Lajme nga vendi
Dita e Gruas apo një ditë urimesh pa ndikim?!

Kërkesat për barazi gjinore dhe të drejtat e grave janë çështje që diskutohen vazhdimisht, sidomos në ditën e 8 Marsit. Gjatë kësaj dite, shpesh dëgjohen mesazhe urimi dhe deklarata për përparimin e gruas në shoqëri dhe politikë, si dhe marshime kundër diskriminimit dhe seanca parlamentare që theksojnë arritjet e vitit. Megjithatë, përkundër këtyre mesazheve, realiteti mbetet i ndryshëm.
Në Maqedoninë e Veriut, gratë përballen me pengesa të vazhdueshme, dhe shpesh herë, 8 marsi bëhet thjesht një ditë urimesh bosh, pa pasur një ndikim të vërtetë në përmirësimin e kushteve të jetesës së grave. Pavarësisht ndryshimeve ligjore dhe përmirësimeve të mundësive për barazi gjinore gjatë dy dekadave të fundit, shifrat dhe përfaqësimi i grave në sektorët kyç si arsimi, puna dhe politika tregojnë se ende ka shumë punë për të bërë për të arritur barazinë e plotë.
SFIDAT NË EMANCIPIMIN E GRAVE KRAHASUAR ME BALLKANIN
Siada Selmani, një mjeke e shkolluar gjatë viteve 80-90, e cila ka përjetuar ndryshimet e shumta në trekëndëshin e sistemit arsimor dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë, ka ndarë mendimet e saj lidhur me ecurinë e emancipimit të grave në këto tri shtete. Ajo për gazetën KOHA ka theksuar se përpjekjet për shkollimin e grave dhe mundësitë e barabarta për arsim, gjithashtu janë një faktor ndikues në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat.
“Në Maqedoninë e Veriut, qasja e grave në çdo institucion shtetëror nuk ka qenë sfidë e vështirë vetëm për ta, por edhe për meshkujt. Rrethanat politike dhe mospranimi i shqiptarëve në mënyrë të barabartë në institucione kanë bërë që shumë pak shqiptarë të shkollohen. Për kundër kësaj, zgjidhja ishte në Kosovë, ku universiteti ekzistonte që nga viti 1974, mundësitë për arsim ishin më të lehta, por gjithashtu kërkohej edhe emancipimi i familjeve dhe i shoqërisë në përgjithësi. Ndërsa, në Shqipëri, gjatë viteve të 90-ta, gratë kishin mundësi të shkolloheshin dhe të zhvillonin karriera në profesione të ndryshme”, tha ajo duke shtuar se ndryshimi ka qenë i dukshëm sa i përket nivelit të shkollimit dhe përfaqësimit të grave në nivelet e ndryshme të arsimit.
Ndërsa përballeshin me pengesa si diskriminimi në familje, të cilat vinin nga perceptimi se djemtë duhet të shkollohen para vajzave, Selmani thekson se emancipimi i duhur i familjeve ka qenë një faktor kyç për të mundësuar shkollimin e grave. “Këto pengesa i kemi vendosur vetë. Përparimi varet nga ndryshimi i qëndrimeve dhe praktikave shoqërore ndaj gruas. Në Shqipëri dhe Kosovë, gratë janë tashmë konkurrente të fuqishme në tregun e punës dhe arsimimin, por ende kërkohet më shumë punë për të arritur një barazi të plotë. Unë shpresoj që edhe Maqedonia e Veriut të arrijë një nivel të ngjashëm, ku gratë të jenë të fuqishme dhe të ndihen të barabarta në shoqëri”, shtoi mjekja.
PËRFAQËSIMI I ULËT I GRAVE NË INSTITUCIONET SHTETËRORE
Për sa i përket përfaqësimit të grave në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, situata ka pësuar disa ndryshime. Për herë të parë, Maqedonia e Veriut ka një presidente grua, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila gjatë fjalimit të saj inauguruar ka theksuar rëndësinë e emancipimit të gruas dhe largimin e stereotipave ndaj grave, e cila shprehu angazhimin e saj për të përmirësuar rolin e gruas dhe për të kontribuar në barazinë gjinore.
Megjithatë, deri tani, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje është ende shumë e kufizuar, sidomos grave shqiptare, ashtu siç vërehet në mungesën e grave të përfshira në pozitat udhëheqëse të ekzekutivit. Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, gratë kanë fituar vetëm 41 ulëse nga 120, duke përbërë një përqindje prej 34 për qind. Ndërsa në nivel lokal, përfaqësimi i grave është ende shumë i ulët, me vetëm 35 për qind të përfaqësimit në nivelet shtetërore dhe 26 për qind në komunat e drejtuara nga shqiptarët.
PROTESTË KUNDËR DHUNËS NDAJ GRAVE
Dhuna ndaj grave në vend është një problem i theksuar dhe i shpeshtë. Rreth 80 për qind e viktimave të dhunës në familje janë gra, ndërsa autorët janë kryesisht meshkuj. Raportet e fundit të dhunës në familje janë rritur me 61 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin 2018, por vetëm 1 për qind e autorëve të dhunës janë dënuar me burg. Ky raport tregon se, ndonëse ka shumë raporte të dhunës, dënimet për dhunuesit janë të pakta dhe ky është një aspekt që kërkon përmirësim të menjëhershëm.
Ndërkohë, për të shënuar 8 marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë një protestë në Shkup. Protesta do të fillojë në orën 13:00 para Sallës Universale dhe do të përfundojë në parkun “Gruaja Luftëtare”. Aktivistët kërkojnë më shumë se thjesht lule dhe fraza simbolike, ata kërkojnë liri, autonomi dhe fund të sistemit shtypës që kufizon mundësitë dhe jetën e grave.
“Këtë 8 mars bojkotojmë dhe marshojmë. Nuk është koha për gjeste simbolike, por për një luftë feministe për liri, solidaritet dhe autonomi. Ne jetojmë në një sistem shtypës që kufizon jetët tona dhe mundësitë. Këtë 8 mars, po bëjmë thirrje për bojkot të supermarketeve dhe punëve të shtëpisë, duke qëndruar kundër këtij sistemi. Gratë do të pushojnë nga blerja, gatimi, pastrimi dhe kujdesi për fëmijët. Kjo është dita për të ndalur vrullin e këtij sistemi, të paktën për një ditë”, thonë organizatorët. Ndër të tjera, protesta mbështetet nga organizata të ndryshme si Reaktor, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Tiiitt! Inc, Rrjeti Stella, Koalicioni Margjinal, ndërsa përkrahet nga aktivistë të ndryshëm. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Shtrenjtohen çmimet e derivateve të naftës

Komisioni Rregullator për Energjetik ka njoftuar se me vendimin e fundit janë rritur çmimet e derivateve të naftës.
Çmimi i shitjes me pakicë të benzinës ЕUROSUPER BS-95 dhe ЕUROSUPER BS-98 si dhe të EURODIZELIT (D-E-V) rritet për 2,00 den/litër.
Sipas vendimit çmimi i shitjes me pakicë të ЕUROSUPER BS-95 është 73,50 den/litër, çmimi i shitjes me pakicë të ЕUROSUPER BS-98 është 75,50 den/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-E-V) është 66,00 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) rritet për 1,50 den/litër, kështu që çmimi i shitjes me pakicë të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) është 65,50 den/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë të Мazutit М-1 SU rritet për 0,375 den/kg, kështu që çmimi i shitjes me pakicë të Mazutit M-1 SU është 37,155 den/kg.
Lajme nga vendi
Vitin e ardhshëm do të vazhdojë ndërtimi i bulevardit “Bllagoja Toska”

Përderisa një pjesë e bulevardit “Bllagoja Toska” është drejt përufundimit, kurse një pjesë është përfunduar, për vazhdimin e të njejtit, këtë vit nuk do të ketë lëvizje konkrete. Të paktën këto janë informacionet zyrtare që vijnë nga pushteti lokal në Tetovë. Bëhet fjalë për vazhdimin e bulevardit nga Shkolla e Mesme Tekstile e deri tek lidhje me bulevardin “Ilinden”, ku momentalisht rruga është tepër e ngushtë dhe e dëmtuar dhe krijohet kaos vazhdimisht. Vazhdimi i këtij bulevardi është nevojë e kohës dhe urgjente për të lehtësuar komunikacionin në pjesët tjera të qytetit të Tetovës, thonë banorët e kësaj lagje.
“Duhet të bëhet, por nuk besojmë se ndonjëherë do të ndërtohet. Do të lehtësonte komunikacionin shumë për këtë pjesë ku jetojmë ne, por edhe për vet qytetin”, thotë një banorë i kësaj lagje.
Pas përfundimit të një pjese të këtij bulevardi, ende nuk ka informacione të sakta se kur mund të vazhdojë ndërtimi që do të zvogëlonte dukshëm kaosin në trafikun rrugor brenda në rrugët e qytetit, por kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami është shprehur se vitin e ardhshëm do të jetë prioritet ky bulevard, por nëse e merr besimin edhe njëherë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.
“Për vitin 2025 është në plan vazhdimi i bulevardit ‘Bllagoja Toska’, tek kazerma e qytetit, ashtu që kemi edhe vendim në fakt, ka kompani, operatorë që duhet të përmbyllë ato punë dhe jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të eksproprijimit të atyre pronave që ishin problematike dhe sigurisht dhe punimet tjera në qytet për riparimin e rrugëve, kurse sa i përket vazhdimit të bulevardit nga Shkolla e Mesme Tekstile e deri në bulevardit e Ilindenit, do të jetë në prioritet nga viti 2026”, tha kryetari Kasami.
Rikujtojmë se vetëm për një pjesë të vazhdimit të këtij bulevardi u deshën një dekadë, ndërsa për pjesën tjetër të mbetur me gjasë do të duhen edhe shumë vite, duke patur parasysh se për projektet kapitale gjithmonë ka ngecje administrative, por edhe mungesë fondesh. Në ndërkohë, gati se dy dekada në pjesën ku duhet të ndërtohet pjesa e fundit e bulevardit “Bllagoja Toska” nuk jepen leje për ndërtim, ndërsa ka mbi 10 objekte që duhet të rrënohen. Disa prej objekteve u është bërë edhe vlerësim shumë vite më parë, por nuk ka informacione të sakta se deri në cilën fazë është bërë shpronësimi.
Lajme nga vendi
Durmishi: Nëse ka rritje të çmimeve, do të ketë masa më rigoroze

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi në një dalje për media tha se masat për uljen e çmimeve kanë dhënë rezultat. Durmishi bëri të ditur se së bashku me Inspektoratin Shtetëror të Tregut do të dalin në teren. Siç bëri të ditur nesë vërehet se ka rritje të çmimeve, Durmishi paralajmëroi masa më rigorize.
“Në pjesën e ushqimeve dhe pijeve, janë zvogëluar çmimet. Informacionet i kemi se këtë muaj, muajin prill të dhënat tregojnë se çmimet në pjesën e ushqimit dhe pijeve janë ulur, kështu që masat kanë dhënë rezultat. Tutje, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut do të jemi në teren, do t’i shohim çmimet, nëse ka devijim nga ana e marketeve, nëse kemi rritje enorme të çmimeve, normalisht që do të shkojmë sërish me masa të reja. Nëse nuk sillen siç duhet tregtarët, ose i rrisin çmimet do të ketë sërish masa rigoroze, nga ato që kemi tani”, deklaroi Besar Durmishi – ministër i Ekonomisë dhe Punës.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve