Lajme nga vendi
Dallimet e temperaturave janë shokuese për njerëzit, këtë verë në RMV mund të ketë stuhi me bubullima

Këto ditë jemi dëshmitarë të oscilimeve të mëdha të temperaturës të temperaturës. Hymë në pranverë me temperatura verore, ndërsa tani kemi temperatura të ulëta. Njerëzit e ndjeshëm reagojnë ndaj këtyre oscilimeve, sepse trupi nuk mund të mësohet menjëherë me ndryshimet, ka nevojë për adaptim, thotë kështu për Meta.mk meteorologu Prof. Dr. Vllado Spiridonov, profesor i rregullt i meteorologjisë në Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore – Matematikore,
Ai thekson se këto ndryshime të papritura më së shumti i ndjejnë të sëmurët kronikë, popullata më e moshuar, por edhe të rinjtë.
Kjo valë e ftohtë do të zgjasë deri në fillim të javës së ardhshme. Temperaturat e ulëta do të sjellin reshje bore në malet më të larta në Maqedoninë Perëndimore, por jo edhe në vendet më të ulëta, pemët frutore nuk do të ngrijnë, kështu që bujqit nuk kanë pse të kenë frikë. Temperaturat minimale do të jenë mbi 0, por në vendet më të larta nuk përjashtohet mundësia që gjatë ditës së sotme të ketë reshje të borës. Nga nesër do të vazhdojë moti i ndryshueshëm, më i freskët, e që do i ngjajë motit të pranverës së hershme”, thotë profesori i cili ka qenë edhe profesor vizitor në Universitetin e Vjenës.
Ai shpjegon se një nga anët negative të ndryshimeve klimatike janë pikërisht këto oscilime të motit.
Ajo që po ndodh tani jo domosdoshmërisht është e lidhur drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike. Por, brenda atyre ndryshimeve stinore, vetë sistemi ndryshon dhe oscilon, e kështu ne nga një mot i qëndrueshëm kalojmë në një masë polare. Kështu tani jemi nën ndikimin e një mase tjetër, me karakteristika më të lagështa, presion më të ulët dhe temperatura më të ulëta. Ky mot i ngjason motit siç duhet të jetë në pranverë, por jo nga aspekti i oscilimeve të mëdha”, shton profesori.
Popullata jonë nuk është mësuar që ta presë pranverën me temperatura të verës apo dimrin me temperatura të vjeshtës.
“Për shembull, vitin e kaluar pranvera ishte shumë e lagësht, nuk e dinim nëse do të shkonim me pushime në fillim të verës. Në planetin tonë ka edhe shembuj të tjerë të këtillë. Sistemi ynë klimatik është çrregulluar, nuk është mësuar të funksionojë nën ndikime të tilla, ndërsa ato ndikime janë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Ka rritje të emetimeve të CO2 në atmosferë, gjë që, nga ana tjetër, e ndryshon përbërjen kimike të saj. Gazrat serrë, avujt e ujit dhe CO2, e shtojnë nxehtësinë e drejtuar drejt sipërfaqes së tokës dhe në këtë mënyrë ndodh procesi i ngrohjes globale”, thotë profesori Spiridonov.
Ai shton se në gjysmën e dytë të pranverës do të ketë reshje.
“Për atë se si do të jetë vera, ka vlerësime të ndryshme. Modelet dhe vlerësimet atmosferike tregojnë për një verë më të ngrohtë, ndërsa në korrik dhe gusht mund të jetë rrezik sepse mund të ketë stuhi më intensive me bubullima, të cilat mund të jenë mjaft shkatërruese. Kjo është rezultat i ndryshimeve klimatike”, thekson Spiridonov.
Vala e ftohtë ka prekur pjesën më të madhe të Evropës, përfshirë këtu edhe vendet e rajonit. Në një deklaratë për “H1”, fizicienti atmosferik Prof. Branko Grisogono tha se edhe pse edhe më parë ka pasur ndryshime të papritura të motit, nuk ka ndodhur asnjëherë që temperatura të bjerë nga 30 në 6 gradë.
“Sa i përket motit prilli është muaji më i ndryshueshëm i të gjithë vitit. Kjo është shokuese për ne sepse kaluam nga temperatura tipike të verës në temperaturat e pranverës të hershme. Këto javët e fundit kemi pasur temperatura absolutisht mbi mesataren ndërsa tani jemi katër deri në shtatë gradë nën mesataren. Kjo paraqet një diferencë prej 20 gradë dhe trupi e ndjen këtë dhe kjo është shokuese”, tha profesori Grisogono, i cili ligjëron në Fakultetin e Shkencave Natyrore – Matematikore në Zagreb.(Portalb.mk)
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve