Lajme nga vendi
Dita e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale!

Sot është dita e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen të mërkurën, më 24 prill.
Pas mesnate fillon heshtja parazgjedhore e cila do të përfundojë ditën e votimit në orën 19:00, ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj do të vazhdojë dhe nuk do të ndërpritet.
Kandidatët presidencial, si dhe kandidatët për deputetë edhe sot janë me aktivitete parazgjedhore.
Votuesit në zgjedhjet e shtata parlamentare do të mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president – pesë burra dhe dy gra. Kandidatët janë presidenti aktual Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM dhe koalicioni, Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE, Biljana Vakovska e mbështetur nga E Majta, Maksim Dimitrievski – ZNAM, Stevço Jakimovski – GROM, Arben Taravari nga koalicioni VLEN dhe Bujar Osmani nga Fronti Evropian.
Karakteristike për këto zgjedhje është se në vend të dielën, zgjedhjet do të mbahen të mërkurën, ditë e shpallur nga Qeveria si ditë jopune. Gjithashtu, këto zgjedhje përkojnë me zgjedhjet për deputetë dhe identifikimi i votuesve do të bëhet sërish me aparate identifikimi biometrike.
Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale që pritet të zhvillohet, do të përkojë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ndërsa kur votuesit të shkojnë në qendrat e votimit para se të marrin fletëvotimin, do të duhet të deklarojnë nëse do të votojnë për të dyja zgjedhjet ose jo. Nëse nuk duan të votojnë në asnjë prej zgjedhjeve, nuk do të mund të ndryshojnë mendje gjatë ditës dhe të kthehen sërish në qendrën e votimit dhe të votojnë.
Për zgjedhjet presidenciale në Listën zgjedhore janë regjistruar 1.814.317 votues. Në çertifikata nga Lista zgjedhore për votim në vend janë të regjistruar 1.713.758 votues, ndërsa jashtë vendit në PDK apo zyrat konsullare do të votojnë 2.569 votues.
Në çertifikatën e veçantë nga Lista zgjedhore për personat të cilët janë në vuajtje të dënimit me burg ose në paraburgim gjatë zgjedhjeve janë regjistruar 2.147 votues.
Janë regjistruar edhe 534 votues, të cilët kanë paraqitur kërkesë për votim për personat të cilët gjatë kohës së zgjedhjeve ndodhen në institucionet e përkujdesjes jashtë familjare. Dy persona janë renditur si persona të zhvendosur brenda vendit.
Diaspora, të burgosurit, të moshuarit, të sëmurët dhe të pafuqishmit votojnë një ditë para zgjedhjeve, pra të martën e 23 prillit. Votimi për president ka filluar me anëtarët e këshillave zgjedhorë që kanë udhëtuar për të zhvilluar votimin në diasporë. Në ekstraktin e posaçëm nga Lista zgjedhore janë shënuar 191 votues, të cilët duhet të votojnë në diaporë.
Në përfaqësitë diplomatike dhe në zyrat konsullare nesër, 23 prill, nga ora 07:00 deri në orën 19:00 sipas kohës lokale, kundër kërkesave të pranuara 2.571 janë paraqitur në shtetin tonë, votimi duhet të bëhet në Abu Dhabi ku janë regjistruar 26 qytetarë tanë për të votuar, në Beograd- 31, Berlin – 260, Bernë – 186, Bon -164, Bruksel – 93, Uashington- 34, Venecia – 79, Vienë – 123, Detroit – 34, Zagreb-87, Kanberra – 31, Kopenhagen-74, Londër-87 , Lubjanë -332, Mynih-166, Melburn-64, Nju-Jork-85, Oslo-41, Paris-44, Pragë-52, Romë-30, Stokholm-85, Toronto-117, Hagë-65, Çikago-88 , Ankara- 18, Varshavë-23, Madrid-18, Pekin-12 dhe Sofje 22.
Qytetarët tanë të tjerë që jetojnë jashtë vendit mund ta ushtrojnë të drejtën e votës në qendrat e votimit në vend, sipas adresës në dokumentet e tyre personale.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) këtë fundjavë materialin jokonfidencial dhe konfidencial, duke përfshirë fletët e votimit, ua ka shpërndarë Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, të cilat të martën duhet t’ua dorëzojnë këshillave zgjedhorë.
Sipas njoftimeve, informatat e para duhet KSHZ-ja t’i shpallë rezultatet e zgjedhjeve para mesnatës së 24 prillit.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve