Lajme nga vendi
Plani “zjarr” i Zoran Zaevit që rrezikon ta ndryshojë lojën politike në Maqedoninë e Veriut dhe t’i defaktorizojë krejtësisht shqiptarët
Lirim Mehmetaj – AlbanianPost
Si një lider i moderuar dhe në një stil aspak të zakonshëm për një politikan ballkanik, Zoran Zaev, me 31 tetor të vitit 2021 pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe nga ajo e kryetarit të partisë LSDM, pasi pësoi disfatë në zgjedhjet lokale nga kundërshtari kryesor VMRO-DPMNE-ja.
Por, perdja prej të moderuari Zaev-it nuk i ka zgjatur më shumë se një vit.
Ai është rikthyer me një marifet “zjarri” në prapaskenë që rrezikon të shkaktojë turbulenca politike të atilla që mund ta kthejnë Maqedoninë e Veriut dekada mbrapa.
Zaev ka në plan të kthehet në pushtet, të rrëzojë pasardhësin e tij në parti dhe aktualisht kryeministër, Dimitar Kovaçevskin; të bëjë aleancë me kundërshtarin kryesor, liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskin; ta eliminojë politikisht Ali Ahmetin dhe BDI-në e tij dhe ta afrojë formalisht në pushtet një parti margjinale si Lëvizja BESA për të krijuar iluzionin e bashkëpunimit ndër-etnik.
Të gjitha këto për të shpëtuar kokën, pas ofensivës së shpallur amerikane kundër korrupsionit, e përcjellur përmes ambasadores në Shkup, Angela Aggeler.
Ajo e ka bërë të ditur qysh nga emërimi se misioni në kryeqytetin maqedonaso-verior është lufta e pakompromis kundër korrupsionit “i cili ekziston në kaq shumë forma në Maqedoninë e Veriut”.
Kjo luftë kundër-korrupsion godet direkt Zoran Zaevin dhe lidhjet e tij korruptive, prandaj ai betejën e rikthimit e ka nisur.
Pozita e shqiptarëve është kolateral i pashmangshëm në këtë plan të Zaev-it për t’u rifaktorizuar.
Fuqizimi i serishëm i tij nënkupton tjetërsim të faktorit shqiptar atje.
Çfarë konkretisht po ndodh?
Gjithçka filloi kur Zaev zbuloi se jeta jashtë funksioneve politike brenda një viti ia ka pamundësuar kontrollin e levave të fuqisë. Këtë e kuptoi kur e pati të pamundur ta diktojë përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Me ndikimin amerikan, koalicioni qeverisës LSDM-BDI mundësuan zgjedhjen e Islam Abazit si udhëheqës i këtij institucioni.
Abazi ishte shqiptari i parë që merrte këtë post, pozitë e rezervuar ekskluzivisht për maqedonasit më parë.
Ndryshimi erdhi pas shkarkimit të ish shefes, Vilma Ruskovska, dhe votimit nga prokurorët e Maqedonisë së Veriut, të cilët i dhanë besimin shqiptarit nga Kërçova.
Zaev, nga sfondi, do dështonte sërish të influenconte një tjetër post të rëndësishëm, atë të shefit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, që është agjencia kryesore e inteligjencës në Maqedoninë e Veriut. Në këtë pozitë u vendos Zarko Milloshevski.
Për shkak se pritet hetim në struktura politike e shtetërore dhe me trysninë amerikan po kërkohet ndëshukueshmëria e korrupsionit, Zaev donte të kishte në këto pozita kyçe vartësit e tij.
Situata e re bëri që edhe ish-kryeministri të vinte me një plan të ri.
Burime të Albanian Post të mirënjohura me situatën thonë se Zaev planin ia prezantojë fillimisht Kovaçevskit. Në një takim me 21 dhjetor në selinë e LSDM-së, Zaev i kishte thënë Kovaçevskit se “duhet ta shpërbëjë qeverinë dhe të mbahen urgjentisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.
Pas zgjedhjeve – e pandodhur më parë – “LSDM-ja duhet të bëjë koalicion me rivalin e përjetshëm VMRO-DPMNE-në”.
Ata bashkërisht do të udhëheqin me Maqedoninë e Veriut dhe posti i kryeministrit do të përcaktohej nga fituesi i zgjedhjeve. Varësisht cila parti del e parë do të ketë edhe të drejtën e caktimit të mandatarit.
