Lajme nga vendi
Rokas: Korrupsioni është sfida më e madhe e Maqedonisë së Veriut

Në seancën konstituive të Trupit Ndërministror për Koordinimin e Veprimtarive Kundër Korrupsionit, ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, theksoi se korrupsioni është një sfidë madhore për vendin dhe se për të arritur reformat nevojiten ndryshime të përshpejtuara.
Rokas theksoi se lufta kundër korrupsionit është çelësi i përparimit drejt Europës dhe se nevojitet një ndryshim i përshpejtuar për të arritur reformat e vendosura.
“Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë, ai depërton thellë në poret e shoqërisë dhe qytetarëve. Kemi edhe angazhime për të luftuar korrupsionin, që është përparim në rrugën drejt Evropës. Edhe qeveritë e mëparshme luftuan kundër korrupsionit, por kjo është detyrë e shoqërisë në tërësi. Çdo institucion, çdo qytetar ka rolin e vet. Reformat kërkojnë një ndryshim mendësie brenda institucioneve, brenda sistemit ligjor, si dhe në mentalitetin e individëve”, tha Rokas.
Ambasadori Rokas theksoi se Komisioni Evropian ka dhënë rekomandime në raportin e vendit, shtetin e së drejtës dhe Këshillin Gjyqësor, të cilat janë përfshirë në Agjendën reformuese. Ai theksoi se agjenda nuk identifikon vetëm afate dhe synime specifike, por edhe burimet e nevojshme financiare për të përmbushur planin në rrugën drejt Evropës.
“Kemi nevojë për më shumë progres për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të futur baza të reja ligjore siç është Kodi i ri Penal, të gjitha këto janë të një rëndësie vendimtare. Ne shohim shenja inkurajuese të veprimeve të ndërmarra në drejtim të hetimeve, arrestimeve dhe vendimeve gjyqësore. Gjithashtu, në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Por është e rëndësishme që gjykatat, autoritetet gjyqësore dhe policia të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe autoritetet gjyqësore duhet të financohen në mënyrë adekuate për ta bërë këtë. Buxheti i shtetit duhet të përfshijë edhe burime financiare që tashmë janë të parapara në akte të caktuara ligjore dhe që duhet të përfshihen edhe në agjendën e reformave”, tha ai.
Sipas tij, një gjyqësor i pavarur dhe organe rregullatore kërkojnë gjithashtu mbikëqyrje që mund të sigurohet përmes pavarësisë financiare brenda një kornize globale.
“Pavarësia e gjyqësorit mund të garantohet jo vetëm përmes pavarësisë financiare, e cila do të ndërtohet në kuadrin strukturor, por edhe nga mungesa e shpërdorimit të detyrës zyrtare. Aktorët duhet të ndalojnë ndërhyrjen në punën e gjykatave dhe organeve të drejtësisë dhe kjo nuk duhet të bëhet për qëllime politike”, theksoi Rokas.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve