Lajme nga bota
Trump e kërcënon BE-në me 200% tarifë ndaj alkoolit, pasi ajo propozoi tarifë ndaj uiskit amerikan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Bashkimin Evropian se do të vendosë 200 për qind tarifë ndaj verës, shampanjës dhe pijeve të tjera alkoolike evropiane, nëse blloku e zbaton tarifën e propozuar ndaj uiskit amerikan.
Tarifa, të cilën BE-ja tha se po e vendos si kundërmasë kundër tarifave të administratës amerikane ndaj aluminit dhe çelikut, pritet të zbatohet nga 1 prilli.
Por, Trump u zotua të enjten për përshkallëzimin e luftës tregtare, nëse BE-ja nuk heqë dorë nga synimi i saj për vendosjen e tarifës prej 50 për qind ndaj uiskit amerikan.
“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja do ta vendosë shpejt një tarifë prej 200 për qind ndaj të gjitha verërave, shampanjës dhe produkteve alkoolike që vijnë nga Franca dhe vendet e tjera të BE-së”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Do të jetë shumë mirë për biznesin e verës dhe shampanjës në SHBA”, shtoi ai.
Presidenti republikan la të kuptohej të mërkurën se e ka ndër mend ta ndërmarrë një veprim të tillë.
“Natyrisht se do të përgjigjem”, tha Trump për gazetarë në Zyrën Ovale të mërkurën.
Trump, duke njoftuar për tarifat ndaj aluminit dhe çelikut të mërkurën, i sfidoi haptazi aleatët e SHBA-së, dhe u zotua se do ta rikthejë pasurinë e “vjedhur” nga vendet e tjera.
Ai ka vendosur tarifa ndaras ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, dhe ka ndër mend gjithashtu të vendosë taksa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, Brazili dhe Koreja e Jugut, duke vendosur tarifa “reciproke” nga 2 prilli.
Tarifat e SHBA-së prekin tregtinë në vlerë 25.6 miliardë euro në BE, ndërsa blloku u përgjigj me një paketë masash në vlerë të përgjithshme prej 26 miliardë eurosh ndaj mallrave amerikane, të cilat do të vendosen në dy faza.
Faza e parë, nga 1 prilli, godet produktet klasike amerikane, si uiski burbon, xhinse, dhe motoçikleta Harley-Davidson, të gjitha këto në vlerë të 8 miliardë eurove.
Pakoja e dytë e tarifave, e propozuar të futet në fuqi më 13 prill, megjithatë, duhet të marrë pelqëimin e shumicës së kualifikuar të vendeve anëtare të BE-së. Kjo pako prek mallrat si, produktet bujqësore, tekstilin, pajisjet shtëpiake dhe plastiken, në vlerë të përgjithshme prej 18 miliardë eurove.
Diplomatët me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë besojnë se ekziston një shumicë e tillë, pasi blloku është bërë gjithnjë e më i zemëruar me administratën amerikane.
Lajme nga bota
Kremlini thotë se refuzon çdo armëpushim të përkohshëm me Ukrainën

Një ndihmës i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin, ka refuzuar çdo armëpushim të përkohshëm me Ukrainën, disa orë para se një delegacion amerikan të mbërrinte në Rusi për bisedime me Moskën, ku ata do t’i bëjnë thirrje Kremlinit që të pajtohet me propozimin për një armëpushim 30-ditor ose në të kundërtën do të përballen me sanksione.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, në një intervistë për televizionin shtetëror rus tha më 13 mars se propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, që Kievi e ka pranuar, vetëm do t’i jepte kohë Ukrainës që të rimëkëmbet nga presioni që Rusia i ka bërë ndaj trupave të saj.
“E kam paraqitur qëndrimin tonë se kjo nuk është asgjë më shumë se sa një pushim për ushtrinë ukrainase, asgjë më shumë”, tha Ushakov, i cili për më shumë se gjysmëshekulli është i përfshirë në diplomaci dhe konsiderohet se është këshilltari kryesor i politikës së jashtme të Kremlinit.
Ai shtoi se qëndrimin e Moskës ia ka paraqitur këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Mike Waltz, gjatë një bisede telefonike të zhvilluar një ditë më parë.
“Më duket se askush nuk ka nevojë për hapa që imitojnë veprime paqësore në këtë situatë”, tha ai, duke theksuar se Rusia dëshiron një zgjidhje afatgjatë që adreson interesat dhe e saj dhe merr parasysh shqetësimet e Moskës.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë më 12 mars me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, presidenti Trump shprehu bindjen lidhur me arritjen e një armëpushimi për Ukrainën dhe tha se negociatorët amerikanë “janë nisur drejt Rusisë”.
Ndërkaq, të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se ekipi amerikan raportohet se kryesohet nga i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff.
Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, raportoi më vonë se Witkoff ka mbërritur në Moskë.
Paraprakisht, Trump u ka thënë gazetarëve se Rusia “nuk ka zgjidhje tjetër” përpos armëpushimit. Ai tha se nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve nëse Moska e refuzon armëpushimin, por shtoi se shpreson që të mos jetë e nevojshme.
Presidenti amerikan e ka bërë prioritet kryesor përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës që kur ka marrë mandatin e dytë presidencial më pak se dy muaj më parë, duke bërë përpjekje diplomatike me një rritëm të shpejtë.
Deklaratat e tij të fundit vijnë pasi Kievi u pajtua me planin amerikan për një armëpushim të përkohshëm, pas bisedimeve që zgjatën nëntë orë në Arabinë Saudite mes delegacionit ukrainas dhe atij amerikan.
Delegacionet ukrainase dhe amerikane po ashtu diskutuan për rëndësinë e përpjekjeve humanitare si pjesë e procesit të paqes, veçmas gjatë armëpushimit, përfshirë këmbimin e të burgosurve të luftës, lirimin e civilëve të arrestuar dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë.
Më pas, Trump deklaroi se përfaqësuesit amerikanë dhe rusë do të takoheshin për të diskutuar për armëpushimin.
Pas negociatave, SHBA-ja nisi ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Lajme nga bota
Rusia sulmon Macronin, Orban saboton planin e BE-së -“Ky është një skenar makthi”

AMERIKA ka pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, gjë që ka ngjallur reagime të shumta nga liderët dhe politikanët evropianë. Sot në Bruksel mbahet një samit i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, konfirmoi se SHBA-ja ka pezulluar shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën.
Ngjarjet kryesore:
Rusia sulmon Macronin: “Ai po e shtyn Evropën në Luftën e Tretë Botërore”
Sulm me raketa në vendlindjen e Zelensky, disa të vdekur
Orban i shkroi kreut të Këshillit Evropian: “Ne duhet të negociojmë drejtpërdrejt me Rusinë”
SHBA nuk i jep Ukrainës inteligjencën: “BE nuk mund ta zëvendësojë atë”
Aleatët kryesorë të Trump mbajnë bisedime sekrete me Timoshenkon dhe Poroshenkon
Në Bruksel mbahet një samit i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian
Lajme nga bota
Vendet arabe miratojnë planin egjiptian për rindërtimin e Gazës

Udhëheqësit arabë në takimin e së martës në Kajro miratuan planin egjiptian për rindërtimin e Gazës.
Plani, i cili është një përgjigje ndaj propozimit të presidentit amerikan Donald Trump për të krijuar një “Riviera të Lindjes së Mesme” në enklavën palestineze, synon të rindërtojë Rripin e Gazës pa zhvendosur banorët e saj.
Në mes të Shkurtit, Egjipti teksa shpalli planin e tij, tha se një zgjidhje me dy shtete, e cila parashikon bashkëjetesën e Izraelit dhe një shteti palestinez si shtete të pavarura, ishte rruga e vetme drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës midis popujve të rajonit.
“Egjipti shpreh aspiratën e tij për të bashkëpunuar me administratën amerikane…për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të drejtë në rajon – duke arritur një zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze që mbështet të drejtat e popujve të rajonit. Rindërtimi i Rripit të Gazës duhet të kryhet në një mënyrë që të sigurojë që populli palestinez të mbetet në atdheun e tij dhe në përputhje me të drejtat e tij legjitime dhe ligjore”, thuhej në deklaratën e ministrisë së Jashtme në Kajro.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve