Lajme nga vendi
Moti sot në Maqedoninë e Veriut
Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë i ndryshueshëm dhe më i ftohtë, në pjesën lindore në disa vende do të ketë kushte për reshje të borës, ndërsa në pjesën juglindore do të reshje të lehta të shiut.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -2 deri në 5, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin prej 3 deri 10 gradë celsius.
Nga nesër moti pritet të jetë i qëndrueshëm dhe me rritje të temperaturave ditore.
Lajme nga vendi
Ka përfunduar COP29, fokusi qendror i financimit të klimës
Në Baku të Azerbajxhanit, në periudhën prej 11-22 nëntor u mbajtë Takimi i 29-të i Palëve në Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Takimi i 19-të i Palëve në Protokollin e Kiotos dhe Takimi i 6-të i Palëve në Marrëveshjen e Parisit, së bashku me takimin e 61-të të Organeve Këshillimore Ndihmëse në shkencës dhe teknologjisë dhe për zbatim.
Në këtë konferencë, Republika e Maqedonisë së Veriut u përfaqësua në nivelin më të lartë, me një delegacion të kryesuar nga kryetarja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, ku morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës, Minierat dhe Burimet Minerale, Sanja Bozhinovska.
Konferenca e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) përfundoi me një Synim të Ri Kolektivë të Financimit të Kuantifikuar të Klimës (NCQG) për të ndihmuar vendet që t’i mbrojnë njerëzit dhe ekonomitë e tyre nga fatkeqësitë klimatike dhe të ndajnë përfitimet e mëdha të marrjes së energjisë së pastër COP29 mblodhi gati 200 vende në Baku, Azerbajxhan dhe arriti një marrëveshje që do të mundësojë:
– Financim të trefishtë të vendeve në zhvillim, nga objektivi i mëparshëm prej 100 miliardë dollarë amerikanë në vit, deri në 300 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2035; dhe
– Përpjekje të sigurta nga të gjithë aktorët për të punuar së bashku për të rritur financimin në vendet në zhvillim, nga burime publike dhe private, në një shumë prej 1.3 trilion dollarë në vit deri në vitin 2035.
Konferenca e këtij viti arriti gjithashtu marrëveshje për tregjet e karbonit – diçka që disa COP të mëparshme nuk kanë mundur ta arrijnë. Këto marrëveshje do t’i ndihmojnë vendet që të realizojnë planet e tyre klimatike më shpejt dhe më lirë, dhe do të bëjnë përparim më të shpejtë në përgjysmimin e emetimeve globale këtë dekadë, siç kërkon shkenca.
U arritën gjithashtu marrëveshje të rëndësishme për raportimin dhe përshtatjen transparente të klimës.
Në COP të këtij viti, Republika e Maqedonisë së Veriut iu bashkua deklaratave të mëposhtme:
• COP29 Angazhimi për ruajtjen dhe rrjetet globale të energjisë (COP29 Global Energy Storage and Grids Pledge)
• COP29 Angazhimi për zonat dhe korridoret e energjisë së gjelbër (COP29 Green Energy Zones and Corridors Pledge)
• COP29 Deklaratë për veprim të zgjeruar në turizëm (COP29 Declaration on Enhanced Action in Tourism)
• COP29 Deklarata e ujit për veprimin klimatik (COP29 Declaration on Water for Climate Action).
Lajme nga vendi
Gjashtë autobusët ekologjikë iu dorëzuan autoriteteve lokale në Shkup, donacion nga BE-ja‼
Donacioni nga BE-ja prej gjashtë autobusëve ekologjikë ka mbërritur në garazhet dhe drejtorinë e NTP Shkup në Autokomanda. Promovimi i autobusëve u bë në prani të drejtorit të NTP-së, kryetares së qytetit të Shkupit, ministrit të Mjedisit jetësor, si dhe Delegacionit të BE-së në vend, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve, autobusët kishin mbërritur më herët në vend, por ndodheshin në magazinat e Doganës.
Çdo autobus ka kapacitet prej 98 pasagjerësh (69 në këmbë + 29 ulëse), duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, gjë që përmirëson më tej qasjen e tyre në shërbimet bazë dhe ofron mundësi për transport publik të aksesueshëm dhe lëvizje të sigurt urbane.
“Ky aktivitet që po zhvillojmë sot është një projekt me vlerë 10 milionë euro që do të kontribuojë në uljen e ajrit të ndotur, sepse është një problem mjedisor që e ndjejmë menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohjes”, tha ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihail Rokas, gjatë dorëzimit të gjashtë autobusëve ekologjikë.
Projekti, siç shtoi ai, përfshin qytetet e Manastirit, Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, përkatësisht ato që përballen me ndotje të shtuar të ajrit.
“Transporti është arsyeja e sasisë së madhe të emetimeve të dioksidit të karbonit që ne lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë u mundësojmë qytetarëve që në vend të automjeteve individuale të përdorin transportin publik. Duhet ta bëjmë transportin publik që sa më pak të ndotë”, theksoi Rokas.
Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, tha se donacioni nga Bashkimi Evropian është sukses për qytetin e Shkupit, duke shprehur shpresën se ky aktivitet do t’i motivojë këshilltarët e qytetit të Shkupit që të votojnë për blerjen e 250 autobusëve të tjerë ekologjikë.
“Ky është vërtet një sukses i madh i Qytetit të Shkupit dhe dëshmi se kur administrata jonë e qytetit nuk është e bllokuar, është në gjendje të zbatojë diçka nga e cila përfiton Qyteti i Shkupit dhe mbarë vendi. Shpresoj se sot me këtë projekt do t’i motivojmë të gjithë palët e interesuara dhe ata këshilltarë të Qytetit të Shkupit që duhet të votojnë edhe për 250 autobusë të tillë ekologjikë”, tha Arsovska.
Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti nga ana tjetër tha se përkundër masave ekzistuese të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ministria e tij dhe qeveria janë duke ndërmarrë hapa të tjerë shtesë për t’u marrë me problemin e kahershëm të qytetarëve të Shkupit.
“Sot është një ditë e veçantë, sepse me ndihmën e BE-së kryeqyteti ynë po merr 6 autobusë të rinj. Me pasurimin e flotës së NTP-së, po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik. Pavarësisht masave të qeverisë për uljen e ndotjes së ajrit, ne kemi ndërmarrë hapa shtesë. Do të marrim 100-120 autobusë elektrikë për nevojat e komunave dhe qytetit të Shkupit. Ajri nuk njeh kufij dhe duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Mexhiti.
Donacion nga BE-ja bëhet përmes projektit “BE për ajër të pastër”. Siç informuan organizatorët e ngjarjes, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS), këta autobusë janë një hap i rëndësishëm në rrugën e qytetit të Shkupit drejt reduktimit të emetimeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe promovimit të lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane.
Donacioni vjen pasi autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin për shkak të mungesës së naftës, pas së cilës Qeveria ka vendosur që qytetit të Shkupit t’i huazojë naftë nga rezervat shtetërore të naftës. Të nesërmen e këtij vendimi, banorët e Shuto Orizarit, të udhëhequr nga kryetari i tyre Kurto Dudush, kanë protestuar para qytetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryetares, pasi në këtë komunë ka më shumë se 730 ditë që nuk ka transport.
Problemi me transportin publik të qytetit kulmoi me 20 nëntor pasi, për shkak të mungesës së naftës, shumica e autobusëve të NTP-së mbetën të parkuar në bazat e tyre. Janë vënë në qarkullim 25 autobusë me gaz natyror dhe disa të tjerë që kanë rezervë nafte.
Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi nga Beogradi mundësinë e blerjes së autobusëve të rinj elektrikë për tejkalimin e këtij problemi të vazhdueshëm.
Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.
Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.
Lajme nga vendi
Dimitrieska-Koçoska në Forumin global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska është pjesëmarrëse në Takimin plenar të Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore, që mbahet nga dita e sotme deri më 29 nëntor në Paraguaj dhe i dedikohet zbatimit global të standardeve ndërkombëtare për transparencën tatimore dhe progresin e vendeve, si dhe sfidave me të cilat përballen vendet gjatë zbatimit të standardeve. Ministrja është pjesëmarrëse e këtij forumi, e shoqëruar nga sekretarja shtetëore e MF-së, Andriana Matlioska.
Në panelin e diskutimit, ministrja Dimitrieska-Koçoska do t’i trajtojë prioritetet, përvojën dhe sfidat në zbatimin e Standardit të Shkëmbimit Automatik të Informacioneve (AEOI), i cili është mjet kryesor për juridiksionet, përkatësisht shtetet, në luftën kundër evazionit fiskal dhe mbrojtjen e integritetit të sistemeve të tyre tatimore.
Në këtë takim, Sekretariati i Forumit global do ta paraqes përkrahjen e dhënë ndaj anëtarëve në procesin e zbatimit të standardeve. Forumi global përbëhet prej mbi 170 juridiksione, ku përfshihen vendet e grupit G-20, qendrat financiare dhe shumica e anëtarëve janë vende në zhvillim. Të gjithë anëtarët punojnë së bashku, në nivelin e njëjtë, në luftën kundër evazionit tatimor ofshor.
Detyra më e rëndësishme e Forumit global është zhvillimi i kapaciteteve për përkrahjen dhe mundësimin e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të standardeve të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve nga të gjithë anëtarët, veçanërisht vendet në zhvillim.
Përkatësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut është në proces të zbatimit të standardeve për shkëmbimin automatik të informacioneve. Standardi AEOI i referohet shkëmbimit vjetor të informacioneve për llogaritë financiare të jorezidentëve në një format të paracaktuar, ndërsa këta informacione të shkëmbyera përfshijnë detajet e llogarisë financiare (për shembull, institucioni financiar që e posedon atë, numri i llogarisë dhe gjendja e llogarisë) dhe të dhënat e poseduesit të llogarisë (p.sh.: emri, adresa, data e lindjes dhe numri i identifikimit të obliguesit tatimor).
Zbatimi i Standardit AEOI kërkon që juridiksionet të mbledhin informacione nga institucionet e tyre financiare çdo vit dhe në mënyrë automatike t’i shkëmbejnë ato me juridiksionet ku poseduesi i llogarisë është tatimpagues rezident. Për shkëmbim të suksesshëm të informacioneve është e nevojshme infrastruktura juridiko-ligjore dhe administrative.
Propozimligji i Bashkëpunimit Administrativ është në fayë hartimi, me të cilin, mes të tjerash, do të përcaktohen dispozitat për shkëmbimin automatik të informacioneve për llogaritë financiare dhe për shkëmbimet automatike të informacioneve për raportet sipas vendeve.
Me këtë ligj, do të vendoset korniza juridike konkrete që do të kontribuojë në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave tatimore dhe rrjedhimisht në luftën kundër evazionit tatimor ndërkufitar dhe evazionit tatimor, rritjen e arkëtimit tatimor, si dhe përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD, që nga muaji janar i vitit 2011.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve