Connect with us

Lajme nga vendi

Çka premtojnë të rinjtë e angazhuar në politikë?

Published

on

Të rinjtë, të cilët janë pjesë e partive politike që janë futur në garë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj, thonë se janë të lodhur nga frazat se gjërat nuk ndryshojnë në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, ata thonë se janë inkuadruar në to, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë në vendimmarrje kur bëhet fjalë për interesat e tyre.

Drejtuesit e forumeve rinore brenda katër forcave kryesore politike, Lidhjes Social Demokrate(LSDM), Frontit Evropian të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), koalicioni i partive shqiptare në opozitë VLEN, dhe VMRO DPMNE-ja thonë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi i tyre në politikë si prioritet ka ngritjen e cilësisë së jetesës që të rinjtë mos largohen nga vendi.

Por, ata kanë edhe ide inovative, si angazhimi i psikologëve sipas modelit të mjekëve familjarë për çdo të ri, krijimi i zonave ekonomike për bizneset e të rinjve etj.

Jetmir Asani nga Lidhja Demokratike që është pjesë e koalicionit të partive politike shqiptare në opozitë, VLEN, thotë se synim ka hapjen e zonave të lira ekonomike për “start up” kompanitë, që do të drejtohen nga të rinjtë në mënyrë që ata të inkurajohen që me njohuritë e tyre të zhvillojnë biznese në Maqedoninë e Veriut dhe jo jashtë vendit.

“Do të angazhohemi që të rinjtë ta kenë më të lehtë të merren me biznes dhe këtë do ta realizojmë përmes krijimit të zonave të lira ekonomike me shumë lehtësime për të rinjtë që do të merren me biznes”, thotë Asani për Radion Evropa e Lirë(REL).

Advertisement

Në programin për zgjedhjet parlamentare të koalicionit VLEN, për sa i përket të rinjve veç tjerash theksohet se “personat më të rinj se 30 vjeç që hapin biznes në Maqedoninë e Veriut për tre vjet do të lirohen tërësisht nga taksat për realizimin e veprimtarive ekonomike”.

Në programin zgjedhor të koalicionit VLEN është apostrofuar dhe sigurimi linjave kreditore pa normë interesi për blerjen e banesave për çiftet e reja nën moshën 35-vjeçare.

“Kredi me zero interes për banim për çiftet e reja”, theksohet në programin zgjedhor të këtij koalicioni.

Jetmir Asani thekson se në fokus të koalicionit të partive shqiptare në opozitë mbetet dhe heqja e taksës së pagesës për studentët në universitete, gjegjësisht studime tërësisht pa pagesë.

Nga ana tjetër, Marko Mihallovski që drejton forcat e të rinjve te socialdemokratë thotë se prioritet mbetet themelimi i një ministrie për të rinjtë, ndërtimi i një sistemi për mbështetje sociale të të rinjve, si dhe promovimi i rëndësisë që ka shëndeti mendor përkatësisht sigurimi i psikologëve sipas modelit të mjekëve amë.

Advertisement

“Ngritja e standardit jetësor dhe konvikteve për studentët do të jetë angazhimi ynë primar. Do theksuar se këtë e kanë premtuar shumë parti politike përfshirë këtu dhe partinë që përfaqësoj se do të rinovojmë dhe ndërtojmë konvikte të reja, që disi nuk ia dolën. Tani kjo çështje do të jetë në fokus tonin”, thekson Mihajllovski për REL-in.

Në programin zgjedhor të Lidhjes Social Demokrate theksohet se kjo parti do të angazhohet për zhvillimin e softuerit “Youth job – E-Youth job” , nëpërmjet të cilit të rinjtë, gjegjësisht studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme do të mund të përfitojnë njohuri për t’u bërë më konkurrues në tregun e punës me këtë dhe krijojnë pavarësi ekonomike.

Në programin e zgjedhjeve parlamentare të socialdemokratëve gjithashtu theksohet se “do të angazhohen për zhvillimin e mekanizmave që të rinjtë ta kenë më të lehtë të jenë pjesë e aktivitetet politike dhe pozitave drejtuese”.

Ndërkaq, nga Koalicioni i Frontit Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë për REL-in se fokusi do të vendoset në përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje.

Në programin zgjedhor 2024 të Frontit Evropian, për sa i përket të rinjve, theksohet “nxitja e sipërmarrjes te të rinjtë, si mundësi për ngritjen e cilësisë së jetesës dhe pavarësisë ekonomike në një moshë më të re. Në programin zgjedhor theksohet dhe hartimi i një strategjie për kthimin e të rinjve në vendlindje dhe shfrytëzimin e njohurive të tyre në vend”.

Advertisement

Sergej Popov nga VMRO DPMNE-ja për Radion Evropa e Lire thotë se me prioritet mbetet ndarja e 50 milionë eurove nga buxheti për ndarjen e bursave dhe ndihmave financiare për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme.

Popov thotë se do të angazhohet dhe për sigurimin e kartelave ku të rinjtë do të kenë zbritje për produkte dhe shërbime të caktuara.

“Kemi një program përmbajtjesor të hartuar nga të rinjtë për të rinjtë që më vete përfshin interesat edhe të atyre që jetojnë këtu, po edhe atyre që duhet motivuar për t’u kthyer në vend”, thekson Popov.

Në programin zgjedhor të partisë maqedonase, VMRO DPMNE, theksohet se do të angazhohen që të zhvillohen viset rurale duke vënë theksin në zhvillimin e bujqësisë, përkatësisht do të ofrohen subvencione për çiftet e reja që do të shpërngulen e të kthehen në fshatra.

“Për të mbajtur popullsinë që jeton në zonat rurale, veçanërisht të rinjtë, parashikojmë investime sistematike dhe strukturore në infrastrukturë dhe vende të reja pune në zonat rurale”, theksohet në programin zgjedhor të VMRO DPMNE-së.

Advertisement

Edhe kundrejt ofertave të këtilla të partive politike, më shumë se gjysma e të rinjve nën moshën 29 vjeç të ardhmen e shohin jashtë vendit.Burimi: Radio Evropa e Lirë

Lajme nga vendi

Paraburgim për një 31 vjeçar nga Shkupi, dyshohet për tentim për përdhunim

Published

on

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese ndaj personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale sulm seksual dhe dhunim nga neni 186 paragrafi 1 lidhur me nenin 19 (në tentativë ) të Kodit Penal.

“Më 5 shtator, 31-vjeçari ka sulmuar një grua në Kisella Vodë dhe në kundërshtim me vullnetin e saj të shprehur qartë, ka tentuar qëllimisht të kryejë akte seksuale ndaj saj. Viktima ka qenë duke ecur në drejtim të shtëpisë së saj dhe pasi ka kaluar në vendkalimin për këmbësorë në bulevardin “Boris Trajkovski” afër komunës Kisella Boda, i dyshuari e ka kapur me të dyja duart dhe ka tentuar ta tërheqë zvarrë në një rrugë anësore. Ai e shtyu dhe tentoi ta sulmonte seksualisht. Gruaja vazhdonte të bërtiste, të kërkonte ndihmë dhe përpiqej të çlirohej, ndërsa kur njerëzit filluan të mblidheshin, i dyshuari e la të ikte pa e arritur qëllimin e tij”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PTHP-ja.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, me të cilin ka deklaruar se ekziston rreziku që ai të ikë, të pengojë procedurën penale ose të përfundojë tentativën e veprës penale. Gjykata themelore penale e Shkupit e ka pranuar propozimin dhe të dyshuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Durmishi: Ministria e Ekonomisë dhe Punës ndan mjete financiare për realizimin e programit (projektit) për mbrojtjen e konsumatorëve

Published

on

Ministria e Ekonomisë dhe Punës, në përputhje me përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, shpalli sot thirrje publike për ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve në kuadër të Programit për mbrojtjen e konsumatorëve për vitin 2024. Mjetet financiare nga ky Program janë të dedikuara për realizimin e programeve dhe projekteve nga shoqatat e konsumatorëve. Përmes kësaj mbështetjeje financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ndan mjete financiare për realizimin e programit (projektit) për mbrojtjen e konsumatorëve në vlerë prej 300.000,00 denarë deri në 500.000,00 denarë në përputhje me propozim programet (projektet) e dorëzuara për mbrojtjen e konsumatorëve deri në shterimin e mjeteve financiare të parashikuara për këtë thirrje, të organizatave joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorëve për sigurimin e informacioneve dhe ndihmës për konsumatorët.Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve dhe për të forcuar mbrojtjen dhe të drejtat e tyre.Inkurajojmë të gjitha shoqatat e konsumatorëve që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë për mbështetje financiare që do t’u mundësojë atyre të realizojnë projekte të rëndësishme për të mirën e konsumatorëve. Kjo thirrje është dëshmi e përkushtimit tonë për transparencë, drejtësi dhe gjithëpërfshirje në krijimin e politikave që përmirësojnë kushtet e jetesës së të gjithë qytetarëve.Më shumë informacione për kushtet e aplikimit, shumën e mjeteve financiare dhe afatin për dorëzimin e kërkesave mund të gjeni në ueb-faqen tonë www.economy.gov.mk.Sektori i Koordinimit të aktiviteteve të ministrit
Ju bëjmë thirrje të kontribuoni bashkërisht në forcimin e të drejtave të konsumatorëve në vendin tonë. Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është jo më vonë se ora 16:00 më 20.09. të vitit 2024.Tv Koha

Continue Reading

Lajme nga vendi

Gjendet një trup i pajetë brenda një hoteli në Tetovë

Published

on

Me datë 05.09.2024 në ora 11:40, në SPB Tetovë nga Emergjenc Mjekësore e Tetovës kanë raportuar se në një hotel në Tetovë ndodhet një person i vdekur, i cili nga mjeku i Mjekësisë Emergjente ka konstatuar vdekjen pa shenja dhune.

“Është konstatuar se bëhet fjalë për P.J.R (68) nga Britania e Madhe. Prokurori publik dhe zyrtarët policorë nga SPB- Tetovë kanë kryer këqyrje në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të Prokurorisë Publike, trupi i pajetë i të ndjerit është dorëzuar për obduksion”, thuhet në kumtesën e SPB Tetovë.

Continue Reading

Më të lexuarat