Hapi i dytë është “eliminimi i BDI-së dhe Ali Ahmetit nga Qeveria”, thonë burimet e Albanian Post brenda LSDM-së, t’i ketë thënë Zaev Kovaçevsk-it.
Veç Ahmetit, plani përmbante edhe “eliminimin politik të presidentit aktual Stevo Pendarovski”.
Sipas formulës të prezantuar nga Zaev, presidenti do të zgjidhet në mes të dy partive maqedonase. Varësisht se cila merr mandatarin për kryeministër, tjetra do ta zotërojë presidencën. Nëse presidenti do t’i takonte LSDM-së, atëherë me shumë gjasë, vetë Zoran Zaev do ta okuponte atë pozitë.
Por, plani i Zaev kishte një të panjohur – çfarë do t’i bënte rivalët e përbetuar të bashkohen me LSDM-në, sidomos nëse janë ata që fitojnë zgjedhjet?
Albanian Post nga burime brenda partive politike maqedonase kupton se Zaev ka pasur edhe një takim sekret me liderin aktual të VMRNO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Zaev duke përdorur kartën identitare ka bindur Mickoski-in për bashkëpunim politik në kurriz të marigjianlizimit të shqiptarëve në politikën maqedonase.
Duke ditur se mos-përfshirja e shqiptarëve në qeveri është e pamundur, Zaev kishte propozuar një parti periferike si Lëvizja BESA që aktualisht ka vetëm tri ulëse në Kuvendin e Maqedonisë që të përfshihet formalisht në ekzekutiv.
Por, për këtë propozim të Zaev-it për “koalicionin e madh” LSDM-ja ishte konsultuar me ndërkombëtarët, veçanërisht amerikanët. Burime ndërkombëtare të Albanian Post tregojnë se amerikanët janë shfaqur kategorikisht kundër “koalicionit të madh” dhe pamundësimit të shqiptarëve të jenë lojtarë kyçë në dinamikat politike në Maqedoninë Veriore.
Sipas të njëjtit burim, amerikanët i konsiderojnë shqiptarët në Maqedoninë Veriore si “aleatë dhe shumë luajalë”.
Kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski i ka treguar Zaevit në takimin e 21 dhjetorit për pamundësinë e realizimit të planit të tij, pasi “amerikanët nuk mbështesin manovra të tilla të rrezikshme politike”.
Zaev më pas ka kërcënuar me rrëzim të qeverisë dhe realizim të manovrës, por tash pa Kovaçevskin brenda.
Pse Zaev mund ta rrëzojë qeverinë e Kovaçevskit?
Sepse Kovaçevski ka një qeveri të pakicës të votuar me vetëm 62 vota nga 120 sa janë gjithsejtë deputetë në kuvendin maqedonas dhe sepse janë disa deputetë të pozitës, përfshirë nga vetë BDI, që mund të votojnë për rrëzimin e tij bashkë me opozitën që udhëhiqet nga VMRNO-DPMNE.
Një grup brenda BDI-së, i përbërë nga deputetët Izet Mexhiti e Merita Kollci-Koxhaxhiku, bashkë edhe me figura të rëndësishme të BDI-së si ish-zëvendës-kryeministri, Musa Xhaferi, zëvendës-ministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, dhe kryetarë komunash, Visar Ganiu e Blerim Bexheti, prej kohësh i kanë bërë publike pakënaqësitë e tyre me partinë dhe veçanërisht me zëvendës-kryeministrin aktual, Artan Grubin.
Joshja e tyre në drejtim të kundërt, do të mundësonte rrëzimin e qeverisë aktuale. Burimet e Albanian Post brenda VMRNO-DPMNE thonë se tashmë kjo është punë e kryer.
“Zaev i ka treguar liderit të VMRNO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se ai i kontrollon të pakënaqurit e BDI-së”, thonë burimet e AP-së.
Kjo është edhe arsyeja përse Mickoski kishte deklaruar publikisht se mund ta rrëzojë qeverinë me grupin e BDI-së.
Çfarë do të thotë për shqiptarët në Maqedoninë Veriore suksesi i planit të Zaevit?
Defaktorizimi më i madh qysh nga paslufta në Maqedoni.
Eliminimi i forcave reale politike shqiptare në Maqedoni, siç është Bashkimi Demokratik për Integrim me 15 deputetë dhe i Aleancës për Shqiptarët me tetë deputetë, i lë shqiptarët praktikisht jo vetëm jashtë ekzekutivit – ku aktualisht gëzojnë edhe postin e dytë më të rëndësishëm – por realisht edhe pa fuqi fare, përveç opozitës brenda parlamentit.
Formalisht një partie të vogël si Lëvizja BESA me dy deputetë do t’i mundësohet pjesëmarrje në qeveri, por pa kurrfarë fuqie praktike për të bërë presion në vendosje të agjendave, siç aktualisht kanë potencialin dy partitë shqiptare që e kontrollojnë stabilitetin politik në Maqedoni.
Shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur pushtet më proporcional sesa aktualisht në qeverinë maqedonase. Qeveria e Kovaçevskit nga 21 anëtarë; gjashtë ka nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre nga partia Alternativa. Gjithsejtë, 11 anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa 10 shqiptarë. /Albanianpost.com
Lajme nga vendi
Ministria e Kulturës dhe Turizmit shpalli konkursin për Qytetin e Kulturës për vitin 2025
Ministria e Kulturës dhe Turizmit shpalli sot Konkursin për financimin e një projekti me interes kombëtar, eventin “Qyteti i Kulturës në 2025”.
Në konkurs mund të marrin pjesë komunat në Republikën e Maqedonisë, me përjashtim të qytetit të Shkupit dhe komunat e qytetit të Shkupit, qëllimi i të cilit është krijimi i kushteve për zhvillim të balancuar kulturor, disponueshmëria e vlerave kulturore për qytetarët, si. si dhe ringjalljen e kulturës në nivel lokal.
Regjistrimi bëhet me aplikim elektronik në Portalin Kombëtar për shërbime elektronike: https://uslugi.gov.mk, duke filluar nga 22 nëntor 2024. në orën 14:00, më 22 dhjetor 2024. në orën 14:00.
Përdoruesit do të mund të gjejnë udhëzime teknike dhe mbështetje gjatë regjistrimit dhe procesit të aplikimit në faqen e internetit uslugi.gov.mk (https://uslugi.gov.mk/frequently-asked-questions.nspx), si dhe përmes kontaktit qendra e këtij portali kombëtar për shërbimet elektronike.
Një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit është promovimi dhe aksesi i kulturës maqedonase, ndërsa projekti “Qyteti i Kulturës” forcon zhvillimin kulturor dhe zhvillimin e turizmit në nivel lokal dhe bashkëpunimin me vetëqeverisjen lokale. kontribuon në nxitjen ekonomike dhe turistike të bashkive në të gjithë vendin.
“Qyteti i Kulturës” në vitin 2024 ishte Kriva Pallanka, e cila gjatë gjithë vitit prezantoi një program të pasur dhe koncept të qëndrueshëm programor, me zhanre dhe estetikë të ndryshme nga krijimtaria tradicionale dhe bashkëkohore, me pjesëmarrjen e artistëve përkatës vendas dhe të huaj.
Lajme nga vendi
Gashi për ditën e Alfabetit: E vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka uruar Ditën e Alfabetit. Ai ka thënë se në Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe kujtojmë dhe nderojmë këtë moment historik, që shënon përfundimin e Kongresit të Manastirit dhe mishëron identitetin e popullit shqiptar.
“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore. Ndërkaq, për mua si shqiptar kjo ditë paraqet një thelb të pashkëputur të identitetit tim, që më bën krenar. Të gjithë shqiptarëve kudo në botë, gëzuar 22 Nëntorin!”, shkruan Gashi.
Lajme nga vendi
Kina hapi dyert, qytetarët nga Maqedonia dhe 8 vendeve të tjera do të mund të udhëtojnë pa viza
Ministria e Punëve të Jashtme kineze njoftoi sot se do të zgjerojë politikën pa viza në nëntë vende të tjera, përfshirë Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
Midis 30 nëntorit 2024 dhe 31 dhjetorit 2025, politika pa viza do të zbatohet për poseduesit e pasaportave nga Bullgaria, Rumania, Kroacia, Mali i Zi, Malta, Estonia, Letonia dhe Japonia, tha në një konferencë shtypi në Pekin Zëdhënësi i Ministrisë Lin Jian.
Përveç kësaj, Kina do të zgjasë gjithashtu periudhën e qëndrimit pa viza nga 15 deri në 30 ditë, njofton Reuters.
Duke filluar nga 30 nëntori 2024, mbajtësit e pasaportave të zakonshme nga 38 vende, duke përfshirë nëntë vendet e reja të shtuara, do të mund të hyjnë në Kinë pa vizë për biznes, turizëm, vizitë të afërmve dhe miqve, shkëmbim vizitash dhe tranzit, jo më shumë se 30 ditë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve