pranë organeve kompetente i ka kërkuar ryshfet, fillimisht në shumën prej 1.500 euro, që më 31.10.2024 t’i kërkojë 4.000 euro”.
“Pas pranimit të kallëzimit është njoftuar Prokuroria e Kumanovës dhe janë ndërmarrë masat përkatëse. Viktimës i janë dhënë para të përpunuara teknikisht, të cilat ia ka dhënë L.T, në një lokal në Kumanovë. Pasi ajo i ka marrë paratë, është privuar nga liria nga zyrtarët policorë”.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, L.T. do të paraqitet para prokurorit publik kompetent në Prokurorinë Publike Kumanovë”, thonë nga MPB.
Lajme nga vendi
AUV me kontrolle në shtëpitë e pleqve, 14 nuk kanë qenë fare të regjistruara
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton e nga data 29 deri më 31 tetor, shërbimet inspektuese të tyre kanë kryer kontrolle të jashtëzakonshme në 41 shtëpi të të moshuarve në vend.
Siç thonë prej atje, me kontrollet u konstatua se 14 prej tyre nuk ishin fare të regjistruar si operatorë ushqimor në AUV.
“Janë dhënë 16 vendime me urdhër për heqjen e mospërputhjeve të konstatuara, nga të cilat 4 operatorë kanë pasur kërkesa të pamjaftueshme higjienike, ndërsa 3 operatorë janë konstatuar se nuk kanë kryer kontroll të detyrueshëm shëndetësor”.
“Në 5 operatorë u sekuestruan 40 kilogramë ushqime të pasigurta dhe u asgjësuan pa dëm”, thuhet në njoftim.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve